Kush e di ku është Lumëbardhi

Aty poshtë

Me dorë prek ujin e tij ngjyrë loti

Nga Restorant “Natyra”

Restorant që rri zgjuar

Në prehrin e Lumëbardhit

I etur pret poetin pelegrin kohe

Se, e di

Ai nuk ngopet me madhështinë e bjeshkëve

Dhe ngrihet lartë me vargun bashkë

Edhe shqipet fluturojnë me fjalën e tij

Por zhdirgjen edhe në foletë e tyre

Në pullaze kullash rrinë shtathedhur.

 

Lumëbardhi oshtinë

Sjell pranverën bashkë me poetin

E aty tek lapsi i tretur në ujë

Roje rri fjala histori

Poshtë gurëve të lumit priste

T’i zgjatet dora engjëllore e poetit

E ai nuk ngopet me freskinë e ujit

Lapsi ruan atë fjalën e artë

Rrugëtuar ndër shekuj

Të lagur me lotin e tokës

Vargu përplasë valët e Lumëbardhit

Kacafytje kohërash

Atëherë vargu ngjitet edhe më lartë

Bashkë me valët e serta

Ky është ai poeti

Që gjithmonë jetës i bën dritë…

 

(Tiranë, e shtunë, 27 mars 2021)