Perlatajt lidhen me vendbanimin Perlat të Kthellës. Në një dokument të vitit 1402 botuar në “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, Vol II”, përmenden Pal dhe Tanush Dukagjini-Perlati nga familja e Dukagjinëve. Pavarësisht se krijuan emër të madh, Perlatajt e ruajtën mbiemrin Dukagjini si tregues vijimësie të origjinës së tyre fisnike. Siç ndodh me familjet e mëdha, ata e shtuan mbiemrin Përlati, për të treguar identitetin e tyre të ri si Dukagjinë të Kthellës. Nga gjiri i kësaj familje kanë dalë kanë dal disa personalitete, diplomatë dhe udhëheqës të shquar të kryengritjeve antiosmane si Pjetër, Ndre, Pal, Gjon dhe Tanush Përlati, ku padyshim më i shquari ishte Pjetër Perlati.
Pjetri në dokumente del si kushëri i Kastriotëve dhe Abat i Manastirit të Shën Llezhdërit. Në korrik të vitit 1439, ai qe dërguar prej Skënderbeut dhe nënës së tij në Raguzë për të përmbyllur detyrimet financiare që tregtarët raguzianë të drithit kishin ndaj Gjon Kastriotit, i cili kishte vdekur. Ai qe vënë në shërbim të Skënderbeut dhe kreu për llogari të tij disa misione diplomatike. Në vitin 1445 ishte përfaqësues i Skënderbeut te papa Eugjeni i IV, bashke me generalin tjetër Pal Kuka. Në dhjetor të vitit 1447 Abati Pjetër qe dërguar si përfaqësues i Skënderbeut pranë Mbretit të Napolit, Alfonsit V.
Pjetër Perlati del në dokumente dhe si Pjetër Duka. Në kryqin e argjendit që Pal Dukagjini ia dhuroi Abacisë së Shën Llezhdrit në Orosh, sipas një studimi të botuar në revistën “Leka”, kishte një mbishkrim latino-bizantin: “1447 a di 7 agusto, questa crosi fecie fare Sinor Polo Duchagin in tempo di predetto signor e di Piro Ducha, e mi Niksa Adamovic” (1447, me 7 gusht, këtë kryq e urdhnoi të bahet zotni Pal Dukagjini në kohë të të sipërthanunit zotni e të Pjetër Dukës, e unë Niksa Adamoviç e bana). Po kështu, në një dokument tjetër që mban datën 29 tetor të vitit 1463 Skënderbeu në prani të Pal Engjëllit, Kryepeshkop i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut, të Pjetër Dukës Abati i manastirit të Shën Lleshit (Aleksandrit) të Arbërisë, të Abatit Vlash Prior në Kuvendin dominikan të Shkodrës orator dhe Nunc Apostolik në Shqipëri, si dhe në prani të dëshmitarëve të tjerë, të mbledhur në Shën Mërinë e Rodonit, e ngarkoi Martin Muzakën, si ambasador të posaçëm, për ta përfaqësuar atë pranë Papës dhe Kolegjit të Kardinalëve të mbledhur në Konçistor, për të trajtuar çdo çështje që kishte të bënte me kryqëzatën antiosmane.
Mbiemrin Duka është trashëguar ndër breza dhe ruhet sot si emër fisi dhe si mbiemër në Perlat.
Pjetër Perlati ka mbetur në histori dhe si udhëheqës i ushtrisë arbëre që mbrojti nga brenda kështjellën e Sfetigradit. Në qershor të vitit 1448, një ushtri e madhe osmane e komanduar nga Sulltan Murati II së bashku me të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II, i cili më pas do të bëhej sulltan u përqëndrua mbi kështjellën e Sfetigradit, si baza kryesore në sistemin mbrojtës të brezit lindor. Garnizoni i ushtrisë arbëre i komanduar nga Pjetër Perlati e hodhi poshtë kërkesën për dorëzim pa luftë dhe e mbajti me heroizëm kështjellën, duke thyer të gjitha sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane. Skënderbeu godiste pa ndërprerje ushtrinë me sulme të befasishme dhe arriti të hynte deri në kampin e ushtrisë osmane. Kjo e lehtësoi detyrën e mbrojtësve të kështjellës. Garnizoni rezistoi deri sa osmanët arritën të zbulonin e të prishnin kanalin e furnizimit me ujë të pijshëm. Pas bisedimeve me sulltanin, Pjetër Perlati e dorëzoi kështjellën, me kusht që ushtria arbëre të largohej e lirë bashkë me armët e vetad eh abshkë em të rrethuarit e kalasë së Shkodrës përbëjnë dy rastet e vetme, ku turqit nuk i kishin masakruar të rrethuarit pas daljes nga kalatë e tyre.