Libri im i ardhshëm: 69 GRA

Nga  Arbër AHMETAJ – Zvicër

Shpesh trishtohem kur mendoj për gratë! Sidomos për ato që bëjnë art, shkencë, sport në majat e larta! Sado lart të shkojnë, gjithmonë gjendet ose fabrikohet një burrë, për të qenë më i lartë, për t’u bërë hije! Në fushën e letërsise, ani pse të pakta, ato persekutohen persosshmërisht nga burrat!
Qysh kur e gjunjëzuan Musine Kokolarin, me burgje, togerë e internime, revolucioni maçist ndaj grave s’ka të ndalur! Çizmet e trurit mashkullor shkelin mbi çdo talent, mbi çdo filiz femror që mbin plot druajtje në kopshtin e kazermës letrare, ku para pasqyrave pispillosen burra të zymtë, me talent të panegociueshëm! Në FB burrat e betontë të artit lexojnë poezi grashë të bukura! Nisin fjalë dytehëshe, « like » e ndonjë zemër, në varësi nga fotoja e gruas! Pastaj u kërcasin në derën e « inbox-it » ku lëshojnë tirada të pafundme lajkash! Burrat i shohin gratë e talentuara, jo si kolege, si artiste! Ndryshe i shohin, siç shohin ushtarët nga vrimat e murit të kazermës, gratë që shkojnë rrugës! Skenderbegasit e kuptojnë më mirë nentekstin! Burrat janë të talentuar, të ditur, por kanë nevojë ulëritëse të emancipohen! Është e vështirë, pasi vijmë nga një kulturë greko-judaisto-kristiano-muslimane të bazuar mbi supremacine absolute të burrit! E vështirë s’do të thotë e pamundshme! Burrat e talentuar, duhet të përbëjnë modelin, e respektit për gratë, motrat, vajzat tona të talentuara!
Në fund të fundit ato janë thjeshtë më të talentuara se ne! N’a lindin!: v.o. (Vini oroe) Piktura e Nazmi Hoxhës, « lule e gjemba », pjese e koleksionit tim do të hijeshojë ballinën e librit tim që botohet në tetor 2018, nga Skanderbeg Books.

Fotografia e Arber Ahmetaj