​Është e paktë çdo fjalë, kur është në pyetje vepra e të madhit Hasan Prishtina. Sepse ai mbetet i pazakontë, në rrethana të rënda kur kombi ynë rrezikohej me shuarje, Hasan Prishtina ishte drita, ishte zëri, ishte mendja, ishte pushka e kombit.Kombi ynë ka nxjerrë nga gjiri i tij, personalitete të kalibrit botëror, i tillë ishte Hasan Prishtina, të cilin historia e njeh si njërin nga mendjet më të ndritura, diplomat i shquar, politikan largëpamës, strateg preciz, filantrop, e mbi të gjitha atdhetar i madh.

​Kur Shqipëria lëngonte nga dhimbja dhe vuajtjet, kur xhonturqit donin me domosdo ta shypnin dhe frymën e fundit shqiptare, kur fqnijët zaptues me frymë hienash iu hodhën Shqipërisë së gjakusur, për ta bërë copë- copë, kur fati i Shqipërisë prehej nga gërshëret e Fuqive të Mëdha, që ja vulosinin mosekzistencën, dolën në skenë burra të mëdhenjë të cilët përjetësisht do i njehë historia, për veprën e tyre sublime “Shpëtimin e Shqipërisë”.

​Hasan Prishtina, ky njeri që ngriti zërin në parlamentin osman, tha se t’i mbrosh shqiptarët është detyrë që i takon civilizimit, sepse secili njeri i civilizuar do ngis zërin për tragjedinë pesë-shekullore ndaj një populli që fati kishte qenë i pamëshirë për të. Sepse shqiptarët mbrojtën civilizimin kundër barbarisë, deri në frymën e fundit duke mos njohur fjalën dorëzim.

​Hasan Prishtina thoshte para pralamentit osman, se tani shqiptarët trajtohen si skllevër, që mbi shpinën e tyre bartin peshën e gjithë barbarisë, të lodhur e të dërmuar në sytë e botës, nuk ishin më njerëz, ishin thjeshtë krijesa pa fat, të destinuara të zhdukeshin përgjithmonë.

Hasan Prishtina e cilësonte Shkupin si kryeqytet të të gjithë shqipëtarëve, ndaj kapi pushkën dhe nisi kryengritjen deri në çlirimin e tij.

​Hasan Prishtina nuk ndenji në kolltuqe edhe pse ishte politikan, por njohu torturën e burgut, prangat të cilat iuvendosën nga serbët dhe bullgarët vetëm për ta çnjerëzuar dhe ta bënin të dorëzohej. Por ai nuk ndaloi, u bë zëri më i fuqishëm ndër shqiptarë ku preku majat e diplomacisë botërore.

​Misioni i tij ishte çlirimi njëherë e përgjithmonë nga zgjedha osmano- sllave, mision të cilit nuk iu nda asnjëherë deri në çastin që mbylli sytë përgjithmonë nga dora e tradhtisë.

​Atdhetari i madh Hasan Prishtina lindi me 27 prill të vitit 1873, në qytetin e Vushtrrisë, rrjedhë nga një familje e shquar dhe fisnike nga Polaci i Drenicës, e cila e frymëzoi Hasan Prishtinën me dashurinë për atdheun.Qysh në fëmijëri Hasan Prishtina ishte i veçantë,duke treguar aftësi të jashtëzakonshme të cilat ia hapën rrugën e dijes. Filloi mësimet në vendin e lindjes,për të vazhduar më pas në gjimnazin frëng në Selanik.Nuk mbaroi me kaq dhe mori rrugën për në Stamboll për të studiuar drejtësi në Universitetin e Stambollit.

​Por dashuria për Shqipërinë e shtyu që pas përfundimit të studimeve të kthehet në Shkup, për të nisur misionin e tij patriotik dhe frymëzues për popullin e tij të shtypur.Veproi me klubin “Bashkimi” dhe hodhi idenë e tij në opinion se gjuha shqipe duhej të shkruhej me alfabetin latin, për shkak se këto shkronja ishin më afër origjinës së shqipes.

