Vëllimi poetik “Kënga e universeve” i poetit Halil Selivrada është simfonia e një epoke të re

Në vend të parathënies nga Rexhep Shahu i Klubit të Poezisë e revistës “Illz” – Tiranë

Vëllimi poetik “Kënga e universeve” i poetit Halil Selivrada është simfonia e një epoke të re. Eshtë një meditim poetik mes Francës dhe Shqipërisë por për nga fryma dhe mesazhi që sjell është “plugimi” më i thellë i tërë mbretërisë njerëzore. I ndërtuar me një nerv gati të pa shoq, apo me “tulla” për kapacitete tjera, lexuesi i ushqyer me profecinë do të ndjehet i iluminuar për t’a ndërtuar botën ndryshe. Ai duhet ta shartojë mollën e vet në Mbretërinë e re.
Po është Poeti apo kush tjetër që shkruan simfoninë Kënga e universeve?! Poeti është vetëm dora. Një shpirt që vjen si gjenezë nga Iliria e famshme dhe që, një ditë, i gjëndur i dashuruar nën qiejtë e bukur të Francës i thotë dorës të shkruajë Këngën e universeve. Eshtë kjo këngë që nuk është kuptuar kurrë ndaj nuk është shkruar kurrë. Poeti refugjat një këngëtar që zotat nuk i dhanë kurrë dritë, pasi kërkon të sqarohet për kumtin, në gjallje apo vdekje, vendos të shkruajë Këngën.
Megjithatë, ai përfundimishtë pyet nëse me Këngën e universeve bota fitoi apo humbi?! Pyet por nuk kërkon përgjigje.
Eshtë Epoka e re e Vetvetes. Njeriu apo Njerzimi i rritur tashmë duhet të zbresë në thellësitë e vetvetes për t’u ngritur në majat më të larta. Vetëm atëherë ai është i aftë të kuptojë misionin e tij dhe të mbajë peshën që i takon. Në dallim nga Mbinjeriu i Niçes, rruga e tij do të jetë iluminimi si profetët apo rruga e Krishtit: “Perëndia është në ju dhe ju hyni tek Perëndia!” Perëndia është e pavdekshme, është Dije e pafund dhe Liri. Në këtë sens për personalitetin njerëzor duhet të maturohen kapacitetet esenciale. Dhe mësimet e sotme të shkencave dhe fizikës kuantike konvergojnë mirë me ato të profetëve. Bota e konsideruar si një hologramë gjigande elektro-magnetike ku gjithçka vepron në lidhje a s’është vetë Bota e Krijuesit e ndërtuar me dije të pafund?!
Sot flitet për një Epokë të re që shprehet në Këngën e universeve. Këtu flitet për Edenin tjetër apo Eden Francën. Flitet për Parajsën e lirisë të cilën mund t’a rrokë njeriu i vetëdijshëm. Vetëm ky, pasi fatkeqësisht, mbi njeriun e sotëm, që nga krijimi, janë hedhur mbulesa të pafund të civilizimeve dhe harresa duke e mbuluar njeriun në misionin e tij të lartë. Zbritja tek vetvetja, ja sekreti i sekreteve:

“Ti je Drita, pra dil nga koha e bëhu Perandor a Dimension i lartë!
Je Dimension i lartë, në ty jehon kënga e yjeve, zëri i numrave e harmonia”.

