Një lule në Gostivar

Nga Namik Selmani

Gjëja e parë që të befason kur kërkon të shohësh e të përvijosh portretin e Gostivarit është një traditë që ka qenë e vazhdon të jetë në një farë mënyre edhe sot. Një traditë që të kujton edhe shumë shtete  evropiane me mirëqënie dhe me kulturë. Në kurbetin që bënin  burrat e këtij qyteti, kryesisht në Stamboll, me një ligj të pashkruar sillnin prej andej si gjë të parë llokume Stambolli dhe këna për nuset, vajzat e nënat e qytetit. Duket se këto dhurata përkonin  me mentalitetin e  vetë gostivarasve duke kërkuar sa më shumë urime për odat ku kishte këngë, qëndisma të bukura, fjalë mentare dhe më tej të zbukuronin nuset që më vonë të mbushnin sa me më shumë fëmijë odat e tij, por edhe të fshatrave që i rrijnë rrotull Gostivarit si kurorë gjelbërore.  Edhe toponimi i tij duket se e ka thënë me një mençuri popullore këtë Kod Urimi për të Gosti-var. Gostia është mënyra e Bashkimit  e Porta e urimit për sot e për mot. Urimi për lindjen e fëmijës, për martesën, për Festën e të Korrave, për shtëpinë e re të sapondërtuar..Këtij detaji i shtohet këtu edhe një lloj çaji që në Gostivar përdoret shumë e që në kohën e ish Jugosllavisë e që sillej nga Cejloni. Meqë u përdor shumë e u pëlqye një pjesë e këtij çaji dërgohej si dhuratë në Turqi ku kishte dhe ka edhe sot shumë gostivaras. Ky çaj përbën edhe sot një pjesë të jetës shpirtërore të këtij qyteti Tek po flisnim e po shënonim pak histori, toponimi, gjeografi, traditë të Gostivarit, m’u kujtua ai burrë trupshkurtër, Baca Ejup Mahmutaj, regjisor e aktor në Tetovë që drejtonte Javën Kulturore të Tetovës ku ishim të ftuar me Margarita Xhepën,  Bruno Shllakun, Mevlan Shanaj etj. Kur  kalonim aso kohe në Gostivar në kthim për në Tiranë,  e pyeta jo pa kureshtje:  “Profesor, përse po vini gjer këtu e më tej për të na përcjellë?” “Çdo shtëpi e shqiptarëve të Maqedonisë është edhe shtëpia ime dhe ne  e kemi zakon që i përcjellim miqtë deri te pragu i kësaj shtëpie. “ Kësaj radhe bashke me mikpritjen gostivarase na u desh që të falenderonim edhe Daut Shasivarin dhe Musa Osmanin, emigrant në Zvicër që porsa kishte botuar librin e  tij me poezi ”Buka e mërgimit” e që po bënin ritin vëllazëror të përcjelljes. Cicëronë të këtij udhëtimi në Gostivar atë ditë m’u bënë Ferat dhe Bukurie Gashi Iseni. Njerëz me kulturë, me dashuri për qytetin, që dinë si ta dërgojnë edhe më lart traditën e bukur të tij ashtu si dinë të shqetësohen për atë që nuk shkon. Bukurie Gashi është që prej shumë kohësh është një nismëtare dhe një lidere e lëvizjes feministe në këtë qytet e në mbarë trojet shqiptare të Maqedonisë.  Nga lartësitë e “Hiltonit” të Gostivarit shihnim qytetin e  borëruar  Shumë natyrshëm bisdeda shkoi të ata që e kanë punuar për Gostivarin që kanë shpërndarë shkronjat shqipe, por edhe që kanë derdhur gjakun për liri. Në atë çast kujtuam mësues Tajar Isenin që një jetë të tërë punoi për arsimimin e brezave të Gostivarit Një tjetër mësues Mustafa Ismaili që ka ngritur klasën e parë që më 1944 në fshatin Çajle tani është në moshën 93 vjeç dhe ishte vërtet lumturi që ta takoje. Ishte rënduar pak nga shëndeti po shumë libra që na dhanë në duar vajzat e tij na e dhanë edhe më të plotë aktivitetin e tij 40–vjeçar në shërbim të arsimit shqiptar në Gostivar kur ai gati nuk ekzistonte. Në një moment të caktuar  qan. Jo nga dhimbja, po nga gëzimi se në