Kongresi i 47-të i UEFA-s, Ceferin e Duka rinovojnë mandatet, Presidenti i FSHF-së vendos rekord personal

Aleksander Ceferin rizgjidhet për një mandat të tretë në krye të UEFA-s. Ceferin u rikonfirmua në krye të institucionit më të rëndësishëm të futbollit në Europë, në Kongresin e 47-të të UEFA-s të mbajtur në Lisbon të Portugalisë, ku merrnin pjesë 55 shoqatat anëtare europiane.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve në Kongres, Presidenti i UEFA-s deklaroi: Tentuan të krijojnë modele të reja në kontrast me ato europiane që bazohen në meritat sportive. Meritat sportive nuk kanë çmim dhe nuk mund të blihen, ato mund të fitohen sezon pas sezoni. Në Europë nuk ka vend për kartele që kërkojnë të bëjnë sikur shpëtojnë futbollin. Ne nuk jemi budallenj dhe futbolli do të jetë përherë sporti i njerëzve dhe nuk duhet të lemë që interesi i një karteli të dominojë mbi interesin e njerëzve. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se sa i bukur është futbolli.

Ndërkohë edhe Armand Duka rizgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv Drejtues i UEFA-s. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit kandidonte për këtë pozicion, mes 11 kandidatëve për 7 vende në Komitet. Duka vendosi edhe një rekord personal, ku arriti të marrë plot 45 vota në total nga 55 të tilla dhe duke marrë kështu për herë të dytë besimin e delegatëve të shumë federatave të mëdha europiane. Ndërkohë 4 vite më parë kreu i FSHF-së mori 36 vota.
Mandati i anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është 4-vjeçar./Limit.al