Ligjvënësit republikanë amerikanë përpjekje për shkarkimin e Zv/Prokurorit të Përgjithshëm të Amerikës

Një grup republikanësh amerikanë të Dhomës së Përfaqësuesve nisën të mërkurën një përpjekje për shkarkimin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein. Ata e akuzojnë për sjellje të papranueshme dhe se ka dështuar të vërë në dispozicion të tyre informacione që lidhen me hetimin që po kryhet nga Prokurori i Posaçëm rreth ndikimit rus në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Zoti Rosenstein po mbikëqyr hetimin prej momentit kur shefi i tij në Departamentin e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions u tërhoq nga kjo çështje për shkak të konfliktit të interesit. Zoti Rosenstein emëroi ish-drejtorin e FBI-së Robert Mueller-in si Prokuror të Posaçëm dhe deri më sot, ekipi i zotit Mueller ka ngritur akuza ndaj 32 personave, përfshirë disa që kanë punuar për fushatën e presidentit Donald Trump.

Zoti Trump dhe aleatët e tij e kanë cilësuar vazhdimisht hetimin si “gjueti shtrigash” dhe zoti Trump ka mohuar që njerëzit e fushatës së tij të kenë patur bashkëpunim sekret me Rusinë me qëllimin për ta ndihmuar atë të fitojë zgjedhjet.

Departamenti i Drejtësisë vazhdon t’i fshehë informacion Kongresit dhe të pengojë në mënyrë të përsëritur procesin e mbikëqyrjes, duke shpërfillur madje edhe disa thirrje për paraqitje me detyrim përpara Kongresit“, tha të mërkurën ligjvënësi Mark Meadows. “U ngopëm me këtë sjellje“, tha ai.

Ne nuk mund t’i japim përgjigje popullit amerikan nëse nuk mund të marrim informacion nga Departamenti i Drejtësisë. Është koha për të kërkuar shkarkimin e zotit Rod Rosenstein” tha ligjvënësi Jim Jordan.

I pyetur nga Zëri i Amerikës një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë tha se ky institucion nuk do të komentojë lidhur me këtë çështje.

Paraqitja e kërkesës për shkarkim për votim në Dhomën e Përfaqësuesve nuk pritet të ndodhë së shpejti. Anëtarët e Dhomës janë kthyer në distriktet e tyre për një ndërprerje dhe nuk pritet të kthehen në Kongres para shtatorit.

Ligjvënësi Adam Schiff, demokrati më i lartë në komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, i kritikoi përpjekjet për shkarkim.

Përpjekja për shkarkimin e zotit Rosenstein bëhet mungesë të plotë të ndershmërisë dhe tregon se deri në ç’pikë republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve shkojnë për të mbrojtur Trump-in. Historia do t’i shënojë këta ligjvënës si bashkëpunëtorë në kërcënimin më serioz në një brez ndaj sundimit të ligjit “, tha ai.

Udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në një përgjigje ndaj iniciativës për shkarkim, tha se partia e saj do të bënte thirrje për një votim për “sanksione të reja kundër atyre që sulmojnë zgjedhjet amerikane “, ndërsa republikanët siç tha, “e injorojnë këtë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare dhe sulmojnë hetimin e Muellerit duke mbrojtur Trump-in nga zbatimi i ligjit.”