Faza e parë, ajo e grupeve në Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, është pranë mbylljes. Tashmë turneu është drejtuar për nga sfidat e rëndësishme, ato vendimtare për fatin e ekipeve që qëndrojnë, ose largohen nga Rusia. Ndeshje me tension të lartë, sepse sikurse dihet, topi është i rrumbullakët dhe verdiktet jepen vetëm pas 90 minutave lojë. Por është pikërisht topi i shkelmuar nga 32 ekipet e kualifikuara në këtë Botëror, ai që eliminohet i pari, duke mos arritur të mbërrijë në 1/8 e finales se Kupës së Botës. Kjo sepse FIFA ka vendosur që duike nisur nga sfidat me elimin direkt dhe deri në gjysmëfinale do të përdoret një zëvendësues i topit të shkelmuar në grupe.
Topi i ri do të quhet “Telstar Mechta18” me një karakteristikë ngjyrë të kuqe në dizenjim, frymëzuar nga Rusia mikpritëse. “Macheta” në rusisht nënkupton “ëndërr” ose “ambicie” dhe është një frymëzim i mirë për 16 kombëtaret që do të tentojnë të vijojnë rrugëtimin drejt Moskës. Ky top do të përdoret deri në gjysmëfinale. Sikurse ndodh përgjithësisht, edhe në këtë rast nuk munguan polemikat përreth sferës së përdorur në këtë fazë të parë. Madje, nuk do të mungojnë as për fazën finale. Ndërkohë portierët e kanë “ngelur në klasë” topin Telstar, të etiketuar si një top të çrregullt dhe që mashtronte në trajektore, sidomos në fazën finalizuese të goditjes.
Natyrisht që organizatorët bënë hetimet e tyre dhe topi Telstar është rregullisht në fushë. Nuk ka anomali evidente për tu shënuar, gabimet kanë ardhur vendosjet e çrregullta të futbollistëve, jo aq për faj të topit të “çmendur”. Ndonëse, për të parandaluar problematika të veçanta, shumë portierë janë predispozuar aq sa kanë mundur. Në të njëjtën kohë, një tjetër ndryshim në favor të portierëve ka ardhur edhe mbi një tjetër aksesor futbollistik. Një nga shtëpitë prodhuese të dorezave të portierëve krijoi një model të ajrit vintage, të gjitha të zeza, pa tegel qepje, pa ngjitëse dhe shumë më të buta nga modelet e mëparshme tradicionale, për të rritur kapjen dhe ndjeshmërinë ndaj topit. Një lloj dorashkash që përdoren aktualisht nga dy portierët më të ndjekur të Botërorit, De Gea i Spanjës dhe Alisson i Brazilit.