shtëpi i kishte ardhur një mik nga Shqipëria. Nëse do të ndodhte kjo vite më parë, ai do të keqtrajtohej, do të burgosej vetë e familjarisht. Në një çast vërtet po kuptonim emocionin e takimit të shqiptarëve brenda dy qyteteve që vetëm për disa orë mund të vizitohen, mund të bashkohen njerëz të profesioneve të ndryshëm. Aq më tepër kur bashkohen edhe dy krahina të kombit tonë si Çamëria dhe Pollogu që është fusha ku shtrihet Gostivari me rrethinat e tij. Në heshtje po i kërkoja vetes për të dërguar sa më mirë deri në fund misionin e shkronjëshpërndarjes së gjuhës shqipe kudo ku të më paraqitej nevoja… …Qante mësues Mustafai kur thoshte se emërimin e parë në atë fshat e kishte marrë dikur nga Shqipëria. Edhe fëmijët , mbesat ishin bërë mësuese. E përgëzoi fort Bukurijen dhe Shirinën (motrën e madhe të Bukurijes) se ishin vajzat  e mikut të tij mësues Tahir Hisenit.. Kur po flisja, me të përnnjë moment monologoja me disa vargje që i kisha recituar disa muaj më parë në sallën e këshillit komunal të Komunëë së Çairit në Shkup me rastin e  vizitës së punës së Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare: “Anës lumit të Vardarit/do të gdhend me mijëra pena / që të shkruaj me shkronja zjarri/shqipen tonë fjalëbuqeta. Në traditën e vyer të Gostivarit na futet edhe një tjetër risitare. Kësaj radhe ishte një vajzë mësuese e viteve 71 në Gostivar. Quhet Shirina Iseni. Në një përkthim që i bëhet asaj quhet “e mrekullueshme”. Është një nga vajzat e para mësuese të Gostivarit dhe një nga valltaret e para të SHKA “Besa e Gostivarit”. Në kuadrin e një bashkëjetese kulturore mes popujve të ish Jugosllavisë ku zinte një vend të rëndësishëm edhe kultura shqiptare  duhej patjetër që edhe shqiptarët të shfaqnin traditat e tyre më të mira këngët, vallet, shpirtin lirik dhe epic, humorin, kostumet.. Edhe sot kemi në duar një libër të vitit  2001 të titulluar “Monografia e SHKA “Besa” 1971-2001”. Me këtë rast kujtuam plot nderim disa nga figurat themeluese të kësaj Shqoqërise si Dr. Miftar Kurti, Hilmi Dërvishi, Rezak Halimi, Gjyljaz Fejzullai, vëllezërit Shaban dher Enver Stafai, solisten Shahindere Stafai etj. Po atë ditë kishim një “muze të gjallë të tingujve të zileve dhe të valleve të “Besës”. Ishte Shirina, ashtu pak trupkërrusur nga vitet, po me një dashuri të madhe për më të bukurin shpirt gostivaras.  “Të gjithë i bënim vullnetarisht, – na thotë ajo-Vetë i blinim rrobat. Vetë punonim me vajzat më të reja që të kishim edhe nxënëse në shkolla, edhe valltare. Kemi dhënë shafqje edhe në Turqi, Kroaci, Prishtinë. Bashkë me vallen e zilet e shkollës mundoheshim që të rrisnim edhe fëmijët . Këtë gjë tani e bëj si gjyshe kur shkoj në Zvicër me fëmijët e fëmijëve. Ah!!!!” Kështu e mbyll rrëfimin e shkurtër Shirina ku janë mbledhur të gjithë këngët e pakënduara, vallet5 e bukura të ktahgionës së Pollogut, porositë e axhë Tajarit, vitet e punës së lodhshme si mësuese, përballja me të keqen si shenjë e mbijetesës. Pamundësia për të bërë sa më masive lëvizjen feministe të grave shqiptare si po e bën mrekullisht prej kohësh motra e saj sot Bukurija që është njëkohoiosht edhe kryetare e Rrjetit Global të Gruas Shqiptare për Maqedoninë..Kujtimi i hidhur i motrës së tyre Asijes që sot nuk jeton më i bën edhe pak më të dhembshura seç janë. Nga ana tjetër morën edhe një premtim që së shpejti ajo të hedhë në një libër kujtimet e saj

2.