Tek vetvetja gjëndet parajsa jote, rinia e përjetshme, qytetërimet e reja… Vetëm nga aty njeriu mund të lidhet me rrënjët e veta, me Memorien apo Ndërgjegjen universale. Mund të ngrihesh deri në “Krijues” sikurse Poeti refugjat. Atëhere mund të inicojmë zgjimin e të tjerëve dhe deri “zgjimin” e universit apo universeve nëse pranojmë hipotezat e sotme për të cilat bëjnë fjalë tashmë shumë shkencëtare mes të cilëve Houking apo i njohuri si pasardhësi i Ajnshtajnit.
Dije të lashta e të fshehura, multidije, dije kuantike, mitologjira, profeci-dije, epe e legjenda, diej e zota e zana e mira e mrize e mirazhe e shqiponja e këngë e dashuri e luftra e vuajtje… e jetëra e tej-jetëra të këtij universi apo të universeve tjerë, të gjitha së bashku e në ansambël me amanetërat e stëramanetërat e tyre janë të veshura në poemë me një vel të bukur artistik që nuk të lë te marrësh frymë. Edhe djajtë, edhe mëkatarët edhe mëkateshat me të gjitha labirinthet dhe shpurat e shpirtërat e shamatat e tyre nuk mund të marrin më frymë, nuk mund të kenë më shpresa përballë alfabetit të ri të Universit të dijes dhe lirisë.
Në të ardhmën që na pret, apo Epokën e re, njerëzit vallëzojnë në portat e tyre me Nënën universale. Dhe e gjitha kjo si për t’i treguar njerëzimit aftësitë dhe energjitë e mëdha që gëzon dhe çliron njeriu në liri.
Mbi ketë shtrat ideor është konstruktuar poema”Kënga e universeve” që në vetvete përmban lëndën e parë apo materien ideore për ndërtimin e të gjithë librit. Gurët e sajë janë te ardhurë nga shpirti i universeve, apo Memoria a Ndërgjegjia universale apo Zoti siç e quajmë ne. Shpirti i universeve i flet në brendësi Poetit profet, Adamit të poemës, për të ndërtuar botën ndryshe ku Dija dhe Liria janë perënditë kryesore, ndërsa bukuroshja e Francës, Zholijë e Bezjesë, do të jetë Eva. Dhe si në fillimet e Adamit profet dija e lartë do të jetë shehnia e Poetit refugjat, ndërsa Zholija jonë kjo bukuroshe e pamatë e me shpirt lartësie nuk mund të jetë kurrë Eva djall. Pasi përse djall?! Ishte gjarpëri e keqja e botës apo shpata simboli i dhunës në poemë?! Apo gjarpëri në shpatë?! Ndoshta këto dhe s’kanë rëndësi kur kupton se sa të dashuruar rrojnë Poeti dhe Zholija. Kjo e fundit ka mësuar lëgjndat e bukura shqiptare të shqiponjave dhe zanave, kurse Poeti këndon lëgjendat e bukura të Shën Afrodisë, jetën e heroinës Zhan d’Ark apo heroin e madh Zhan Mulë. Falë inicimit të zanave shqiptare ata mund të udhëtojnë tej barrierave kohore dhe nëpër universet tjera. Një udhëtim të vecantë ata e bëjnë në lartësitë e Panteonit Francez të Dritës së artit mes muzikantëve, piktorëve, skulptorëve, shkrimtarëve, filozofëve e poetëve të mëdhej të Francës në mesin e të cilëve, pas largimit nga vendlindja, vjen edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare:

E duket dhe drejtë kësaj drite po vjen dhe një i huaj,
Si i zhgënjyer duket dhe ndër krahë mban Iliadën e tij,
A si Noeja duket se don të shpëtojë Iliadën,
Eshtë i madhi Kadare me pallatin e madh të ëndrrave.

Muza e zana vallzojnë e vallzojnë dhe këta gjeni pijnë nektar e ambroz duke vjelur nektarin qiellor për krijimtarinë apo artin e tyre.
Pas “zbritjes” Poeti dhe Zholija mendojnë ta bëjnë dasmën në sheshin “Pol Rike” të Bezjesë ku simbolikisht shtjellohet bota sipas ditëve të krijimit. Shpirtërisht aty do të gjendën profetët e mëdhenj të njerëzimit. Do të gjendën edhe Francesku me “motra e vëllezër”, Konfuci me ekuilibrin dhe mjeshtëri Zen, i dashuruari. Do të vijnë edhe gjeni të tjerë të mëdhenj si Moxarti me flautin magjik me të cilin kishte menduar të përshpejtonte ardhjen e epokës së artë; Bethoveni që kishte mësuar të kapte fatin për brirësh; Pitagora me fuqinë e vullnetit; Sokrati…vijnë pra shpirtërat e mëdhenj të njerzimit. Veçse, fushave të Dritës jetojnë e do të vijnë kush dashuron lirinë. Vijnë zanat shqiptare dritë e përjetësi. Vijnë shqiponjat shqiptare simbol i dritës dhe lirisë. Shpëndi më i bukur prej drite zbret nga qielli. Zbresin e vallzojnë yjtë mes një koloriti të paparë të francezëve, shqiptarëve dhe të ardhurve nga e gjithë bota:

Vjen kjo dritë me këngë nga yjet simfoni e pa dëgjuar,
Vjen të japë a të marrë simfoni krejt e pa shkruar,
Pse në Francë e jo kund tjetër ky mishërim i botës lartë?!
Kështu është gatuar Franca, simfoni për bot’në e lartë.

