Fundosja e Real Madrid ndodhet nën sytë e të gjithëve, aq sa mediat spanjolle në këto moment po tentojnë të analizojnë situatën në detajet më të vogla, duke u shqetësuar edhe për të kuptuar se kush do të blihet në verë nga klubi, me qëllim ringritjen e skuadrës në nivelet maksimale.

Nuk kanë kaluar pa u vënë re koret që ftojnë presidentin e Los Blancos, Florentino Perez, që të dorëhiqet pas disfatës 1-4 mbrëmjen e të martës në “Santiago Bernabeu” ndaj Ajax.

Ishte presidenti ai që mori mbi vete të gjithë përgjegjësinë dhe sipas “Don Balon” është gati që t’i dhurojë skuadrës një pikë të re referimi, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, askënd më pak se yllin francez Kylian Mbappe.

Talenti i PSG, në fakt, do të ishte i vetmi që do të rindizte entuziazmin te populli madrilèn. Shumë i ri, i fuqishëm, aq sa parisienët do të donin ta mbanin me çdo kusht për të ndërtuar të ardhmen e tyre rreth tij.

Pikërisht për këtë arsye, Florentino Perez e di se duhet të paguajë një shumë stratosferike të barabartë me 300 milionë euro për të rrëmbyer kampionin e botës nga francezët e PSG.

Gjithsesi do të bëhej fjalë për një investim të sigurtë. Sulmues i të tashmes dhe të ardhmes. Që tani në gjëndje për të çuar drejt suksesit ekipet e mëdha. Kontaktet me sheikun kanë nisur tashmë. Sipas “Don Balon”, paraja është mënyra e vetme për ta bindur.