Nuk e shoh veten përtej xhamave të dritares time
As ty nuk të shoh në udhën nga kalon bota

Sa do te zgjasë vdekja
Kur do të skadojë, kur do të soset
Kur do të vdesë vdekja unë nuk e di

Na ka futë në karantinë dhe dalëngadalë
Po harrojme zakonet e mira e të liga
Dashurinë – antivdekjen –
E kemi braktisur nga frika

Nga këtu ku jam e sodis mungesën time në botë
Shoh dorën tënde zgjatur drejt meje por unë askund s’jam
Shoh sytë e tu bosh pa mua trishtojnë

A është a s’është udhë ajo udhë nga rend fati
Ku kemi shkruar gjurmët tona, hijet
Ku jemi fotografuar nga toka e lulet
Që kanë dëgjuar fjalët e mia dhe të qeshurën tënde
Nga këtu ku jam deri atje ku nuk e di ku je
Po mbush Arkën time të Noes me veten të vij tek ti
Se ende dua të jetoj ëndrrat me ty

Unë nuk e di kur do të vdesë vdekja
Veç di se atje përtej dritares tek udha e botës
Nga shkojnë fatet, nuk e shoh veten me ty
Aty tek lule delet tek livadhi në stom të udhës
Nuk jam me ty aty me dorën tënde në dorë
Nuk e shoh veten as ty
Si dikur kur prisja të mbaronte shfaqja
E ta mbaja dorën në dorë
Nuk jam me ty, nuk e ndjej dorën tënde në fytyrë
Të më mbështjellë me kujdesin tënd
Nuk dëgjoj të më thuash “ke shtatë orë këtu…”
Ndërsa të rrëmbej puthje që zgjat jetë
Nuk vallëzoj me ty
O zot ëndrra më e bukur të vallëzoj me ty
Kur ti vesh fustanin e kuq
Ose atë fustanin e bardhë
Ose fustanin e zi
Ose fustanin e bardhë me bluzën e zezë

Nga këtu ku jam
Shoh se nuk jam me ty matanë dritares time
Dhe nuk e di ku jam dhe nuk di ku je
Vec degjoj të numërojnë kufoma si thasë mielli në një magazinë
Apelet e vdekjes janë ndër më të rëndat e të ftohtat këto kohë
Nuk ka plumba, nuk dëgjohen shpërthime bombash
Veç lajmet që lajmërojnë ftohtë vdekjet
Përtej dritares time mortarë të rrallë shkojnë e vijnë
Nga mortat ku nuk lejohen të marrin pjesë mortarë
Mortarë heroj që guxojnë të shkojnë në vdekjen e tjetrit
kur shumëkush varroset pa fëmijët a prindërit pranë

Ndoshta do t’ia dalim
Të shtrihemi në breg në rërë aty ku vala na heq rërën nën këmbë
Për të na treguar se sa rëndësi kanë themelet e jetës

E ndjej,
Nëse do mbetemi gjallë
Do të duhemi më shumë, do të duhemi nuk do të themi të duhemi
Do të qeshim si njerëz që prekëm fundin dhe u ngritëm,
Dolëm mbi ujë falë fatit
Si njerëz që e pamë vdekjen tek na merrte të dashurit dhe vetem qamë
Qamë dhe asgjë nuk bëmë
Asgjë nuk bëmë.

Dua të jetoj, ende dua të jetoj