Në këtë ditë të madhe, në një moment të dytë të asaj “martese kozmike”, Poeti shqiptar provon lartësitë e universit. Ai provon të shetisë në prehërin e Nënës universale e të krijojë atje si Krijues. Ndoshta lexuesi këtu shijon nga pjesët më të bukura të poemës: jeta si Krijues. Ai çfarë mendon i shfaqet përpara syve. Universe e galakësira. Zëra të së shkuarës dhe të së ardhmes bashkë me fytyrat e botërave dhe civilizimeve i shfaqen.
Megjithatë, ai nuk qëndron atje lart dhe lexuesi duhet t’a përtypë enigmën.
Ai zbret ngaqë kënga e yjeve ju ngatërrua pulsesh nëpër dimensione. Zbret se atje ju shfaq zonja Maria në fytyrën e së cilës ai ka parë nënën e vet të sëmurë e të përlotur tek po i vdiste në Shqipëri. Zbret se atje ka dëgjuar Prometeun e lidhur tek po e gjuante Zeusi me rrufe. Se atje ka dëgjuar Sizifin mitik të dënuar për të mbartur gurin mbi shpinë. Zbret se këndej mbi tokë ka parë arkivolin e vetë qiejve të Shqipërisë të ndjekur nga një shpatë gjigande dhe një korb që ndjek shpatën për t’ia ngrënë kurmin. Zbret se do të tregojë se ç’farë ka parë atje për eternajën dhe ligjësitë e universeve. Zbret të tregojë se si është ngjitur a për inicimet e agimeve. Ai ndoshta zbret për t’u munduar që t’u shpjegojë të tjerëve diçka nga ana shkencore e shëndrrimeve të brëndëshme filluar me fjalën. Pra nga gjuha valë-emocion te genoma njerëzore e me anën e valëve spirale te Memoria universale e prapë te njeriu. Ai mund të ngjitet kështu deri në nivelet më të larta:

E tëra e përcjellë me muzikë a shandan si n’botën e epër,
Nga t’rrjedhë energji e pa masë tek shuhën kufijtë e vjetër,
Genoma a gjuha e shpirtit në rëndet më t’larta do t’ngrihet,
Gjithçka të rrjedhë këngë e lartë se farat e larta do ngjizën

Dhe kjo pasi gjithçka në univers është ndërtuar me prerje të artë, lidhet, e për pasojë zgjimi universal i njeriut çon në “zgjimin” e universeve.
Apo ndoshta ai zbret se si mish njerzor e merr malli për bahçet e resortet me diell! Zbret për besën shqiptare dhe martesën me Zholinë.
Por më e besueshmja është pasi ai atje lart ka parë Eden Francën dhe Bukuroshën e qiejve Shqipërinë dhe zbret të shikojë në rrugë shpatën e shtrirë që tashmë vetëm flet. Apo zbret ndoshta për të gjitha edhe pse zbritja e tij do të jetë problematike:

Kënga pra jemi a Agimi i epër i botës, fanatikët e artë,
Kush s’vjen nga këngë – dritëzat e botës është shpirt mëkat,
Parajsën do t’a gëzojmë pas vdekjes andej nga faqja tjetër,
I ndrittë më parë shpirti prej shpatës këtu Poetit t’epër!

Gjithësesi, Kënga e universeve për dijën dhe lirinë do të ndryshojë fizionominë e botës.
Shpata në poemë përfaqëson, siç e thamë, të keqën e botës apo pushtetin e dhunshëm që nga Edeni biblik: “Gjarpëri ishte në mua, thotë shpata, qysh në fillime…” Shpata ka prerë sa e sa herë kokën e Poetit dhe fytat e sa e sa familjarëve të tij. Me shpatën në poemë debaton Thoti a prijësi i Atlantidës së humbur, inicuesi i Besimit të Dritës, të cilin shpata e bëri lëgjendë me maskë në kokë. Sfinksi debaton pasi për të liria është parajsa rikthyese. Jezu Krishti debaton duke ju kujtuar njerëzve se “Meqë Perëndia është në ju, shpata kurrë nuk ka qënë!”. Shehrazadja e bukur dhe të gjitha Shehrazadet e botës të shtrira në shtratin e mbretërve vrasës debatojnë me shpatën. Troja e bukur debaton me shpatën e pështirë të të gjithë botëvrasësve. Debaton Iliria e famshme për shkatërrimin dhe coptimin e saj. Dhe gjithçka që nga grimcat e botës e deri te gjëmat e lutjet e Jezu Krishtit pohojnë në Librin e madh hyjnor.
Me njeriun e vetëdijshëm të rizgjuar me Dijen dhe Lirinë vjen shehnia e epër:

Dhe sot n’Panteonin e lartë një refugjat rrok Parajsën e epër,
Mirazhi ishte vetë trupi i tij dhe shpirti vetë Botë e epër,
Pastaj kur zbret nga Parajsa, Parajsën me vete do e kishte,
Me vete kishte Dijen e lartë dhe bota shehnia do t’ishte.