​Si politikan i shquar që ishte, u zgjodh dy herë deputet në parlamentin osman si përfaqësues i Prishtinës për Vilajetin e Kosovës. Hasan Prishtina në mandatet e tij si deputet,u bë zë i fuqishëm për çështjen shqiptare. Vuajtjet e popullit shqiptar dhe lufta e tij për liri,për Hasan Prishtinën ishin objektivat kyçe të cilat i mbronte në kuvendin e Stambollit.

​Pasi që humbi pozitën e deputetit më 1912,ishte lagjia Taksim e Stambollit, ku Hasan Prishtina fillon veprimtarinë e tij ilegale, me patriotë dhe intelektualë të asaj kohe për të vendosur fatin e Shqipërisë së përgjakur. Aty merret vendim të organizohet një Kryengritje e Përgjithshme e Armatosur në Shqipëri. Nisma e tij mori dhenë dhe u përhap në përmasa popullore, pasi që populli shqiptar ishte lodhur nga sundimi i regjimit xhonturk.Me 5 maj -18 gusht kryengritësit shqiptarë me në krye Hasan Prishtinën e liruan Vilajetin e Kosovës dhe zunë Shkupin.Kjo kryengritje e udhëhequr nga Prishtina, bëri që autoritetet osmane të dorëzohen para revoltës shqiptare, duke pranuar kështu 12 nga 14 pikat e parashtruara nga paria e kryengritjes. Ky ishte hapi i parë për njohjen e autonomisë së Vilajetit Shqiptar.

​Në Luftën e Parë Ballkanike, Hasan Prishtina arrestohet nga forcat serbe dhe përfundon në burgun e Kalemagdanit në Beograd. Me urdhërin e qeverive të Austro- Hungarisë, Anglisë dhe Italisë lirohet.

​“Fillon karrierën politike në Shqipëri pas Konferencës së Londrës me 1913, ku ngarkohet me postin e Ministrit të Bujqësisë dhe të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Ismail Qemalit. Në nëntor të po atij viti iu bashkua Esad pashë Toptanit. Emërohet ministër në kabinetin e Turhan pashë Përmetit në kohën e Princ Vidit”

​Lufta e Parë Botërore e gjenë Kosovën në flakë, Hasan Prishtina nuk rri duarkryq dhe niset për në Kosovë, ku organizon një grup vullnetarësh përkrah trupave austro-hungareze.

​Ky guxim dhe largpamësi e tij çmohet nga Austro- Hungaria ku merrë “ urdhërin austro-hungarez të Franc-Jozefit, me shenjat e oficerit të madh (Gross-Offizier). Kishte marrëdhënie të ngushta me Ballplatz-in për çështjen e Shqipërisë.”

​Për Hasan Prishtinën, veç Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e atdheut i rëndësishëm ishte edhe edukimi i brezave të rinjë. Ai e shihte edukimin si rrugëtim drejtë lirisë, sepse vetëm një komb i edukuar do arrinte njëherë e përgjithmonë të shlirohej nga pushtuesit e zymtë të cilët, bënin eksperimente me koka shqiptarësh.

​Hasan Prishtina, kishe shkolluar qindra studentë me parat e veta, vetëm që ata të ishin njejtë si të rinjët e botës së civilizuar që dinin shkrim e lexim. Prapë burgoset nga forcat bullgare me 1917, ku më pas arratiset dhe e lëndon këmben rënde duke ikur nga dritarja e qelisë.

​Me 1918, Kosova pushtohet nga forvat serbe. Hasan Prishtina largohet për në Vienë, qëllimi i tij ishte që ta ngriste çështjen e shqiptarëve të Kosovës në qarqet më të larta diplomatike evropiane dhe zëri i tij shkoi deri në Amerikën e largët, ku i shkroi telegram presidentit amerikan Wilson, për padrejtësitë dhe gjenocidin në të cilin po kalonte populli shqiptar.”U emërua në krye të dërgatës së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin e viseve shqiptare të ish-Vilajetit të Kosovës me shtetin shqiptar”

​Në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të po atij viti pas një grusht shteti me Mustafa Krujën, Q. Koculin e Prishtinës shkaktuan dorëheqjen e qeverisë Evangjeli.

