“Pablo Escobar i futbollit”, lojtari holandez akuzohet për trafikimin e mbi 1,300 kg kokainë

Pasi u arrestua në dhjetor të vitit 2020, për therrjen me thikë që i bëri kushëririt të tij, telashet me drejtësinë nuk kanë fund për Quinsy Promes.

Lojtari holandez tashmë akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sulmuesi i Spartakut të Moskës akuzohet nga Prokuroria për trafikimin e rreth 1370 kilogramëve kokainë, të zbuluar dhe kapur në vitin 2020, në portin e Antwerp-it në Belgjikë.

Sipas autoriteteve, droga ishte fshehur në një kontejner dhe ishte ndarë në dy pako, prej afërisht 650 kg dhe 713 kg secila. Nëse do të hidhej në treg, lënda narkotike do të kapte vlerën e rreth 75 milionë eurove.

Autoritetet e kishin vënë Promes në lupë prej kohësh për përfshirje në një rrjet droge dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Prokuroria holandeze bëri të ditur se ka nisur zyrtarisht procedimin penal ndaj 31-vjeçarit, për trafik ndërkombëtar të kokainës. Ai akuzohet si porositësi i dy ngarkesave me kokainë.

Ndërkohë procesi gjyqësor për plagosjen me thikë, që i bëri të afërmit të tij vijon ende. Organi i akuzës ka kërkuar 2 vite burg për futbollistin.

Promes do të dëshmojë përpara trupës gjykuese, të hënën e ardhshme./Limit.al