Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar ndryshimet në rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve publike, duke rritur tarifat për qytetarët dhe vizitorët.

Në zonën e parë, që përfshin qendrën e kryeqytetit, parkimi kushton 1,40 euro për orë, nga 1 euro që ishte më parë.

Sipas rregullores së miratuar, parkimi ditor deri në 24 orë parashikohet të kushtojë 20 euro, ndërsa abonimi mujor arrin në 140 euro.

Në zonën e dytë, tarifa është 70 centë për orë dhe 10 euro për një ditë.

Ndryshimet pritet të ndikojnë veçanërisht te qytetarët që udhëtojnë çdo ditë drejt qendrës për punë dhe shërbime.

Vendimi ka shkaktuar diskutime në Kuvendin Komunal, ku janë ngritur edhe shqetësime për menaxhimin financiar të kryeqytetit.