Presidentja e Senatit të Hollandës Anki Brukers-Knol: Ky është viti i PO-së për Shqipërinë

Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi prit në një takim Presidenten e  Senatit të Hollandës, Znj. Anki Brukers-Knol, dhe delegacionin që e shoqëronte, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Ky ishte takimi i parë i Kryetarit të Kuvendit pas Vendimit të Këshillit Europian, i cili iu përgjigj pozitivisht rekomandimit të Komisionit dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë në qershor 2019.

Kryetari Ruçi i shprehu Presidentes Anki Brukers-Knol mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë si edhe të gjithë shqiptarëve, për mbështetjen e vazhdueshme dhe korrekte të Hollandës për perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Ne jemi të bindur se në qëndrimin e Hollandës për çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë nuk ka asnjë grimcë paragjykimi, por vetëm vëmendje e kujdes të natyrshëm, nënvizoi Z. Ruçi. Vërejtjet e Holandës po shqyrtohen me shumë seriozitet nga të gjitha institucionet shqiptare dhe lufta kundër korrupsionit, kriminalitetit dhe trafiqeve po ashpërsohet e thellohet.

Njëkohësisht ai shprehu garancinë se përpjekjet e Kuvendit të Shqipërisë për thellimin dhe qëndrueshmërinë e arritjeve në pesë prioritetet kyçe të procesit të integrimit do të vazhdojnë të rriten dhe do të prodhojnë rezultate më të prekshme e më të larta.

Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur agjendën e vet për të garantuar legjitimitetin  demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit përgatitor për hapjen e negociatave.

Kuvendi po nxit qeverinë të punojë me Komisionin Evropian për procesin përgatitor, në mënyrë që qershorin e ardhshëm të kemi përmbushur të gjitha detyrimet.

Deri në qershor 2019, vuri në dukje Z. Ruçi, Shqipëria  do t’i ketë bërë të gjitha detyrat e shtëpisë

Kryetari i Kuvendit  vlerësoi kontributin e Holandës për kryerjen e reformave, sidomos reformës në drejtësi, si një reformë unike në vendet kandidate dhe nënvizoi se suksesi i kësaj reforme buron edhe nga kontributi i institucioneve dhe gjyqtarëve holandezë në zbatimin e reformës dhe në strukturat e vetingut.  

Testi deri në qershor 2019 që kemi përpara është një test si për shumicën qeverisëse, ashtu edhe për opozitën. Sepse është një sfidë për Shqipërinë, nënvizoi Z. Ruçi.

Nga ana e saj Presidentja Anki Brukers-Knol theksoi se  kam ardhur këtu me bindjen se Shqipëria do të bëhet një anëtare solide e Bashkimit Europian.  Hollanda është e bindur se Shqipëria është një vend europian dhe me një të ardhme të qartë europiane. Qëndrimi i Hollandës për çështjen e hapjes së negociatave është një mundësi shumë e mirë për të nxitur Shqipërinë të luftojë më ashpër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vetting-u është një rast unik dhe rezultatet që ju keni arritur në këtë aspekt janë impresionuese. Jam e bindur se në qershor 2019 negociatat me Shqipërinë do të hapen. Gjatë këtij viti që kemi përpara Shqipëria do t’i përmbushë të gjitha kushtet. Ky vit do t’i bindë të gjithë kritikët dhe në qershor 2019 askush nuk do të ketë pakënaqësi për rezultatet e Shqipërisë. Ky vit, theksoi Znj. Brukers-Knol, është viti i PO-së për Shqipërinë.

Bashkëbiseduesit evidentuan edhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Holandës. Rritja e bashkëpunimit politik është pasuar edhe nga rritja e konsiderueshme e investimeve holandeze në Shqipëri. Në vitin 2017 Holanda u bë investitori i dytë në Shqipëri, me 870 milionë euro ose një rritje prej 30% krahasuar me vitin e kaluar.

Në fund të takimit Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Presidentja e Senatit Anki Brukers-Knol bënë nga një deklaratë për shtyp.

Deklaratë e përbashkët për shtyp e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, me Presidenten e Senatit Holandez, znj.Ankie Broekers-Knol

Sapo përfunduam një takim shumë të rëndësishëm, miqësor dhe produktiv me Presidenten e Senatit të Holandës,Shkëqesinë e Saj, Znj. Anki Brukers-Knol.

Ndjehem i lumtur që u takova me këtë zonjë të nderuar, kolege të respektuar, që me lidershipin e saj udhëheq Senatin e Hollandës, këtë institucion të rëndësishëm të njerit prej vendeve më të qytetëruara dhe të njerës prej demokracive me standartet më të larta në botën e sotme.

Është një kënaqësi e veçantë për mua që takimin e parë me kolegët e parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, pas  Vendimit të Këshillit Europian për t’iu përgjigjur pozitivisht rekomandimit të Komisionit dhe për të përcaktuar rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë në qershor 2019, e zhvillova me Presidenten Anki Brukers-Knol.

