Nëse ekziston…

Nga Petraq Risto – Amerikë

Ti Zot që mban në duar boshtin e Tokës: furkë e madhe
më thurr një triko me paralele e meridiane
dhe pastaj shfre dufin tënd dimëror, veç pa tallje.

Shfrehu. Hiqe maskën.
E ç’jemi ne: një pikëz loti gjysmë e tharë në faqen e parruar të galaktikave.
Vuajmë ende sindromin e mollës së Adamit dhe vrasjes së Kainit.
Stërgjyshi Abel mijëra vjet vërtitet gjykatave me dëshmi të reja krimi.
Sa pranë janë fjalët krim dhe krimb!

Rri i heshtur: zog në fole të vjedhur
S’guxoj të këndoj ndaj jam i vdekur.
Sa pranë janë fjalët hi dhe himn!
Shfre dufin dimëror pa tallje!

E di: shpesh rri kokë ulur duke imituar kallinjtë e frikësuar nga breshëri
Po s’kam ç’bëj : këtu të vrasin dhe të falenderojnë
që zemrën ia kaluan gjoksit të tjetrit!..
A mund të kthehen në fantazma të pazemërtit?!…

Rri i heshtur: zog në fole të vjedhur
S’guxoj të këndoj ndaj jam i vdekur.
Sa pranë janë fjalët hi dhe himn!

Nëse ekziston jep prova dhe tunde këtë furkë të madhe
naftën ktheje në gjak dhe makinat do rrisin shpejtësinë
gjakun ktheje në ujë dhe njerëzve zemrat s’u duhen fare… veç një mikroturbinë.
Çthure trikon time me paralele dhe meridiane
lakuriq si e vërteta më nxirr
Shfreje dufin tënd veç pa tallje

Në këtë kohë kur është rritur shpejtësia e mendimit
mendimi është bërë baltë: s’mund të krijosh asnjë statujë.
Mendimi : ingranazh i ndryshkur nën kafkë
mendimi: mulli uji pa ujë.
Stërgjyshi Abel mijëra vjet vërtitet gjykatave me dëshmi të reja krimi

Sa pranë janë fjalët krim dhe krimb!
Sa pranë janë fjalët hi dhe himn!