Biseda me Zarif Osmanin na jep një faqe të re të jetës shpirtërore të Gostivarit. Që më 1968, kur ishte ende i ri, babai i tij, Habibi, një burrë mjaft punëtor, paqësor, besimtar, ia kishte thënë një fjalë, një porosi, një amanet që mbetet gjsatë në kujtesë e, që në një farë mënyre është edhe një Kod jetës së shumë gostivarasve: “Dëgjoni bij, ju kam rritur me djersën e ballit. Edhe argat kam qenë për të mbajtur me nder familjen, e të gjithë më kanë bërë hallall paret e fituara me kaq ndersmhëri. Do doja që edhe ju të ishit të tillë, por edhe gjuhën e nënës të mos e humbni kurrë!” Tani prej vitesh Zarifi drejton një agjenci udhëtarësh në disa linja të Ballkanit e të Evropës që ia ka vënë “Habibi Tours” në kujtim të babait të tij që është ndarë nga jeta që më 1982. Në të gjithë këto vite ka qenë  e mbetet ende nismëtar i shumë lëvizjeve kulturore, arsimore dhe ekonomike në favor të shqiptarëve. Një herë i është dhënë rasti që, për arsye pune, të fliste me një funksionar të lartë gjerman: “Dëgjo zotëri, -i kishte thënë, – unë edhe mund  të bëj krushqi me ty, po vetëm gjuhën mos ma shaj, mos ma kall mos ma moho! Edhe barin ta djeg. https://mail.google.com/mail/u/0/images/cleardot.gif E ka një dashuri të madhe për flamurin “Pa flamurin tënd, jeta është kot”.  Në tërë jetën e tij profesionale dhe njerëzore i ka rënë radha të takojë tregtarë, biznesmenë, prodhues, ambasadorë, ministra, kryeministra, njerëz të thjeshtë në nevojë, në shumë vende të Evropës e kudo nuk ka harruar që të paraqitet si shqiptar. Me këtë rast kujton bisedën me ish kryeministrin e  ish Jugosllavisë së mbetur të viteve 90 Ante Markoviçin, që kishtye lënë pa iu ndarë Maqedonisë ku ishin dhe shqiptarët mjaft mjete transporti. Në takimet e nivelit të lartë ka një përkthyes serb e një maqedonas, Në shërbimin që bën me agjencinë e tij të bie në sy një lloj etike, një humanizëm i pashoq që ai ka me të gjithë pasgjerët që udhëtojnë  me të. Sidomos me shqiptarët. Nuk e bën këtë vetëm në emër të konkurrencës që edhe në Maqedoni është e fortë në këtë linjë, por edhe nga ai humanizëm i jashtëzakonshëm që ka brenda vetes. Kujdeset që pasagjerëve të mos i mungojë ngrohtësia e fjalës, e udhëtimit, e kafesë e, sidomos ai përpiqet që të ndihmojë secilin për të shkuar deri në destinacionin e duhur. Në vendqëndrimet e autobuzëve ai ka hapur edhe hotel ku i vjen në ndihmë atyre që kanë nevojë. Kur e pyesim për sekretin e shëndetit të tij na jep një përgjigje shumë filozofike se në tërë jetën e tij ka besuar te Zoti dhe se nuk ka patur borxhe ndaj të tjerëve dhe nuk rrudhoset nga një borxh i mundshëm. I vjen keq që në fëmijërinë e tij të fliste turqisht në vend të shqipes dhe se shkollat shqiptare të Gostivarit kanë filluar vonë. “Arsimi dhe besimi” janë shtyllat kryeose që duhet të ketë një komb na thotë ai. Në atë forcë të gjykimit e të vizionit të tij për të ardhem ka modele gjermanët por edhe ebrenjtë Duke shfletuar librin për SHKA “Besa” të Gostivarit, shohim se që nga viti 2001 ai është në radhën e parë të listës së ndihmësve financiarë për kremtimin e kësaj Shoqërie. Kjo është bërë për libra të ndryshëm dhe ai është gati që ta bëjë edhe për libra të tjerë që ndihmojë në edukimin atdhetar të shqiptarëve kudo ku janë. Për këtë ai ka një KRYEFJALË se “Sot luftohet me plumbin e shkronjës”. 

