Nga Adem Lushaj

Dyert e Shkollës profesionale “Tafil Kasumaj” ishin të hapura për shumë vizitorë, që të shohin nga afër punën e bërë nga nxënësit e kësaj shkolle, të emërtuar si “Panairi i praktikës profesionale”!

Drejtori dhe stafi i shkollës, iu dëshironin mirëseardhjen “mysafirëve” që ia kishin mësy hapësirave në të cilat ishin prezantuar vetëm disa nga punimet që ishin përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit e tyre! Të ndarë nëpër dhoma të mësimit, me punimet e vendosura mbi tavolina të punës, nxënësit i prezantonin të arriturat e “prodhuara” nga mendjet dhe duart e tyre! Drejtimet e këtij institucioni për arsim dhe aftësim profesional, si mekatronikë dhe hotelieri, janë të stimuluara edhe nga Ministria e Arsimit, ngase nxënësve të këtyre drejtimeve iu ndanë “bursa studimore”. Krahas këtyre drejtimeve janë edhe informatika, ekonomia, turizmi dhe infermieria, si drejtime bazuar në kërkesën e tregut për punësim.

Nxënësja e drejtimit të infermierisë, Dorentina Qufaj, së bashku me kolegët e saj, në njërën nga tavolinat demonstronte mësimet e marra në shkollë dhe në Qendrën kryesore të Mjekësisë familjare në Deçan. Ajo ka treguar se si mundohet që mësimet teorike t’i zbatoj edhe në praktikë, duke ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët. “Ato që i mësojmë në shkollë, nën përkujdesje të profesorëve dhe stafit mjekësorë, mundohemi t’i vëmë në praktikë, gjë që jemi shumë të kënaqur me këtë mënyrë të aftësimit tonë”, është shprehur Qufaj, e cila ndjehet e kënaqur me drejtimin e përzgjedhur në ofrim të shërbimeve për pacientët. Ndërsa, nxënësi Ardian Gashi, me zanatin e tij prej automekaniku, krahas mësimeve ka gjetur punë tek autoservisi“NIKI“, që ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi për aftësim profesional dhe punë praktike me “Tafil Kasumaj”. Sikurse ky biznes, marrëveshje bashkëpunimi kanë ofruar edhe bizneset tjera, sidomos ato të fushës së turizmit, si njëri nga sektorët e zhvillimit të Deçanit. Beqë Hadërgjonaj, pronar i biznesit hotelier “DIONA”, ka hapur dyert për nxënësit e kësaj fushe, që krahas punës praktike të kenë edhe vende punësimi, duke thënë se Deçani, përkatësisht bizneset hoteliere kanë nevojë për kuadro të aftësuara të kësaj fushe.

“Sikurse gjitha shkollat tjera të aftësimit profesional, edhe shkolla jonë e implementon sistemin dual të mësimit”, ka treguar drejtori i kësaj shkolle, Lanë Stojkaj, duke sqaruar se mësim dual do të thotë se krahas mësimit teorik, në bashkëpunim me bizneset dhe institucionet lokale, zhvillohet edhe mësimi praktik apo mësim në vend të punës. Stojkaj ka treguar edhe për qëllimin e organizimit të këtij panairi, i pari deri më tash, duke besuar se nuk do jetë i fundit. “Qëllimi i këtij panairi është që semimaturantët dhe familjet e tyre, të kenë mundësinë të shohin nga afër profilet dhe mundësitë praktike të cilat i ofron Shkolla “Tafil Kasumaj”, mundësi që janë përputhshmëri me tregun e punës, qoftë brenda apo jashtë vendit”, ka nënvizuar drejtori duke përmendur disa nga rezultatet e nxënësve të kësaj shkolle të cilët kanë arritur si kuadro profesionale dhe të aftësuara mirë. “Aftësimi profesional që kishin arritur nga kjo shkollë, si dhe studimet tjera të tyre, kanë dalë shumë menaxher të suksesshëm, zanatli të mirë, inxhinier të dalluar që menjëhërë edhe kanë gjetur vende tëpunës nëpër bizneset e ndryshme, por edhe vazhdim tëspecilizimeve në botën e jashtme”, ka treguar drejtori Stojkaj i cili ka përmendur disa nga emrat e sukseshëm në menaxhim tëbizneseve tashmë të njohura sic është edhe VIVA FRESH, ku ndër menaxherët kryesor është Blinera Selimi, ish nxënëse e kësaj shkolle. Siç shprehët Stojkaj, arritjet në arsimim dhe aftësim të nxënësve nuk janë vetëm të fushës së ekonomisë, turizmit apo mekanikës. Por, janë edhe të drejtimeve tjera e sidomos të drejtimit të Informatikës ku nxënësit e kësaj shkolle janë treguar ndër më të mirët në nivel kombëtar e ndërkombëtar, ku i vecon Lorik Ramosaj, Endrit Kukalaj, Beneta Avdimetaj, shumë të tjerë që kanë shënuar rezultate të larta në matematikë dhe iformatikë, duke bërë që studimet postdiplomike t’i ndjekin në shtetet më të zhvilluara të Evropës.

Panairi ishte vizituar edhe nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka përgëzuar stafin e kësaj shkolle për panairin e organizuar, që sipas tij do jetë ndihmues për semimaturantët për orientimin e tyre në vazhdim të shkollimit dhe aftësimit për jetë. Po ashtu, panairi është vizituar edhe nga drejtorët dhe nxënësit e shumtë të shkollave Deçanit, të cilët uinformuan nga afër profilet mësimore që do ndihmonin nxënësit për orientim në karrierë dhe aftësim për tregun e punës, sipas kërkesave dhe mundësive për punësim.