“Shqipëria pa Gjykatë Kushtetues është si një makinë pa frena”

Nga Agron DUKA –  kryetar i PAA të Shqipërisë

Gjykata Kushtetuese tashmë ka hyrë në krizën më të paprecedentë që prej krijimit të saj pas vitit 1990. Nëse do të më lejohej një metaforë, dhe ta konsideroja shtetin si një makinë, dhe timonin si pjesa e qeverisjes në këtë makinë.
Gjykata Kushtetuese do të ishte sistemi frenues. Në këtë moment ne jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pra jemi pa frena. Kur kjo ndodh në jetën e përditshme, ne ndalojmë makinën, pasi pa kontroll nuk mund të ecet. Kësodore mendoj se edhe aktiviteti parlamentar në shtator, duhet të merret me administrimin normal derisa të kemi një zgjidhje, pasi nuk ka asnjë garanci kushtetuese që vendimet e saj të përputhen me rendin tonë ligjor.
Një shembull i mirë është ligji për Teatrin Kombëtar, i cili është qartazi në shkelje të shumë parimeve themelore, por nuk mund të ankimohet për shkak të krizës së Gjykatës. Mendoj se nuk ekzistojnë kushtet për qeveri teknike, mazhoranca i ka votat për të qeverisur edhe në mënyrën e gabuar, sidomos duke pasur parasysh se nuk kanë shfaqur në asnjë moment probleme morale mbi rrezikun që paraqet kjo situatë, apo mbi faktin që një vend nuk mund të quhet demokratik nëse nuk ka balanca midis pushteteve. Sipas meje, për t’i dhënë fund krizës do të duhet minimalisht një pakt politik midis palëve. Sigurisht situata do të agravohet në muajt në vijim, do të shkojmë në zgrip të marrëdhënieve politike, por gjykoj se edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, palët do të gjejnë rrugën e zgjidhjes. Sigurisht ky moment ngarkon me shumë përgjegjësi Opozitën, e cila është barriera e fundit ndaj shndërrimit të Shqipërisë në një autokraci, ku nuk ka ndarje të pushteteve. Duhet të jemi në lartësinë e këtij momenti të vështirë.