Takim ish mësuesish në Novosej

Nga Fejzulla GJABRI

Më 27 maj 2018 një grup mësuesish veteran, kishin planifikuar që të bashkohen pas dyzet e ca vitesh (kur morën maturn ë mësuesisë) në fshatrat turistike Novosej e Shishtavec. Këtë bashkim në ketë vend piktoresk e planifikoi kolegu i tyre, mësuesi emigrant Enver Parllaku. Zylfi Matranxhi dhe Isa Shehu më ftuan dhe mua që të isha atje. Këta kryen një porosi të Enver Parllakut, i cili i kishte porositur që ‘merrni edhe Fejzulla Gjabrin’, pra mua që po shënoj këto radhë shkrimesh. Po shënoj ato që pashë dhe ato mbresa që lanë në memorjen time.
Nisem me Xhezahir Nergutin, një shofer-mësues, të cilit iu dha mundësia të marrë dokumentin e drejtimit të makinës dhe të ketë makinë të tijën, në vitet e para të pasnëntëdhjetës. Ecim rrugës së Kombit deri në afërsi të Grykës së Vanave. Para na shfaqen shkëmbinj madhështorë. Kanioni i Vanave ofron një pamje befasuese e madhështore. i thellë dhe i ngushtë, i zënë në fund nga shtrati i lumit Luma, ai ndan shpatet e thikëta të Gjallicës dhe Koretnikut. Rruga poshtë, asfaltuar para 5-6 vitesh, gjarpëron mes shkëmbinjsh, deri në Ura e Zarifes, që për ketë urë ka një legjendë. Aty sot janë disa rrugë, që njëra ngjitet në Lojme e dy tjerat hyjnë luginave. Ne i drejtohemi luginës së Topojanit, duke lënë pas disa toponime interesante, si Ura e Zarifes.
Për të mbrritur deri në Novosej, lamë pas Nimçën e famshme të uraniumit, Topojanin, me burr të përmendur në histori, si Ejup Topojani; lamë Brekijën e bukur, të masakruar nga shovinistët serb në vitet 1913 deri më 1920, lamë pas Kollovozin; Shtrezën një fshat i kërcënuar nga rrëshqitjet e masiveve shkëmbore, ku dhe fillon masivi i drynjve të mështeknës e prej aty, hyjmë në Novosej, i njohur për disidencën. Te kryqëzimi i rrugës që njëra shkon në Novosej e tjetra për Ture, bashkohemi të gjithë, tre makina të vogla dhe një frurgon. Ishim rreth 30 vetë. Afrohemi te qendra e fshatit dhe aty na prit Enver Parllaku me vëllezërit, motrat e të afërmit e tij. Hyjmë në shtëpitë e Enverit. Dy shtëpi, të meremetuara, të bukura e me pajisje brenda, të gatshme për çdo kohë. Enveri vetë kishte një dhomë të pajisur bukur, që e përdor vetëm kur vjen në vendlindje, pasi jeton në Filadelfia të SHBA.

Një tryezë e gjatë, e shtruar bukur në hije të pemëve, ppret moshatarët, ish nxënësit e pedagogjikes së Shkodrës në vitet 1966-1970. Mes tyre isha dhe unë, dy vjet para tyre kisha mbaruar ketë shkollë të mirënjohur. Mjedis miqsh e të njohurish që para 50 vitesh, tashmë të thinjur e me kujtime të shumta. Në këtë takim, me ushqime e pije të bollshme para, e morën fjalën, pas një fjale të shkurtë të vëllait të Enverit për mirëseardhjen, pak më gjatë foli vetë Everi e pas tij disa pjesëmarrës. Në këtë mes, fola dhe unë dy flalë, duke përshëndetur kolektivin e klasës së asaj kohë të pedagogjikes, Envet Parllakun dhe njerëzit e afërt të tij. Unë falenderova Enverin, por edhe shokët që më bënë pjesë e këtij gëzimi, si Isa Shehun, Zylfi Matranxhin, Xhezahir Nergutin etj. Disa të tjerë i njihja edhe si shokë e kolegë në punë.
Shkëputemi nga Novosej dhe dalim në livadhet e bukura të Novosejt. Bar e gjelbërim, lule dhe në fund fusha e Sportit, me potat e futbollit. Pjesa më e madhe vishen me uniformën sportive dhe bëjnë një lojë futbolli. Kishe dëshirë t’i shihje, ata që ndonjëherë lëkunden gjatë ecjes së zakonshme, ata flokëbardhë, me uniform sportive duke luajtur futboll. Unë me një shok vendës bisedojmë për bimësinë e këësaj ane. Më thotë se drurin e bardhë të mështeknës e ka sjellë në këto anë një banor në shekullin e katërt dhe e përhapi në disa troje shqiptare. Sytë kënaqeshin me atë pamje bukurie natyrore, që Zoti u ka falë këtyre anëve. Përballë nesh ishin katundet Novosej e Shishtavec, fshatra të grumbulluara e me rrugica të pastërta. Në anën e kundërt të dy katundeve, në horizont shkëlqente Guri i Mengjezit, i cili që nga qershori i vitit 2002 është i listuar si Monument i Natyrës në Shqipëri, që duket siku shalon në horizont. Dikur këtu ishin banorët e hershëm të Gradishtës, të cilët duhet t’a kenë pagëzuar më shumë se 1500 vjet më pare si të tillë. Duhet të ketë qenë vendi, ku banorët e hershëm të këtyre anëve, mblidheshin me kuajt e tyre, për të marrë rrugën drejt Shkupit dhe Tetovës. Është intrigues dhe fakti që, ky gur nga një pjesë e vendasve thirret “Murga”.Ai ndodhet në një lartësi 1900 metër mbi nivelin e detit, me përmasa; 25 metër i gjatë, 13 metër i gjerë, dhe 11 metër i lartë. Dikur, jo shumë vite larg, ky gur ndante kufiri shtetëror me ish-Jugosllavinë, ndërsa sot, ai kufi është thjeshtë formal midis dy shteteve të shqiptarëve.

Lëmë fushën e futbollit, në atë lëndine të bukur dhe nisemi te lokali, mes mështeknave e barit, Me buzën në gaz e me repektin më të madh, Enver Parllaku na drejton për nga lokali e na tregon vendet. Bashkë me ne ishin dhe disa nga ish nxëneset e kësaj mature, tashmë pensioniste. Respekti pët to ishte nga të gjithë e veças nga Enveri me vllazën. Nejse, lokali si lokalet modern të Tiranës, me ato pajisje, me ato ushqime, me atë orkestër. Qëndruam disa orë dhe erdhi koha e përcjelljes. Oborri i lokalit, që më shumë të tërhiqte ambienti me bukuritë natyrore. Enveri shpërndau disa stema me mbishkrimin e Filadelfias, mbështjellur në peçikllas. Ndarja ishte emocionale, por lanë vend për një takim tjetër. Të gjithë uruan Enver Parllakun për pritjen vëllazërore, me përshëndetjen shqiptare ‘Mirë u pafshim së shpejti’.