Sidoqoftë, fati i heroit të poemës është tragjik. Në përfundim të dasmës “kozmike” ai jep shpirt në Sheshin Pol Rike. Duke i dhuruar zemrën Zholisë së Bezjesë ai kërkon që trupi i tij të prehet në dherat e Shqipërisë. “Shpirtin Perandor dhe trupin n’arkivol, refugjat i botërave!”. Eshtë tragjik, pasi dhe të vdekur trupin e tij e ndjek shpata e fanatikëve të botës dhe e pushtetarëve mëkatarë shqiptarë që kishin kërkuar ta “përndrisnin” qoftë dhe si Juda këtë “Diell të zi” siç e quanin ata.
Ai në poemë shenjtëron një Epokë të re në Panteonin mbi yjtë me Francën dhe Shqipërinë. Toka e Francës e shenjtëruar në liri dhe nga pjesët më të bukura të universit është vendi ku u këndua Kënga e universeve me Dijen dhe Lirinë si dimensione dhe misione të botës së lartë. Ndërsa Poetit të përndritur nga Shpirti i Ilirisë Këngën ja këndoi Perandori i vet nga lartësitë në univers.
Libri pasohet me lirikat e bukura “Qershizat”, “Madmuazel” si dhe me pulëbardhën e vecantë:”Shami shega”. E pse duhet të vuajë njeriu kur në ketë botë ai mund të ketë mundësi të shijojë apo të njohë këto lule-parajsëza. Eshtë fjala për oazet që gjen shpirti njerzor kur shijon vajzat shqiptare e franceze por dhe dhimbja nga ndarja me to:

Apo tani psherëtinin qershizat veç për mua,
E mes lotëve sytë e mi n’dhera tjera përcillnin!

Këto lule-parajsëza mund të të gjejnë edhe në botën tjetër, por edhe mund të rikthehen një ditë në dritaren tënde si për të lozur me gërshetëzat e kësaj bote.
Poezitë “Muza e ndaluar” dhe “Kungata ime” janë një meditacion i thellë për fatet e dashurive të penguara:

Jetën, thotë dua jetën, unë jam gonxhja e trendafilit,
“Rrebel”, më yshte e m’shtyve, n’krahë t’harrimit m’çove,
Tani më gdhënd nga guri dhe mos më lër të zhveshur,
Dua n’krahë teje t’digjëm dhe t’bredh rrugëve e botërave.

Nuk është rastësi prania e artistit këtu. Ai mund të vuajë pasoja të tilla deri në shkatërrimin e tij.
Poezitë “Pranvera dhe përgjakja e bilbilit” dhe “Montpellier” janë udhëtimi i një këngëtari. Fatkeqi merr këngë e rraqe e çfarë mund dhe largohet nga dhuna për të vazhduar dikund tjetër misionin e lartësive. Sivëllai i tij, stërnip Odiseje, ndërkohë troket me lëgjendat e veta kalldrëmeve e kallkaneve të Montpelljesë. Por ai guxon madje edhe të filozofojë për gjenezën e përbashkët me këtë qytet muze. Apo e bën ketë për të dëgjuar Galaksia a Montpelljeja tjetër e botës albanore.
Në një antitezë unike, besoj si xhelati me viktimën fisnike, vijnë poezitë “Presidenti i ishullit” me “Zot dhe diell”. Si fate që rrokullisën mes kafshimeve të përjetshme. E para me makabritetin e dinastive diktatoriale dhe e dyta me kthimin e përjetshëm për ekzistencë kombëtare.
Poema “Zot dhe diell” është pema e fatit tragjik të familjes së autorit në breza. Eshtë dhënë çdo personazh i saj me emrin konkret, ndërkohë që një autor tjetër me këtë subjekt ka shkruar një libër memorial. Kjo është familja e vertetë lëgjendë në gjallje me dragojë e mermërima dhe lëgjendë në vdekje. Pasi të vdekurit, patriotë të njohur, i “vijnë” si hije autorit në Francë dhe i shpjegojnë enigmat tronditëse. Ata e urojnë për miqësinë me Francën por në fund i luten atij dhe përmes tij gjithë refugjatëve shqiptarë nëpër Evropë të kthehen në Shqipërinë e bukur që po zbrazet.
Sikurse tre muza më vete janë poezitë “Piramida”,”Grigja” dhe “Shpëndi i shenjtë”. E para është njeriu që kërkon të ngrihet labirintheve magjike të piramidës për të mësuar ligjësitë e urtësive dhe të kthimit në botën e gjallë. Por në këtë rrugë trokitja në errësirat e gjata e frigon kaq shumë derisa ai e kupton se ky është vetë Gjyshi i lashtë dhe gjithëçka me piramida, me drita dhe errësira është brenda tij:

Dhe qytetërime kushedi brënda meje ishin,
Me stela aq gjigande lëgjendash dhe rrufera mitesh,
Me fytyra botërash e diej dhe galaksira ishin,
Dhe unë Gjyshi i lashtë isha a princi i një elite.

