Një përdorues europian në katër (72%) nuk ka smartphone, kurse në Amerikën e Veriut, tregu me penetrimin më të lartë, kjo shifër është 80% ose ndryshe një përdorues në pesë.

Këtë e tregojnë të dhënat e Statista, të cilat mbështeten tek studimi i GSM Alliance, shoqata që grupon të gjithë operatorët e telekomunikacionit që organizon Mobile World Congress në Barcelonë, panairi më i madh botëror i teknologjisë. Të dhënat vijnë në një moment kur treguesit dhe analistët flasin për një treg të ngopur dhe me rënie shitjesh.

Sipas raportit, thuajse në gjithë pjesën tjetër të botës – Amerika Latine, Azia, Europa Lindore, Lindja e Mesme dhe Amerika e Veriut – kjo shifër luhatet 40 – 50%, ndërkohë në Afrikën Subsahariane, vetëm 36% e popullsisë zotëron një smartphone. Analiza parashikon që brenda vitit 2025, thuajse në gjithë tregjet kjo shifër do të jetë mbi apo shumë pranë 75%, ndërsa Afrika do të mbetet sërish pas, në 66% (por thuajse dyfishi krahasuar me sot).

Tregu botëror i smartphone-ve ka regjistruar së fundmi rënien e parë vjetore, që prej fillimit të tij, rreth 10 vjet më parë. Sipas vlerësimeve të Strategy Analytics, 2018-a u mbyll me rënie në dërgesa, me 5% krahasuar me një vit më parë. Ky është tremujori i pestë radhazi në rënie (i fundit tetor – dhjetor, me rënie 6%). Për të rritur numrin e shitjeve, prodhuesit më të mëdhenj të smartphone-ve kanë prezantuar smartphone-t e parë me ekrane të përthyeshëm. Kjo teknologji, së bashku me 5G, janë synimet e kompanive teknologjike në të ardhmen.

Burimi: ANSA