Foshnja e shpëtuar nga rrënojat e tërmetit, gjen nënën pas gati dy muajsh

Fytyra e kësaj foshnje ishte një nga imazhet që mbeti në mendjen e secilit, nga tërmeti shkatërrues që ra në Turqi, më 6 shkurt.
Vogëlushja kaloi 128 orë e bllokuar nën rrënoja derisa u shpëtua nga ekipi dhe përreth dy muaj u mbajt larg nënës së saj.

Ishin me mijëra fëmijët të cilëve nuk po u gjendeshin familjet pas fatkeqësisë, por të paktën për Vetin Bagdas ky makth ka përfunduar. Ajo është rikthyer së fundmi pranë gjirit të
nënës së saj, e cila më parë ishte deklaruar e vdekur.

Ministria e Familjes dhe Shërbimeve Sociale të Turqisë ka njoftuar se Vetin Begdas tre muajsh e gjysmë u ribashkua me Yasemin Begdas të shtunën, 54 ditë pasi ajo u shpëtua nga një ndërtesë e dëmtuar në provincën e Hatay.Ajo ishte quajtur Gizem nga autoritetet mjekësore që u kujdesën për të pas shpëtimit.

Pasi nënës dhe vajzës iu bë testi i ADN-së, ishte vetë ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale që i bashkoi. Derya Yanik postoi në Twitter një video të ribashkimit të hënën, ku dyshja shihen duke u përqafuar në shtratin e spitalit në Adana, ku Yasemin Begdas po merr trajtim. Foshnja e saj u dërgua nga Ankara ku edhe ajo po merrte trajtim mjekësor.

Babai dhe dy vëllezërit e foshnjës vdiqën gjatë tërmetit, i cili vrau më shumë se 50 000 njerëz./limit.al