Ndërsa “Grigja” është fytyra e njerëzimit të kohës së modernitetit dhe trishtimi i të “huajit” nga kjo kohë. Për shqiptarët e degdisur dherave të botës kërkohet Mojsiu i tyre. Po kështu te poezia “Shpëndi i shenjtë”, si një nga baladat e bukura të krijimit, Shpëndi dhe Njerzimi kërkojnë njëri-tjetrin që nga gjëneza. Kërkojnë dhe akoma nuk e kanë gjetur. Por ëndrrat duhet të vijnë dhe të shuajnë etjen në sarajet e tua të vërteta, aty, ku, nuk ekziston dritë tjetër veç zgjimit tënd të lartë.
Së fundmi na vjen “Bukuroshja e qiejve” për Shqipërinë dhe për tërë botën. Dhe ndoshta për të gjitha kohërat. Ajo është një lirikë dhe epikë njëkohësisht. I dedikohet ëndrrave më te bukura të shpirtit a si një mrekulli e krijuar që me krijimin e universeve. Kjo është Shqipëria e lartë, Shqipëria qiellore. Heroi një bir dhe një studiues i tokës së vetë, një ditë i gjendur në lartësitë e Alpeve shqiptare dhe në kërkim të lashtësive me zotat, papritur shndërrohet në Zeus me rrufera dhe perënditë e Olimpit. Ai kërkon mbretërinë e tij, Pellazgjinë e lashtë. Përmes perëndisë Promete ai paralajmëron Evropën për rreziqet që mund t’i vijnë sot nga pushtetarë problematikë në Ballkan, apo nga mosvëmëndja fragmentare e Evropës ndaj tyre dhe kryeqendrës pellazgjike.
Por gjithçka i zhbëhet nga duart Zeusit tonë nga zbritja e papritur e Bukuroshes së qiejve, pranë tij, atje në Bjeshkët e Valbonës. Kjo është nusja e Shqipërisë qiellore e cila pasi i tregon mrekullitë e ekonomisë dhe qytetërimit atje lart i lë në dorë një lule që thur poezi. Veçse studiuesi prapë ka një problem të madh pasi në Shqipëri pushtetarët ia kanë vjedhur Atdheun si mijëra e mijërave bashkatëdhetarëve të tij. Ai pret të shohë dhe lëkurën e vet të hedhur ujqërve apo korbave, ndaj e vetmja shpresë për të është Evropa apo Pallati i saj në Bruksel. Mrekullia e botës, lulja që flet, nuk pranon të mbillet as në Evropë dhe askund tjetër: “Tek Ti dua të vdes! – i thotë studiuesit. Unë jam lulja e mbjellësit të përjetshëm!”. Lulja pranon që të mbillet vetëm në Shqipëri, ajo nuk rresht së thururi poezi për Shqipërinë. Poeti studiues së bashku me Lulen, që është shpirti nga bota fisnike, si dhe me lëgjendat e mitet shqiptare demandet në Bruksel:

Unë jam zë i krijimit a vetë Pellazgji e lashtë,
Dodonat në mua flenë dhe Perënditë e Zota e Prifta,
Jam vet Gjethja e krijimit e bile Bukuroshja e qiellit,
Dua veç Atdhe të t’kem dhe të mbjell lulen e shpirtit.

Poeti tashmë kërkon me çdo çmim që të mbjellë këtë Lule në Atdhe. Ai bile mendon që t’ua falë dhe trupin e tij hijenave që ia kanë vjedhur Atdheun dhe vetëm e vetëm sa të mbjellë Lulen në Atdheun e vet.
Besoj shumë që ky libër të sjellë shpresë dhe dritë, një dritë që vjen përmes Dijes dhe Lirisë. Një këngë me yje me figuracione dhe simbolikë unike. Eshtë një ekzistencë e re, një dimension i ri poetik dhe intelektual për të kërkuar, për të gjetur dhe për të jetuar me të vertetën e madhe që njerëzimi mund dhe duhet të krijojë. Ky libër frymëzon.