Parandalohet atentati në Berat, sekuestrohen armët me silenciator dhe mjetet, autorët shpallen në kërkim

Një atentat mafioz është mundur të parandalohet në Berat. Tentativa për të vrarë një person dështoi, teksa është bërë i mundur parandalimi i kësaj ngjarjeje kriminale nga uniformat blu.

Policia e Beratit bëri me dije se ka mundur të identifikojë dhe shpallur në kërkim autorët.

Bëhet fjalë për shtetasit Hamit Berisha, 55 vjeç, banues në Kosovë, Arli Shehu, 30 vjeç, banues në Korçë dhe Ermal Gora, 43 vjeç, banues në Tiranë, të cilët u shpallën në kërkim nga Policia.

Sipas Policisë, sapo morën informacione se do kryhej vrasja e një personi, ngritën pika kontrolli me shërbime grackë në disa rrugë dhe fshatra ku dyshohej se mund të kryhej kjo ngjarje kriminale.

Ndërkohë, për shkak të konfidencialitetit të hetimeve intensive që po zhvillohen për këtë rast, Drejtoria e Policisë së qarkut Berat tha se nuk mund të japin detaje të tjera mbi motivin e këtij rasti, apo mbi objektivin e synuar nga autorët.

Gjithashtu u sekuestruan 2 armë zjarri me silenciatorë, municion luftarak, motomjet, skafandra, thikë, veshje kamuflazhi, radio marrëse-dhënëse, dylbi dhe sende të tjera që do të përdoreshin për realizimin e vrasjes së një shtetasi./Limit.al