7 mijë raste me tumor në vit, të rinjtë më të prekurit/ Zonat më problematike në Shqipëri janë Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare, veçanërisht ato me Kosovën

ISHP publikon hartën e zonave më problematike

Sëmundjet tumorale prekin çdo vit 7 mijë persona në Shqipëri. Mjekët onkologë thonë se sëmundja po shënon rritje progresive veçanërisht në moshat e reja, të cilat përbejnë thuajse gjysmën e pacientëve.

Kanceri i mushkërive mbetet më i përhapuri. Vetëm në spitalin onkologjik përgjatë 2017 janë regjistruar 450 raste.

Duhani nuk konsiderohet si shkaktari i vetëm i sëmundjes.

Mjekët pohojnë se shumë raste të reja sëfundmi janë diagnostikuar në pacientë jo-duhanpirës dhe në moshë të re.

Specialistët i shohin shkaqet tek ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore.

Rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare, veçanërisht ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.
Në analizën e bërë nga Instituti i Shëndetit Publik, del në pah se prevalenca për të sëmurët me tumor nga viti 2002 deri në 2014 është rritur me mbi 70%.

15% e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7% i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22% janë të moshës 55-64 vjeç.

Ekspertet e shëndetësisë janë të mendimit se në vendin tonë, kanceri mund të mbahet në nivele të ulëta nëse rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, frenohet duhanpirja dhe të ulet ndotja në mjedis.

Nëse këta faktorë rreziku nuk frenohen, paralajmërojnë se vitet e ardhshme do të jenë katastrofike në përhapjen e sëmundjes./ Tv Klan