Në tremujorin e parë 2026, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në territorin e Shqipërisë ishte 1.068.251, raportoi INSTAT.

Ndër to, autoveturat përbëjnë 80,7% të mjeteve gjithsej, të ndjekura nga motorët me 6,2% dhe automjetet për transport të përzier me 5,8%.

Tirana zë peshën më të madhe me 34,7% të mjeteve gjithsej, ndjekur nga Durrësi me 13,6%. Ndërkohë, Gjirokastra dhe Kukësi kanë numrin më të ulët të mjeteve, përkatësisht me 2,1% dhe 2,4%.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 22.092 mjete, nga të cilat 80,0% ishin autovetura.

Sërish, qarku i Tiranës udhëheq me 42,3% të regjistrimeve të reja.

Ndryshimet, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025:

  • Numri total i mjeteve është rritur me 9,3%.
  • Regjistrimet e reja kanë shënuar rritje prej 8,7%.

Në mjetet e regjistruara për herë të parë, Volkswagen mban vendin e parë me 16,0%, e ndjekur nga Mercedes Benz me 15,2%.

Të dhënat e tjera të mëparshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), bënë të ditur se në vend janë shtuar në rrugë gjithsej rreth 22 mjete të reja, pjesa më e madhe  të cilave autovetura, me një rritje prej 8.4% me bazë vjetore. 87% e këtyre makinave që u regjistruan për herë të parë ishin me naftë, benzinë, apo gaz.

Edhe tremujori i parë ka shënuar nivelin më të lartë të regjistrimeve të makinave në histori.

Numri i mjeteve aktive, që qarkullojnë në rrugët e vendit arriti në fund të marsit në gati 1.07 milionë, nga të cilat rreth 860 mijë janë autovetura.