(Një këngë malli për lumin e Sinicës)
Nga Fuat Memelli
Më vjen shpesh nëpër ëndrra
Iso e tij, ninullë më ngjan
Stoli të rrallë e ka Sinica
Varur qafës, si gjerdan.
Këtë iso, kaq të bukur
S’e bën dot kompozitori
Shpirti i lumit e ka thuruar
Pa një notë pentagrami.
Valet e tij, shushurijnë
Nëpër gurë, zaje e gjethe
Disa ikin, disa vijnë
Shkojnë të flenë nëpër dete.
Dhe dy urat përmbi ballë
Si kurorë ato i rinë
Kane mall per kalimtare
U rralluan e pak vijnë.
Ka përcjellë shumë breza
E të tjerë do përcjellë
Me ato valë si pulbardha
Letra malli do na sjellë.
Boston, 21.7.2018