Forcat ruse duhet të largohen “nga e gjithë Ukraina”, ndërsa perëndimi duhet të dërgojë armë edhe në vendet tjera që kërcënohen nga Rusia, tha pak ditë më parë Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.

“Ne duhet të sigurohemi që krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe shtetet si Moldavia dhe Gjeorgjia janë të qëndrueshme dhe kanë aftësi për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre”, shtoi ajo.

Me konfliktin ne Ukrainë, dhe përpjekjet e Rusisë për destabilizim në rajonet që kërkojnë afrimin me perëndimin, Ballkani Perëndimor e ka tërhequr në mënyrë të ndjeshme së fundi vëmendjen e BE-së. Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, e theksoi gjatë vizitës zyrtare në Tiranë se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor është në interes të bllokut europian.

“Duhet, patjetër të përdorim gjithçka që kemi në dorë. Nuk mund të kemi një luftë në Evropë dhe Evropa të mos përdorë gjithë mundësitë e saj që të stabilizojë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai. Por si i janë përgjigjur vendet e rajonit pushtimit rus në Ukrainën? A kanë qenë ato të njëzëshme në reagimin e ashpër ndaj kësaj mësymjej?

Një hartë e REL tregon se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, kanë mbyllur hapësirën ajrore e kanë votuar për rezolutën e OKB-së; Kosova nuk është në OKB megjithate ka miratuar një rezolutë me të cilën ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë, Bosnje Hercegovina nuk ka mbërritur deri tek sanksionet por vetem tek mbyllja e hapësirës ajrore dhe vota për rezolutën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa Serbia është pajtuar vetëm me këtë të fundit.