Babë Ferizi gjatë gjithë jetës së tij ndoqi vetëm një zë që i thërriste nga e kaluara e lavdishme. Ai ndoqi zërin e Hasan Prishtinës dhe e shndërroi në simfoni lirie, kurse neve pasardhësve na mbetet të shijojmë gurgullimën e tingujve që formojnë kryeveprën e quajtur Hasanizëm, për të cilën ai na foli me netë të tëra pranë oxhakut të vatrës në Polacin tonë të lavdishëm

Nga Mehmet PRISHTINA

Prilli i ftoft i vitit 1999 na e sjell në kujtesë shiritin e një kohe që u shkëput për një moment nga breshëria e plumbave të armikut. Por Kosova nuk u gjunjëzia asnjëherë nga krismat hileqare të hasmi karpatian, kurse Drenica jonë epike edhe sot e ruan në gji amanetin e atyre që flijuan jetën për të jetuar sot të shtrenjtën  lirë.
Një amanet lirie edhe unë sot e ruaj me krenari, sa herë që vjen 5 prilli, i cili ma kujton babain, Ferizin, kreshnikun e familjes së madhe Aliuka në Polac të Drencisë. Ai, bashkë me vëllain Idrizin, dhe dy kusherinjtë Enverin e Abdylin, në luginën e Bodolit u rrethuan nga barbarët serbë në një muzg të ftoftë prilli dhe pas luftës heroike disa orëshe ranë në altarin e lirisë katër Aliukajt dhe nëntë të tjerë që kishin ardhur për t’u strehuar në agjen e Feriz Aliukajt.
Sot kam shumë mallë për babë Ferizin. Ai më mungon jo vetëm si prani fizike, por edhe si frymë, edhe si zë  burri në një odë të Drenicës ku e kaluara e lavdishme me të ardhmen bëhen bashkë dikund në një pikë, aty ku edhe vazhdon rrugëtimi im si porosi vizionare nga babë Ferizi për të shkuar gjurmëve të kolosit Hasan Prishtina.
Heronjtë lindin, ata nuk bëhen me komandë. Babë Ferizi gjatë gjithë jetës së tij ndoqi vetëm një zë që i thërriste nga e kaluara e lavdishme. Ai ndoqi zërin e Hasan Prishtinës dhe e shndërroi në simfoni lirie, kurse neve pasardhësve na mbetet të shijojmë gurgullimën e tingujve që formojnë kryeveprën e quajtur Hasanizëm, për të cilën ai na foli me netë të tëra pranë oxhakut të vatrës në Polacin tonë të lavdishëm.
Edhe pas 21 viteve, flijimi i Babë Ferizit na është shndërru në sy për ta pa më pastër mëngjesin e lirisë duke dalur papengueshëm mbi kodrat e blerta të Kosovës sonë të dashur.
Flijimi i tij na është bërë tik-taku i zemrave të zhuritura të qindra e mijëra prindërve që ia falën Kosovës bijtë e tyre mu në lulen e rinisë.
Ai e kapërceu vijën e kuqe të mosdorëzimit, për të na dhuruar një liri pa vija e pa korniza, sepse ai kështu e deshti atdheun: të mbushur me shpresën e djalërisë shqiptare për një të ardhme çfarë do ta dëshironte edhe kolosi ynë Hasan Prishtina.

Tani kur po evokoj 21 vjetorin e shndërrimit të tij në motiv pavdekësie, seç më tërhoqi një faqe libri me një titull sugjestiv ‘Bllaca, dhumbje e lirisë’ i publicistit dhe shkrimtrait Emin AZEMI, botuar nga ITKSH në Shkup. Në atë faqe gjeta një kronikë gazete (FAKTI, 5 prill 1999), që përshkruante ngjarjen në Luginën e Bogdolit, ku babai im ishte vra gjatë një përleshje me forcat armike, bashkë me 12 të tjerë.
Fatin e ngjajshem e ndajm shumë nga ne në Kosovë por besoj per secilin prej nesh vrasja e prindit në menyrë mizore ështe një rast i veçant!

Tani kur po jetojmë në një prill tjetër, jo edhe pa sfida e kontradikta, do të doja të gjithë ne së bashku të ndalemi dhe të mendojmë për një cast për ata që flijuan jetën për Kosovën tonë të bukur. Të mendojmë se si do të dukej e sotmja jonë pa sakrificën e të dashiurve tanë. Të mendojmë se asnjë prej nesh që sot vuajmë mungesën fizike të të dashurve tanë, nuk e kemi merituar statusin e të qenit rob modern të një shoqërie kaotike me politikanë të papërgjegjshëm.

Lavdi dëshmorëve!

 

Prishtin. 5 prill 2020.