PRISHTINË, 4 prill/ATSH/ Vjosa Osmani sonte u votua nga Kuvendi i Kosovës për presidente të vendit dhe kështu për 5 vitet e ardhshme do të jetë në krye të shtetit të Kosovës. Më poshtë sjellim një biografi të shkurtër:

Dr. Vjosa Osmani Sadriu lindi më 17 maj 1982 në Mitrovicë, Kosovë.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës.

Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka mbaruar në Universitetin e Pittsburgh-ut në Pensilvani, SHBA.

Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare.

Në mandatet e kaluara ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.

Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit të presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.

Osmani është e martuar me Pridon Sadriun dhe ka dy vajza binjake.

/KosovaPress/r.e/