​Pas qeverisë gjashtëorëshe të Koculit, emërohet kryetar i një qeverie që zgjati pesë ditë, pas dështimit të revolucionit të 1924-ës u largua jashtë atdheut. Pretendohet se kundrejt Prishtinës janë ndërmarrë katër herë përpjekje për t’i bërë atentat. Vritet pabesisht me 13 gushtit të vitit 1933, në Selanik nga Ibrahim Çelo.

​Vrasja e Hasan Prishtinës trondit opinionin e asaj kohe. Një njeri i madh që i dha gjithëçka atdheut, duke shkrirë rininë, pasurinë dhe jetën për çështjen shqiptare, që u bë frymëzim për brezat e ardhshëm e që asnjë moment nuk iu nda kauzës së tij deri në frymën e fundit, meriton respektin e çdo shqiptari.

​Është e paktë çdo fjalë, kur është në pyetje vepra e të madhit Hasan Prishtina. Sepse ai mbetet i pazakontë, në rrethana të rënda kur kombi ynë rrezikohej me shuarje, Hasan Prishtina ishte drita, ishte zëri, ishte mendja, ishte pushka e kombit.

​Vepra e Hasan Prishtinës mbeti frymëzim për brezat e ri, të cilët lindën në Kosovën e okupuar dhe të përgjakur nga regjimi serb. Shekulli i XX ra si një vello e zezë mbi Kosovën. Vuajtje, gjenocid e dhimbje pafund përjetoi ky popull, ku vit pas viti e dakadë pas dekade shqiptarët detyroheshin me dhunë të shpërnguleshin nga atdheu. Në vitet e 90’ kur Kosova lëngonte nga gjaku, dhe torturat, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve, me intelektualë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës, themeloi lëvizjen për pengimin e shpërnguljeve me emrin “Hasan Prishtina”.Pas më shumë se 700 tubimeve nëpër të gjitha fshatrat e Kosovës u arrit që të pengohet shpërngulja masive e ideuar nga Akademia Serbe.

​Edhe pse nën masa të rrepta, nga regjimi serb, kur u mbyllën të gjitha institucionet në Kosovë, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve, e vazhdoi punën, në vitin 97’ e themeloi çmimin “Hasan Prishtina”, që së pari iu nda Nënës Shqiptare e cila kishte lindur 16 fëmijë, e të cilët të gjithë qëndruan në Kosovë, pavarësisht rrethanave të vështira për jetesë.

​Më pas çmimi “Hasan Prishtina” iu nda shumicës së figurave kyçe të politikës dhe diplomacisë botërore të cilët ndikuan në çlirimin e Kosovës me 99’.

​Veç çmimit “Hasan Prishtina” lindi edhe iniciativa për ngritjen e shtatores së Hasan Prishtinës tek rrethi i flamurit në Prishtinë, nga ku ishte nisur Hasan Prishtina për çlirimin e Shkupit, dhe rikthimin e eshtrave të tij nga Kukësi në Prishtinë, por kjo iniciativë u pengua me mosdhënien e lejes nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në krye me Isa Mustafën, me arsyetimin se një shtatore e Hasan Prishtinës ekziston në oborrin e rektoratit të Universitetit të Hasan Prishtinës.Kjo shtatore nuk mund të vizitohet nga qytetarët pasi është brenda rrethojave të rektoratit.

​Poashtu iniciativa për shtatore në atë kohë u mbështet nga ish- kryeministri Hashim Thaqi me të vetmen kërkesë që të përmbushen procedurat ligjore (leja nga Komuna e Prishtinës).

Sidoqoftë me gjithë neglizhencën dhe hudhjen poshtë të iniciativës, figura e Hasan Prishtinës mbetet e përjetshme në historinë shqiptare, vepra e tij jetësohet me pavarësinë e Kosovës dhe do merrë kuptim të plotë kur të realizohen të drejtat e gjithë shqiptarëve në Ballkan.