Duke shkruar për të na vjen në bisedë edhe Rufi Osmani që është kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare. Nuk mundëm që ta takonim Rufiun atë ditë aq të ngarkuar, po e ndjenim atë respekt të madh që kishte populli i këtij qyteti për këtë idealist që kërkonte për Gostivarin një jetë të lumtur, me ujë të pishëm, me të drejta të barabarta me maqedonasit në të gjithë fushat e jetës me shkolla ku të ligjërohet sa më shumë gjuha shqipe. Ka një shoqe jete si Vjollca Osmani  të fortë e po kaq atdhetare që rrjedh nga një familje mësuesësh, po edhe aq aktive në zhvillimet politike sociale të Gostivarit e më gjërë. Një ditë mësues Mustafa Ismaili i kishte thënë: “Të dua mor bir, se je atdhetar që na mëson edhe ne më të vjetërve në moshë” Bashkë me Zarifin, me Bukurien, Feratin, me miq të tjerë gostivaras na shkoi gjuha edhe te ajo që i dhemb qytetit.  Hallet e një qyteti nuk mund të vihen në bardhësinë e një flete, po një diskutim shumë i madh është hapur këtu për  plehrat. Në Gostivar aktualisht po depozitohen të gjithë plehrat që krijon Kumanova, Shkupi, Tetova, Kërçova. Në një emërtim paksa publicistik do të thonim se është bërë “Napoli” i Maqedonisë. Zarifi na thotë se do të ishte mirë  që për përpunimin e këtyre plehrave të hapej një fabrikë për përpunimin e tyre, ku edhe të punësoheshin njerëz,  por kostua prej afër 50 milion euro e ka bërë të vështirë një gjë të tillë e plehrat hidhen në terren të hapur  duke shkaktuar sëmundje deri edhe kanceroze. Më e keqja është se nuk ka zgjidhje deri tani.  Duket se protesta e shoqërisë civile të Gostivarit ka qenë  e pafuqishme për të ndalur këtë vërshim.  Largohemi nga Gostivari me simbolikën e llokumeve, të kënave të  nuseve që kësaj radhe vijnë nga Perëndimi i Evropës, të çajit, të ëmbëlsirave, e sidomos të luleve që në  çdo pranverë mbulojnë Sharrin që ka shumë bletë shumë, mjaltë shumë, shumë kullota, shumë rudina.  Do të doja që sërish të vinim këtu jo thjesht të malluar për të takuar miq të vjetër e të rinj, por për të qenë  pjesa më modeste e shqiptarizmit që edhe këtu rreh po kaq e fortë, po kaq e bukur, për të mundur sa më shumë  kohën që na ka ikur në bashkimin e vlerave tona më të mira. Ndoshta po takonim një “Mekë “ të re dashurie,  të cilës duhet t’i ktheheshim po kaq bujarisht sa ajo na kishte pritur. Duke u ndarë po kujtoja refrenin e këngës  “Një lule në Gostivar” që na mbushte boshësinë e kombit në atë telnajë doganash  ku kishte ëmbëlsi zemrash, besatim shqiptarësh, identitet. Me muzikën e Enver Stafait e me tekst të Gani Mesinit  në vitet 70, dhe me zërat e mrekullueshëm të Bashkim Paçukut dhe të madhes Nexhmije Pagarushës më se dyzet  vjet më parë. Shikonim me sytë e shpirtit Gostivarin e bukur dhe këndonim nën zë me njerëzit, me vitet, me ëndrrat  “Kërset lodra , ushton Sharri/ po krenohet Gostivari/një lule që na ka lulëzuar/emrin “besë” ia kanë dhuruar.”  Ishim bërë edhe ne gostivaras…