PDIU dhe Shoqata Çamëria ndoqën me shqetësim deklaratën e përsëritur të Ministrit të Jashtëm Grek Kotzias, se nuk do të ketë diskutime për Çështjen Çame në tavolinën e bisedimeve Shqipëri-Greqi. Kjo mospërfshirje e çështjes Çame kërkon shpjegime dhe reagim të menjëhershëm nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Jashtme, sepse bëhet fjalë jo vetëm për një Çështje Kombëtare e me ndjeshmëri të lartë për të gjithë shqiptarët, po në veçanti për një kauzë njerëzore e cila prek qindra mijëra familje, viktima të Genocidit. Theksojmë se trajtimi i kësaj çështje është detyrim për qeverinë Shqiptare, në bazë te Rezolutës së Parlamentit të Shqipërisë për Çështjen Çame, si dhe Ligjit te Parlamentit Shqiptar te vitit 1994 i cili sanksionon datën 27 qershor, si dita e Genocidit mbi Shqiptarët e Çamërisë, datë e cila si për ironi përkon pikërisht me këtë kohë, ku po kërkohet që mbi to të vihet guri i harresës.
Ne kërkojmë që z.Bushati të plotësojë me përgjegjshmeri kushtetuese e njerëzore detyrimet e tij. Shoqata Çamëria e PDIU është e gatshme ta asistojë e të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, por deklarimi se pala greke nuk pranon bisedimet, është justifikim i pamoralshëm e tradhëti e Çështjes Kombëtare.
Ftojmë z.Kotzias, të jetë i kujdesshëm në deklarimet e tij e mos te jetë i vetkënaqur sepse Çështjen Çame, Çamët, të vrarët, Gjykatat Ndërkombëtare, por edhe gjyqin e Historisë, do ti ketë përballë gjithmonë, e duhet ta ketë fort të qartë, se jo gjithmonë do ketë përballë shtetarë servilë e të intimiduar që tjetër thonë në Tiranë, e tjetër në Athinë.
Shoqata Çamëria dhe PDIU, bën thirrje qe z.Bushati dhe z.Kotzias te zgjidhin me dialog e në frymën e fqinjësisë se mirë këtë çështje sepse ne po presim me durim, po në rast te kundërt do të përballen me reagimin tonë të ashpër e me protesta dhe me të gjitha format e revoltës së ashpër te njerëzve që kanë kaq vite që presin me shumë durim, por qe s’mund të durojnë fyerjen e tragjedisë së të parëve. Ne do ti bejmë thirrje shqiptarëve të bëhen pjesë e një proteste civile, e që në fillim të bojkotojnë produktet greke në treg dhe bankat greke si hapin e parë, por që më pas do ketë shumë forma të tjera më të ashpra e radikale. Dinjiteti ynë vlen më shumë se kaq, e protesta jonë do kalojë kufijtë e parashikimet e tradhëtarëve të kësaj Çështje. Shqiptarët do kuptojnë cilët janë patriotët e cilët janë Esadistët.