Lojë në errësirë

Nga Petraq Risto – Amerikë

Shpesh e shuaj dritën të shoh në errësirë
Dalloj gjithçka ngaqë çdo send gëzon dritën e brendshme
Dhe pse në errësirë sërish i mbyll sytë: Qartësia është lente…
Pastaj të them ty: mbylli sytë, lozim vetëm me prekje
Luajmë symbyllazi me veten.

Lëvizim në errësirë si somnabul, prekim takimin që humbëm,
Uljen e nusepashkës mbi zambak: lehtë si puthje buzësh
Dhe lulediellin që u zhgënjye pak nga eklipsi i shkurtër.
I prekim, i njohim. Mollëzat ngjyhen me push drite
A thua do na fluturojnë luzmat e gishtërinjve?

Dhe qeshja shkëndijon në errësirë.
Sepse ndodh të prekim globin e të themi: akuarium me peshq të gënjyer
Të prekim akuariumin e të themi: plazh me det hajmalie
Luajmë gjatë aq sa harrojmë ti hapim sytë
Symbyllur zbresim shkallët, me emra i njohim komshinjtë
Symbyllur hyjmë në shitoren përballë: vemë firmat në listë
Symbyllur hyjmë në syrin e ciklonit dhe verbohemi në dritë.

Ecim symbyllur. –Hapi!- them unë. –Hapi!- thua ti.
Më mirë ecet symbyllur kur drita s’ka liri….
Protestat ecin symbyllur. Symbyllur pranverat
(coha piratësh – petalet e zeza)
Oh, ç’lojë e hidhur me verbëri!
-Hapi!- them unë. –Hapi!-thua ti.
Dhe lotët shkëndijojnë në errësirë.
Veç lotët janë Liri.

Queens-Brooklyn, 7 nëntor, 2013