Cristiano Ronaldo imazhi i “Juventus TV”, kanalit të ri zyrtar dedikuar klubit bardhezi

“Mbyll sytë dhe ëndërro golin tënd të parë në Allianz Stadium”. Kërkesa që të gjithë ëndërrojnë t’i bëjnë Cristiano Ronaldos është në fakt edhe pikënisja e një fushate të re marketingu të “Juventus TV”, kanalit të ri zyrtar dedikuar klubit bardhezi.

Klubi torinez ka vendosur të rinovohet për sezonin e ri, duke braktisur në këtë mënyrë versionin “Pay TV” për të sjellë një platformë të re “on demand”, të ngjashëm me “Netflix”-in. Në të do të jetë e mundur për të gjithë tifozët bardhezinj të shohin çastet më pikante të ndeshjeve (highlights), intervistat dhe konferencat për shtyp të skuadrës së drejtuar nga Max Allegri.

“Jam i lumtur, ëndërroja të luaja te Juventusi që kur isha fëmijë. Tashmë jam këtu dhe gjithçka duket perfekte. Jam gati dhe i përgatitur për të fituar trofe”.

Këto janë fjalët e para të shprehura nga ish-ylli i Realit të Madridit në kanalin e ri zyrtar të bardhezinjve.

Debutimi i tij me Juventusin do të jetë në Villar Perosa, ku do të pritet me ankth e pasion nga fansat e tij të rinj.

“Dua të falënderoj tifozët që më kanë pritur në një mënyrë fantastike – është shprehur CR7. – Ky është një nga klubet më të rëndësishme në botë, më i rëndësishmi në Itali, ndaj jam i lumtur që jam këtu. Ishte një zgjedhje e lehtë, pasi është një klub i pabesueshëm”.

Për shumëkënd, tratativa me bardhezinjtë ka nisur pikërisht pas duartrokitjeve të dhëna për yllin portugez, pas golit me roveshatë në “Allianz Stadium” në çerekfinalet e Championsit të edicionit të kaluar.

“Ishte një gol i pabesueshëm, por edhe një reagim i pabesueshëm. Nuk më kishte ndodhur kurrë diçka e tillë. Ishte një ndjenjë e bukur. Në fillim u surprizova, por nga ai moment, Juventusi më pëlqeu gjithnjë e më shumë. Nuk besoj se ishte vendimtar për transferimin tim, nuk ishte as elementi që nxiti këtë transferim, por kuptova se këtu e pëlqejnë Cristianon, ndaj u ndieva mirë. Serie A? Shpresoj të përshtatem sa më shpejt, por nuk jam i shqetësuar. Për mua është një sfidë e re dhe unë i adhuroj sfidat”.