E keni natën e parafundit mbi dhe, u thanë,
E Zoti ka zbritë në tokë , ta bëjë me ju darkën e kujtesës

Mësynë njerëzit e pangimë
Të marrë gjithkush pjesën e vet të zotit

Dikush i mori dorën,
Këmbën dikush tjetër,
Veshin, sytë,hundën, ia morën si në jerm,
Dikush u mjaftua me një qime të shenjtë

Ata që mbetën pa gjë
Të çaraveshur iu turrën fatlumëve me copa zoti në duar,
Dhe ndodhi ploja e gjaktë e natës së parafundit

Në sheshet e hatasë ,sapo ra hëna
Ujkonjat zbritën prej mali e gulshonin mbi gjakun e njerëzve
Që asaj nate në mes të dy jetëve
Mbetën pa asnjërën jetë,
Veç me zotin e shqyer në duart e ngrira

Kush do t’i priste në jetën e përtejme ?!…