Rrugëtimi deri në Budapest, Sevilla dhe Roma “përplasin brirët” në finalen e Europa League

“Mbretëresha” Sevilla kundër Romës së “mjeshtrit” të finaleve Mourinho.

Kjo do të jetë finalja e madhe e Europa League, që do të startoj në orën 21:00, në ‘Puskas Arena’ të Budapestit.

Skuadra andaluziane, e cila është ekspertja e Europa League, do të kërkojë të fitojë trofeun e 7-të në këtë kompeticion.

Nga ana tjetër, Roma me në krye një prej trajnerëve më të sukseshëm dhe ekspert të tilla finaleve, do të kërkojnë triumfin e dytë radhazi në një turne kontinental, pas atij të vitit të shkuar në Ligën e Konferencës.

Rrugëtimi i të dyja ekipeve, deri në Hungari nuk ka qenë aspak i lehtë për spanjollët dhe italianët, por ata ja dolën të kalonin çdo pengesë.

Sevilla e nisi këtë rrugëtim nga pjesëmarrja në Champions League. Andaluzianët u renditën në vendin e tretë të grupit G, ku bënin pjesë edhe Manchester City, Dortmund dhe Copenhagen, e duke lënë pas në renditje vetëm këta të fundit.

Në play-off-in për 1/16-at e Ligës së Europës, Sevilla kaloi holandezët e PSV, ndërsa më pas ‘likuidoi’ turqit e Fenerbahce me jo pak vështirësi.

Të besuarit e Mendilibar zhvilluan një paraqitje fantastike në çerek-finale, duke mposhtur Manchester United.

Në gjysmë-finale, Sevilla eleminoi një ‘kockë’ të fortë si Juventusi, ku në ndeshjen e dytë në ‘Ramon Sanchez Pizjuan’ u deshën 120 minuta lojë për të përcaktuar finalistin.

Nga krahu tjetër, Roma u rendit në vendin e dytë të grupit C, në Europa League, ku bënin pjesë edhe Betis, Ludogorets dhe HJK.

Në fazën me eleminim direkt, ‘verdhekuqtë’ kaluan pengesat Salzburg, Real Sociedad, Feyenoord dhe në gjysmë-finale kaluan gjermanët e Bayer Leverkusen.

Ndërkohë, në katër ndeshje ku Sevilla dhe Roma janë përballur së bashku, Sevilla ka fituar dy, Roma një dhe një sfidë është mbyllur në barazim./Limit.al