GJENIALJA

Nga Zef ZEFI – Itali

Mbas intervistimit, per shendetin, punën, familjen, mbërrin edhe pyetja kur erdhe. Pa e dorëzuar akoma përgjigjen, të ka mbërritur tjetra, kur do ikësh.
Fill mbas këtij raportimi preçiz të kohës së ardhjes, dhe asaj të bezdisëshme të ikjes, prej bashkëbiseduesit, duhet të presësh atë më skandalozen; edhe sa do të rrish. Pra duhet edhe shifra matematike që del prej diferencës së dy raportimeve të para. Fundja, nuk është detyra e intervistuesit të mbledhë apo të zbresë numra, të pakten në këso eventesh.
Përtesa apo konfuzioni matematik nuk do të ishte asgjë, nëse njëra palë do të ishte në ecje e sipër duke rendur tek puna. Por jo, jemi ngeshëm për kafe ose në kafe. Bashkëvendësi pritës në punë, dmth tek puna, tjetri mbërritësi me pushime të huaja.

-Këtu ka mbaru gjithçka, -vijon i ndërmendur pritësi që është në punë, tek puna, dmth në kafe dhe për kafe.-Ju që ikët, keni bërë zgjidhjen gjeniale. Ky vend ka mbaruar, dhe nuk bëhet. Duhet ikur,-shton mekanikisht.
Kjo me “gjeniale” është fjalia më e stërdëgjuar qysh nga mediet deri tek fshatari i katundit më periferik, përjashtuar ligjërimin e udhëheqjes politike.
E dinë përmendësh ata 1,5 milion që kanë ikur prej socializmit të vjetër, dhe më të freskët e kanë gjysma e milionit që iku me shkelma prapanicës me ardhjen e socializmi të ri-lindur.

-Nuk më dukesh realist, shiko se populli është veshur, mbathur, parfumosur, njësoj si kryeministri; Me atlete, celular, çanta krahu, çelësa makinash, publik boll për ligjërime e fjalime nëpër kafe, po aq sa ai vetë.
Ky vijon mendueshëm me neutralen, “po mor po,” pa ndonjë vramendje se ku ndan ironia me seriozitetin.
-Populli pret kryeministrin, qeverinë e partinë e tij, me orar e pa orar, “dal vivo” ne tv, fb, me qëllim që ky të japë llogari, ku dhe si të dojë,-dërdëllit diasporaku. -E rëndësishmja është se tani qeveriset bashkë. Populli drejton, Qeveria punon…
Ky konstatim më mirë me thënë ky provokim miqësor, duke bërë pak “ojna” me deklaratën entuziaste të kryeministrit, kur po i hynte “sefte” qeverimit, nuk e tund bashkëbiseduesin meditues, ndonëse ndonjë muskul fytyre tkurret padashje.

Bashkëbiseduesit i ikjes “gjeniale” mund të qëllojë nëpunës administrate që ka ndërruar tre-katër, katërmbëdhjetë herë pigmentin politik. Qëllon që përveç rrogës, ka dhe një aktivitet privat diku në ndonjë qoshe, të privilegjuar nga taksidarët e kryeministrit, që të rrjepin. Ndonjë fëmijë që studjon jashtë, ndonjë pagesë si këshilltar vendor, shtëpi në kryeqytet, vilë apo apartament bregdetar, që ndjek a merr pjesë nëpër finacime e projekte të huaja të cilat “thithen…” për tu zhdukur “pa shej’ pa duk”.
Mund t’i ketë sistemuar të gjithë krushqitë, kunetërit a kunatat nëpër punëra me rrogë, përjashtuar macet, farë e fis që i ka lyer me pigment ne kohë votimesh, sipas erërave politike, apo stuhi të fortësh…

Qëllon psh që në pushimet e shkuara, katër-pesë apo dy viteve më parë të ka thënë duke të parë në kokërr të syut, se Shqipëria po bëhej madje po bëhej vrullshëm me… shtet.
Sepse ata që ikën nuk bënë asgjë për këtë… vend, madje ishin te korruptuar e kriminela, ndonëse ky vetë i kishte mbështetur (gabimisht) ashtu si këta.
Qëllon që pikërisht ky bashkëbisedues a një si ky, të ka thënë se ajo bimësia e drogës, nuk ishte ashtu si e mendojnë disa. “Burrat” e shtetit si Rama, Ruçi, Tahiri, Balla, dinë ca gjera pak përtej asaj që shohim ne të thjeshtit.
Mirëpo çuditërisht kjo nuk ndodh, sado tja çposh me hosten prapanicën bisedës.
Po foli, përsërit gjetjen “gjeniale”.