Në vitin 2009 ndërroi jetë “Mbreti i Popit”. Tani shfaqet premiera e filmit për legjendën e muzikës – me nipin e tij, Jaafar Jackson, në rolin kryesor. Në Berlin, ai rrëfen se si e kujton xhaxhain e tij.
Në Berlin u shfaq premiera e filmit “Michael” kushtuar ikonës së muzikës pop Michale Jackson. Shumë fansa u shfaqën me veshjen ikonike si doreza me xixa, kapela karakteristike apo çorape të bardha: filmi i ri për legjendën e muzikës Michael Jackson festoi premierën e tij ndërkombëtare në Berlin, në prani të anëtarëve të familjes. Në këtë event mori pjesë edhe nipi i Jacksonit, Jaafar Jackson (29), i cili në filmin biografik “Michael” interpreton “Mbretin e Popit”.
Në premierë morën pjesë edhe vëllezërit e Michael Jacksonit, Jermaine, Jackie dhe Marlon, si edhe djemtë e tij, Prince dhe Bigi. Filmi “Michael” pritet të shfaqet në kinematë gjermane më 22 prill (të mërkurën).
Nga Jackson Five në ikonë globale
Filmi i regjisorit Antoine Fuqua (“Training Day”) rrëfen, sipas njoftimit zyrtar, “historinë e jetës së Michael Jacksonit – shumë përtej muzikës”. Ai ndjek rrugëtimin e tij që nga “zbulimi i talentit të tij të jashtëzakonshëm si këngëtar kryesor i Jackson Five e deri te artisti vizionar,ambicia krijuese e të cilit e shtyu pa reshtur të bëhej argëtuesi më i madh në botë”. Premiera ishte planifikuar të shënonte fillimin e një eventi disaorësh dhe të aktiviteteve për fansat, kushtuar këtij realizimi kinematografik.
Jaafar Jackson i tha agjencisë gjermane të lajmeve Deutsche Presse‑Agentur se marrëdhënien me xhaxhain e tij e kujton si jashtëzakonisht të ngrohtë dhe të dashur, të mbushur me shumë momente plot humor. Një nga kujtimet e tij më të bukura lidhet me herën e fundit kur e pa atë gjatë një darke të madhe familjare.
“E mbaj mend që isha ulur menjëherë pranë tij dhe ai këndonte – unë thjesht e dëgjoja”, tregoi aktori. Xhaxhai e kishte pyetur se me çfarë po merrej dhe cilët filma i pëlqenin. “Ishte gjithçka krejt normale”, tha ai. Pikërisht kjo thjeshtësi e ka prekur dhe i ka lënë mbresa të forta.
Filmi “Michael” është prodhuar, ndër të tjerë, nga Graham King, i cili më parë ishte përgjegjës për portretin muzikor të vlerësuar me Oscar “Bohemian Rhapsody”, kushtuar këngëtarit të Queen, Freddie Mercury.
Stili ekscentrik i jetesës dhe procesi i shekullit
Vajza e Michael Jacksonit, Paris Jackson, është distancuar publikisht nga ky projekt. Në një postim në Instagram, ajo deklaroi se nuk është e përfshirë në realizimin e këtij biopiku, raportonte revista “Rolling Stone” në shtator të vitit 2025.
Titullin “King of Pop” këngëtari (1958–2009) ia kishte atribuar vetes që herët.Lëvizjet e tij ikonike të vallëzimit moonwalk, hitet si “Billie Jean”, “Beat It” dhe “Thriller”, videoklipet spektakolare dhe shfaqjet madhështore skenike e revolucionarizuan botën e pop‑muzikës në vitet 1980.
Stili ekscentrik i jetesës i Jacksonit dhe akuzat për abuzim dëmtuan më vonë imazhin e tij. Pretendimet e një adoleshenti për sulme seksuale çuan në vitin 2005 në një të ashtuquajtur “proces të shekullit”, i cili përfundoi me shpalljen e pafajësisë së Jacksonit për të gjitha pikat e aktakuzës./ dpa

















