Luka Modric shpallet futbollisti më i mirë për sezonin 2017/18

Luka Modric është zgjedhur si futbollisti më i mirë në Kupat e Europës, për sezonin 2017/18, nga UEFA.

Qeveria e futbollit europian vlerësoi kroatin, tre herë radhazi fitues i Champions League dhe finalist i Kupës së Botës 2018, si lojtarin më të mirë, gjatë ceremonisë së hedhjes së shortit të fazës me grupe të Ligës së Kampioneve në Montekarlo.

Pas Modric u renditën, Cristiano Ronaldo dhe Mohamed Salah.

Renditja e dhjetë të parëve kompletohet me Antoine Griezmann, Lionel Messi, Kylian Mbappé, Kevin De Bruyne, Raphaël Varane, Eden Hazard dhe Sergio Ramos.

Kjo është hera e parë që Modric merr një vlerësim të tillë, ndërsa ai u zgjodh edhe futbollisti më i mirë në “Rusi 2018”.

Për këtë çmim votuan 32 trajnerët që morën pjesë në fazën me grupe të Champions, 48 trajnerët pjesëmarrës në Europa League dhe 55 gazetarë, një nga secili vend anëtar i UEFA-s.