KËSHTJELLË E SHPIRTIT

Cikël me poezi nga  QAZIM D. SHEHU

Thinjat nxitojnë,

Vetëm në  zemër  nuk shkojnë

Kështjellë e shpirtit në bedena,

ushtarët e ndjenjës gati mbajnë,

ushtritë e thinjave rremba rremba,

t`i gjuajnë me armë…

kështjellë e shpirtit nuk dorëzohet

në  tym të tyre tek zhytet,

veç mençuria mjerohet,

në mjegull të përhime  mbytet…

KUPTIM I MOSKUPTIM

Ikin vitet

Rritja e tyre më ha në gji,

Kreshpëron dëshirat

E më pak më japin fuqi…

Sa herë kështu rrija pranë bimës

Si fshatar pasionant,

Pa ia kuptuar  rritjen

Ngritur  në mëngjesin sharmant.

Kuptim i moskuptimit ngecën,

Kur ndodhesh para faktit,

Pa kuptuar si vitet ecin

Në mungesë të taktit…

TRUPI

Në neps,dridhje, tmerr

Fërgëllon qejfqeder,

Dridhet, çlidhet në ankth,

Mornicat, eter.

Klithje, vidhisje

Foleza qelizash,

Lëkurën kandisin,

Delir përtese

Shkrirje vese,

Lart ngrihet shpirti

Mugullueshëm

Si një re nga honi,

Duke e lënë në ëndërrime

Trishtueshëm…

ILUZIONET

Iluzionet me fasho i mbështjell

Si të ishin plagë,

Iluzionet janë flakë.

Ajo vajza atje,

Më duket, më do,

Dhe një drejtësi si një re

Do flladisë këdo…

Iluzionet shpohen si fluska

Në çmeritje vështrimi,

Të bukura

Në kthetra shëmtimi…

Me lëkurë shpirti i mbështjell,

E me kujdes i vë në rrugë,

Ndonjërit që s`ka iluzione

Mund t`i japin bukë…

Dhe era mjaullin në mbrëmje

I fshikullon me përbuzje

Duke ndeshur pragjet e  tyre të ujshme…

MASKA

Mbaj një maskë,

Nga një shoqëri e drejtë,

Sugjeruese pafund…

Tani s`di ç`ti them asaj

Duke dënuar veten,

Maska më rri xhaketë në kremastar

Që më duhet ta vesh patjetër,

Për të mos ndjerë ftohtë

Në dimrin e shoqërisë,

Maska,

Një fytyrë e përzhitur në mungesë,

Një trill i konsoliduar keq,

Aq të pamundur e kam ta përzë,

Sa po të tentoj

Fytyrën peng t`ia lë…