TIRANË, 4 prill/ATSH/ Kolegji Zgjedhor vendosi sot që në zgjedhjet e 25 prillit shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre në një fletë votimi me numra dhe jo me emra.

Pasi dëgjoi të gjitha palët, Kolegji vendosi që kandidatët në fletën e votimit të identifikohen me numra sikurse e kërkonte Partia Socialiste, duke rrëzuar pretendimin e PD-së, e cila kërkonte që fleta të ishte me emrat përkatës.

Trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor që shqyrtoi këtë çështje u përbë nga Gentjan Medja, Alma Kolgjoka, Manjola Xhaxho, Esmeralda Xhili dhe Asim Vokshi. Relatore e çështjes është gjyqtarja Manjola Xhaxho.

Më herët në mbledhje, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridjan Salianji kërkoi që Kolegji Zgjedhor të lërë në fuqi vendimin e KAS për fletën e votimit me numra. Sipas tij, “ky është vendimi i duhur pasi fleta e votimit me emra ka ngarkesë të madhe sikur po lexon një gazetë dhe bëhet e paqartë për votuesit”.

“Fleta me emra sjell konfuzion në votim, krijohet radhë, por problem është edhe numërimi i fletëve të votimit. Prandaj ne kërkojmë që Kolegji të lërë në fuqi vendimin e KAS. Njerëzit shkojnë për të votuar dhe jo për të lexuar gazetë, siç duket fleta e votimit me emra”, tha Salianji.

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso tha se”PD e kërkon me emra dhe se e vetmja gjë që dëshiron si ndryshim është ajo ku partitë dhe kandidatët të jenë të vendosura në formë vertikale dhe jo horizontale si vendosi Celibashi”.

Po ashtu, ai kërkoi që Bindja Demokratike të ndryshojë logon e saj pasi është e ngjashme me logon e Partisë Demokratike që e mban prej 30 vitesh.

Kaso u shpreh para trupës gjykuese të Kolegjit Zgjedhor se kjo logo e vendosur në shkallë të zvogëluar në fletën e votimit mund të ngatërrohet lehtësisht. /ATSH/ /m.m/j.p/r.e/