Kushtim mikut tim, Adem LUSHAJ

1.
Të kam njoftë pa të pa asnji ditë.
Tuj ta ndie Zanin për Deçan e për Komb.
U takuem disa herë në kafe e me telefon, o shoq,
Po ta them nji fjalë të pa thanun deri më sot:
Më ka nderue emri e mbiemri jot.
I nderuar qofsh përjetë, çdo motmot!

Mos t’u thaftë loti
Për shkretimin ujor të Lumabardhit të Deçanit.

Mos t’u shterrtë zani piskamë
Për ligësitë antishqiptare të Manastirit të Deçanit.

Mos t’u ndaltë hapi njerëzor e atdhetar
Për krenaritë e lartësitë e Deçanit.

Fort mirë e di:
Shtatë shqisat e tua,
Indet e trupit tand shqiptar,
Të rrahurat e zemres dhe përtej krahërorit,
Janë për shtatë pjesët shqiptare ballkanike të Kombit

2.
Adem Lushaj unë ta ditë emrin e mbiemrin tand.
Ti je dhe Deçan.
Deçanit i rrinë trojenik.
Me Deçanin je rritë.
Deçani është Fjala, Zëri, Hapi yt.

3.
Deçani është i madh
Sa Historia, Lavdia, Krenaria, Bukuria…Mrekullia.
Me lisa kombëtar me namë, emna plot me dritë…
Po Deçanit i duhet dhe zëri, lapsi, hapi yt.
I duhesh për një Ditë.
I duhesh një Fjalë.
I duhesh Përjetë.
I duhesh i tillë: Adem Lushaj i vërtetë.

4.
Adem Lushaj nuk të kam as në gene brezash,
As në truall, as në lidhje gjaku në vllazni,
Po 7 herë të kam e të paça kushëri në Shqiptari:
Edhe në Deçan e Kosovë,
Edhe në Tropojë e Shqipëri,
Edhe në trojet tona etnike në Malin e Zi,
Edhe në Maqedoninë e Veriut,
Edhe në Sanxhak e Luginën e Preshevës,
Edhe në Çamëri.
E paç zërin sa një Deçan.
Për Lumabardh, për Manastir,
Për rrugën për në Plavë,
Për vrri e bjeshkë…për lule e gurë…
Për çdo dhimbje e bukuri në Deçan,
Për çdo padrejtësi e lartësi në Deçan.

E paç zërin sa një Deçan:
Në çdo ditë jete të hapit e zërit për Kombin Tand

Ramiz LUSHAJ
Tiranë, Dhjetor, 2020