NJËZETENJË DHJETOR….

Ikën me vrap, shpejtë, shumë shpejtë

Ditët, javët, muajt ,iki dhe viti

Pas nesh mbeti zbrazësia e hapësirës së nëmur

Vdekja e  fshehur  heshtë, pret kafshimin tinëzarë

Dhimbjeve të skajuara qosheve të kullës

Diç po kallet brena, po tymon hapësira

Dashuri e mbetur peng në vargje të shurdhëta

Vetëm tingëllimat e ngushëllimeve të largëta

Depërtojnë fyshtës së telave të telefonit

Lotët, (si) hingëllimë malli ujisin rrudhat e thella

Mbështjellë me frazave poetike, epsh kujtimesh…

Eee! Sa larg rrahë  zemra e poetit të përlotur….

Sa shumë thumbime përjetoi rrathëve të ferrit

Duke rrëmihur tokën deri te ashti i tretur

Në gurin e burimit lotëve

Duke pritur hurbin e afshët  të rrezeve të diellit

Pas një viti do kujtoj këto vargje të vona

Si sumbulla të tymosura n’erë

Do shkruaj një tjetër këngë……

Një tjetër melos, me ngjyrë shkrumbi.

 

DËSHIRIRA TË LODHURA

Pata dëshirë, shumë dëshirova

Të fluturoj lartësive, kah shikojnë sytë

Sy të  mbuluar me vragë kohe ,bojë qielli

Nga djersë të njelmëta ,lëkurë e  kripësuar

As pleqëria s’mund të më ndalë hapin

Këmbët le të ecin pas dëshirave të shkrifëta

Le ta çmendin ashtin që pikset nga dhimbët

Mjaft në ngujim nga virusi i djallëzuar

Janë lodhur dëshirat nga pritë të zëna

Motet gati po ndërrohen cicërimave  pazëshëm

Vajtimet nuk përkunden  si gëzimet gjithmonë

Në gotë të verës do i ngujoj të gjitha vuajtjet…

Do i hedhë përtej shtat bjeshkëve bleroshe

Do këndoj me zë deri në kupë të qiellit

Dua të çmend gjithë lagjen time

Kështu dëshiron shpirti kur humbë në dashuri

Dhimbjet   ngatërrohen rrugëtime  të ylberta

Dikush lexon thellësinë e gjurmëve  të djegura

Mbetur rreshkave të buzëve si hi i tretur

Pas zjarreve të gjata

Shpirti mbetët  sërish i trazuar….

 

 PSHËRETIMË NATE

 

Dëgjoja fishkëllimë jashtë dhome, natën

Gjumi ishte çmendur kujtimeve, frikësuar

Nuk di a mos ishte përvëluar gëzimeve të rreme

Më vinin pamje të ngjyrosura, si në ankth

Regëtin bebëzave të syve

Në një anije shëtisja dallgëve të detit

Gjëmonte në thellësi i gjori det, si zemra ime

Stuhitë  kishin krijuar tmerrin

Psherëtimat  kërkonin ankorim

Në skelën e durimit, në trarët e shpirtit

Tmerrin po e zë gjumi i mërdhirë

Derisa valët  e valëta merrnin arratinë…

Psherëtimë i quajta këto vargje

Pa emër mbetët zjarri që nuk  e kall detin…