Nuk mund të bindem as të mësohem
se të shkruash poezi është njëlloj si të bësh shurrën.

Nuk mund të bindem as të mësohem
se të bësh poezi është njëlloj si të bësh seks
pa dëshirë me një grua që s’e njeh dashurinë
s’e gjen kurrë e vuan snobizmin.

Nuk mund të bindem as të besoj
se të bësh poezi është si të rrjeshtosh në pe
fjalë deshpërimi që të shkakton shpërfillja
a vetmia se s’duron askush të të rrijë pranë.

Nuk mund të bindem se poezia është lëmoshë
apo varëse floriri në qafën e paputhur
a vëth në veshin që ka harruar përshpëritjet e ngrohta.

Nuk mund të bindem e të mësohem
se vargjet që dalin si diarre helmimi
janë poezi moderne që s’i kuptojnë injorantët.

Nuk besoj se nxjerr poezi sa herë bën kakën
Sa herë shtiresh se je i dashuruar
Sa herë vesh kostumin e Don Kishotit
A sa herë Safos ia bën me sy.

Besoj se poezi është kur varros veten në vete
Kur sheh të rrëzohen gjethet e ëndrrave
Dhe nuk arrin t’i prekësh me dorë.

Poezi është heshtja që digjet e s’flet
Heshtja që s’i shihen flakët.