Sevilla-Roma, Jose Mourinho: E di si fitohen finalet, José Luis Mendilibar: Historia nuk gënjen

Budapesti do të presë sonte në mbrëmje finalen e madhe të Europa League. Në ‘Puskas Arena’ Sevilla dhe Roma do të përballen me njëra-tjetrën, për të bërë të tyre trofeun e dytë më të rëndësishëm për klube në Europë.

Skuadra andaluziane, një eksperte e këtij kompeticioni kërkon të fitojë për herë të 7-të trofeun, ndërsa Roma pas fitimit të Conference League vitin e shkuar, kërkon një tjetër triumf europian.

Në prag të përballjes, dolën në konferencë për shtyp trajnerët e të dyja skuadrave. Trajneri i Romës, Jose Mourinho deklaroi se ata janë përgatitur për të luajtur finale të tilla.

Jose Mourinho: Ne e meritojmë këtë finale, e meritojmë këtë rrugë pas 14 ndeshjesh. Për Sevillan, një finale europiane është bërë e zakonshme, për ne është diçka historike. Për ne ishte një rrugëtim i gjatë, ndryshe nga ai i kundërshtarit tonë që vjen nga Champions League. Tani po vjen koha, ne kemi punuar për këtë ditë. Duam të luftojmë. Sa më shumë lojtarë të përgatitur të dalin në fushë dhe të ndiejnë më pak presion. Mendoj se historia nuk luan. Në Tottenham më shkarkuan para finales në Wembley. Në Romë më dhanë mundësinë të luaj në atë të Tiranës dhe të luaj në një të dytë në Budapest.

Nga krahu tjetër tekniku i Sevillas, José Luis Mendilibar tha se në Europa League, skuadra që ai drejton është më e mira.

José Luis Mendilibar: Kur erdha unë, klubi kishte kaluar disa raunde kualifikuese. Historia nuk gënjen. Sevilla në këtë kompeticion ka qenë më e mira, ka tituj. Eliminuam dy klube të mëdha Manchester United dhe Juventus. Do ta bëjmë sërish kundër një tjetër skuadre shumë të vështirë. Me armët tona mund t’i mposhtim. Të dyja skuadrat e kanë merituar finalen, por me siguri do të jetë e vështirë për të dyja. Është hera e parë për mua, por jo për Mourinhon. Por në momente si ky, as buxheti dhe të gjitha këto nuk kanë shumë rëndësi. Gabimet paguhen në finale./Limit.al