I shpreha Presidentes  mirënjohjen time, të Kuvendit të Shqipërisë si edhe të gjithë shqiptarëve, për mbështetjen e vazhdueshme dhe korrekte të Hollandës për perspektivën evropiane të Shqipërisë.

E sigurova Presidenten se përpjekjet e Kuvendit të Shqipërisë për thellimin dhe qëndrueshmërinë e arritjeve në pesë prioritetet kyçe të procesit të integrimit do të vazhdojnë të rriten dhe do të prodhojnë rezultate më të prekshme e më të larta.

Verësova kontributin e Holandës për kryerjen e reformave, sidomos reformës në drejtësi, si një reformë unike në vendet kandidate.  Suksesi i kësaj reforme buron edhe nga kontributi i gjyqtarëve holandezë ne strukturat e Vetingut.

qëndrimin e Hollandës për çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë nuk ka asnjë grimcë paragjykimi, por vetëm vëmendje e kujdes të natyrshëm.

Shqipëria është tashmë një dosje “mbi tryezën holandeze” dhe ne e vlerësojmë vëmendjen e Hollandës në këtë proces.

Ne e kemi të qartë se na mbetet shumë për të bërë. Por ofrojmë të gjitha garancitë se në qershor 2019 do të kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë.

Siç kam pasur rast tu bëj të njohur medias dhe qytetarëve shqiptarë, Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur agjendën e vet për të garantuar legjitimitetin  demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit përgatitor për hapjen e negociatave.

Kuvendi po nxit qeverinë të punojë me Komisionin Evropian për procesin përgatitor, në mënyrë që qershorin e ardhshëm të kemi përmbushur të gjitha detyrimet.

Testi që kemi përpara është një test për të gjithë, për Kuvendin, Qeverinë, opozitën, median dhe qytetarët. Sepse është një sfidë për Shqipërinë. 

Ju faleminderit.

Fjala e Presidentes së Senatit Holandez, znj.Ankie Broekers-Knol

Shumë faleminderit z. Kryetar!

Për mua është një privilegj i veçantë që të jem këtu sot në Shqipëri.

Ende nuk kam pasur rastin që të shoh shumë nga vendi juaj, megjithatë ajo çfarë kam parë nga mbërritja mbrëmë, munda të shoh nga aeroplani, që ju keni një vend të mrekullueshëm, keni male, keni det, keni fusha, duket si një vend vërtetë i mrekullueshëm.

Por ajo çfarë është më e rëndësishme është që ju, vendi juaj, Shqipëria, është një vend Europian, i përket Europës, i përket familjes europiane dhe për këtë gjë unë jam mëse e bindur. Dhe unë jam e bindur që deri në qershorin e vitit 2019 ju të gjithë do t’i keni përmbushur të gjitha detyrimet tuaja në lidhje me atë çfarë duhet të bëj Shqipëria për të hapur negociatat dhe më vonë për t’u bërë anëtare e Unionit Europian.

Edhe pse ky do të jetë një vit shumë i vështirë, unë mendoj se është një mundësi shumë e madhe që Shqipëria të punoj fort, që vitin tjetër, verën tjetër, askush të mos ketë më për çfarë të ankohet për atë çfarë Shqipëria ka bërë dhe ka përmbushur në lidhje me mundësinë e saj për tu bërë ndoshta në të ardhmen një vend anëtar i Bashkimit Europian.

Si kryetare e Senatit Holandez unë jam vërtet e impresionuar nga e gjithë puna që ka bërë Shqipëria deri tani. Dhe sidomos do të veçoja të gjithë punën e bërë me Reformën në Drejtësi, me procesin e vetting-ut, i cili është vërtet një proces unik dhe është i vlefshëm për të gjithë. Mendoj se Shqipëria ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në këtë drejtim.

Dhe unë jam e bindur që duke filluar nga tani, ky vit që keni përpara, për Shqipërinë do të thotë përmbushje të të gjithë detyrimeve të tyre. Kështu që në qershorin e vitit 2019 ju do të hapni kapitujt e negociatave për tu bërë dhe për të qëndruar një anëtar i përhershëm i familjes Europiane, i Bashkimit Europian.

Sikurse ja thash edhe kryetarit, ne të gjithë i përkasim Europës, ne përqafojmë dhe duhet të përqafojmë njëri-tjetrin.

Unë mezi po pres që të kem takime të ndryshme gjatë këtyre dy ditëve të qëndrimit tim në Shqipëri dhe jam i sigurt që ne në fund, do të kthehemi në Holandë, do të kthehemi në shtëpi me një përshtypje jashtëzakonisht të mirë me të gjithë impresionet e mira që ne do të marrim nga Shqipëria.

Dhe ne këtë gjë e bëjmë të gjithë së bashku, për të ardhmen tonë të përbashkët, dhe kur flas së bashku, them Shqipëria, Holanda dhe të gjithë vendet e tjera anëtare, e bëjmë këtë për të ardhmen e vendeve tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen tonë të përbashkët.

Faleminderit!