Takim i mirëpritur, me poeten Vjollca KONI…

Nga Prof. Murat Gecaj

Ka disa vjet, që jam njohur me krijimtarinë poetike të bashkatdhetares Vjollca Koni-Ajasllari, me origjinë nga Greva e Skraparit dhe tani me banim, familjarisht, në një qytet të Austrisë. Ndjeshmëria e poezive të saj ka tërhequr vëmendjen e botuesve e krijuesve dhe lexuesve të shumtë. Sigurisht, tematika e poezive të Vjollcës është e larmishme, po kurdoherë spikatin dashuria për vendlindjen e Shqipërinë, për familjarët e saj e, sidomos, për Nënën aq të shtrenjtë për të…
Nisur nga ato, që shkrova më lart, me krijimtarinë e saj të bukur, V.Koni është pjesëmarrëse në tri antologjitë, që unë u kam kushtuar krijuesve tona, si në Shqipëri e trojet tjera amtare, por dhe në Diasporë: Shtete të ndryshme të Europës e deri në Amerikë e Kanada ( “Për ju, krijuese”-Tiranë, 2015; ”Kur flasin zemrat…”-Tiranë, 2016 dhe “Si ujëvarë bjeshke…”-Tiranë, 2017).
Ishte kënaqësi shumë e veçantë për mua, që pikërisht këto ditë, ne u takuam nga afër, për herë të parë, në Lokalin “Galaxy”, te filimi i Bulevardit të Ri të kryeqytetit. Aty kishte ardhur bashkë me kusherirën, Majlindën. Megjithëse kohën e kishte të kufizuar, se ajo do të udhëtonte për në Fier, ku jetojnë Nëna e saj, vëllai me familjen etj., ne biseduam ngrohtësisht, sidomos për krijimet e librat tanë. Nga ajo, unë kisha vëllimet boetike të botuara, ndërsa i dhashë 3 antologjitë e mësipërme dhe librin jetëshkrimor, “Gjurmë, nëpër udhë”, Tiranë, 2017.
I veçantë ishte libri me ngjyra, me tekste e mjaft fotografi, që ajo me dhuroi, me një shënim të saj, botuar në Bukuresht, më 2016. Libri në fjalë, botim i Revistës “Albanezul”, në Bukuresht dhe drejtor dr. Xhelku Maksuti e kryeredaktor mikun e përbashkët, Baki Ymeri, i kushtohet tërësisht poetes V.Koni.
Është kujtim i bukur për mua, se aty është publikuar edhe biseda, që kam zhvilluar me Vjollcën, përmes Internetit: “Është fjala poetike, ajo që na mban e na bashkon”(10 gusht, 2016).
Pasi Majli na bëri disa foto për kujtim, u ndava me Vjollcën, duke e falënderuar për vizitën dhe me urimet më të mira, për shëndet e mbarësi, krijimtari dhe gëzime e lumturi, për veten, familjen dhe gjithë njerëzit më të dashur të saj. Sigurisht, u shprehëm, se dëshirojmë të shihemi përsëri, me botime të reja dhe vetëm për të mira!
Udhë të mbarë e çdo gjë të bukur, që dëshiron, në jetën tënde, mike poete Vjollca Koni-Ajasllari!


Tiranë, 12 korrik 2018