Gratë e Pushteteve

Nga Hamit Aliaj – Mjeshtër i Madh

Vdekjet s’janë bërë për bukurinë e Helenës,
As për nderin e humbur të akenjve,

Dhjetë vjet ,sa zgjati rrethimi i Trojës
Helena plakej në shtretërit e epshit trojan,
Ndërsa në çadrat e ushtrisë në fushëtirat rreth Trojës,
Epidemitë bënin kërdinë
Dhe burrat që luftonin për nderin e humbur
Agamemnoni,Akili e të tjerë,
Ia rrëmbenin njëri-tjetrit skllavet e çadrave të epshit,
Ndoshta më të bukura se Helena,

Po Helena ish grua e Menelaut,
Dhe Menelau ish pushtetari i egër,
Jetët u dhanë për gruan e Menelaut:
Akili me vdekjen në thembër,per këtë u vra,
(Çfarë dëmi homerik)!
Dhe Agamemnoni flijoi të bijën para nisjes për në Trojë,
(Për gruan e Menelaut),
Bash për këtë edhe Odiseu,
Pas njëzet vjetësh u kthye në Itakë
Dhe gjeti një plakë: gruan e vet Penelopë,
E rreth mureve të Trojës edhe sot
Tërhiqet zvarrë trupi i Hektorit të vrarë,

Dyqind lufta më vonë , Homeri shkroi Iliadën
Ku lexohen vdekjet e mëdha
E për këtë ia nxorën sytë….