Një poet modern në odën e letërsisë kombëtare dhe evropiane

Filozofia e artit poetik të Skënder Buçpapajt si meditim kërkimi.

Shkruan: Maxhun OSMANAJ

“ Ta lexosh poetin Skënder Buçpapaj, ke lexuar një shpirt modern që rri këmbëkryq-shlirë, në odën e madhe të letërsisë mbarëkombëtare, pse jo edhe evropiane.”

Fjala e tij poetike , e matur , e përzgjedhur , shumëdimensionale, shumështresore, është si një minierë e pasur në thellësinë e tokës, përkatësisht të shpirtit, ku aty gjejmë kristale-shprehjeje të llojllojshme poetike. Ajo ka peshë, ajo ka provokim, ajo ka porosi- rrezatim. Përmes nervit-verbit poetik përcjell krajatat, dhembjet, mallin, po edhe epikën e popullit të vet nëpër stinët e përflakura të jetës. Buçpapaj,sa është malësor fizik në jetë, po aq malësor në vargje, në ligjërim poetik. Po cilat janë veçoritë e shpërthimit poetik të Buçpapajt? Libri hapet me titullin : “ Mbi malin e hekurave dikur”. Ky krijim sikur zëvendëson një poemë në vete(7-15 ,fq,), sa një libër në vete, në çfardo zhanri ta quajmë: mund të jetë dramë në vargje, roman filozofik, e çka tjetër nuk mund të jetë.Evat,Yjet, Unë, janë tri fjalët kyçe, trinom emëror që provokojnë çdo lexues,provokojnë shpirtin. Ato vargje ,mund t’i quajmë edhe rreshta, nxisin botën e panjohur te poetit drejt njohjes apo rinjohjes.
Aty na shfaqet gjithësia, sistemi planetar sikur kthehet në tokë, i kthehet të djeshmes plot misticizëm, plot panjohuri, drama, metamorfozë- metafizikë dhe vjen deri të kërkimi i rinjohjes, deri në ditët tona. Por të gjitha këto përsiatje poetike përkojnë me vellon e dashurisë për njohje dhe guxim mendimi meditativ për ta thënë atë që ndien,atë që grish atë që ngacmon. Lexuesin e fut në betejë me lojën e figurave dhe shprehjeve, idesë dhe temave që trajton Buçpapaj.Areali gjuhësor-poetik është i pasur, i freskët, sa modern,po aq popullor. Kur e lexojmë ngadalë , me syrin e vëmendjes së thellë, gjakftohtë, ky krijim na përkujton poezinë kozmopolite “Krijimi i rrozullimit”të të madhit Pjeter Bogdani.Ky krijim përmbush premisat e një krijimi filozofik për botën, qiellin, tokën. Buçpapajn nuk e “mashtron”- tërhjek vetëm realiteti apo ajo çfarë shihet e përjetohet në shikim të parë; atë e tërhjek pikësepari e padukshmja, e paprekura, e pashikueshmja.Bile në vazhdim të vëllimit e gjejmë një poezi me titull “Unë shikoj të pashikueshmen”(fq,19).Këtu autori tregon “ dhëmbët” e vet drejt të panjohures, drejt të pashikueshmes.Kërkon të hyjë në skutat e jetës që s’ka hyrë askush. Këtu shfaqet universi i thellë, i mprehtë,i pafund i meditimit.Ja në mes tjerash çfarë ligjëron “Shikoj lëndën që merr frymë midis nesh apo tej nesh,/ i ngatërron shqisat me ne, i mpreh apo i trash shqisat /tona të vërteta dhe ato metaforike”(fq.19).

Pra, ai shikon lëndën, qenien,ajrin,muzikën;a nuk janë këto gjithçka për botën e njeriut? Pra,lënda,qenia,ajri , muzika përbëjnë një brumë jete.Kjo është bota universale,filozofike,meditative e Buçpapajt, dhe në fund e përfundon:”Unë shikoj atë që nuk e vështron, nuk e kundron,nuk/e sodit, nuk e këqyr dot askush,të pashikueshmen/shikoj, atë që do ta shikojnë ndoshta vetëm teleskopët e vitit tre milionë”.Një kundrim i tillë filozofik e vërejmë edhe te poezia” Zogjtë m’i përkthejnë mendimet e mia”.Dhe tani kuptohet çfarë metafore dhe simbolike paraqesin zogjtë.Zogjtë s’janë fajtorë, ata i japin jetë poetit, gaz e tundim: “ Dhe unë/Me të njëjtin respekt,me të njëjtin përkushtim /me të njëjtën ndjenjë dhe emocion/I dëgjoj mendimet e mia/Ditën/Dhe natën/Të kënduara në kafaze , në pyje ,në qytete , në fusha, në/pllaja apo shkretira”(fq. 29).Buçpapaj është poet i metaforës, metonimisë, i epitetit dhe mendimit të thellë.Ai nuk shkruan poezi deklarative, pa kolorit,pa ton, pa ndjeshmëri, pa vibrim shpirtëror.Poezia e tij ka tabanin e një përkushtimi , një kërkimi , një njohjeje esenciale.Ai i ik formës konvencionale, nuk e mundon vargun sipas rregullave hermetike të mbyllura. Ka një pavarësi në ndërtim dhe shprehje.

Autorin e tërhjekin fenomenet e shëmtuara , dukuritë negative , gjerat e prapshta. Përmes rrëfimit si meditim i trajton dhe me një finesë e laton qoftë mendimin ,qoftë vargun.Poezia “ Peshq toke”(fq. 42-43) ,paraqet një fenomen apo realitet në jetën e sotme shoqërore ku jetojmë dhe veprojmë.Ka lloj –lloj peshqish,por”Peshqit e tokës/ Nuk janë peshq uji”(po aty).

Autorit nuk i ikën nga mendja fenomenet që degradojnë shoqërinë njerëzore. Ai përmes vargjeve ironizon me humorin sarkastik thelbin dhe shkaqet.Këtu qëndron poenta e mesazhit poetik te autorit.Një krijim tjetër, mbresëlënës është poezia “ I shumëkërkuari”ku fytyrën e vet, autori e gjen kudo me forma, trajta, pamje dhe reflektime të ndryshme. Poezia ka një mbyllje hyjnore-filozofike “ E vetmja gjë që ata duan t’u thonë të gjithëve është/Se pavarësisht shumësisë së fytyrave/Pavarësisht vetëprodhimit serik të tyre/Para ardhjes sime unë isha shpirt/Dhe pas ikjes sime prapë do të em shpirt”.(fq.47). Autori ndërtimin metrik e ka të llojllojshëm, që nga njëvargëshi deri të dymbëdhjetëvargëshi.Ai ndërton edhe poezi njëvargëshe, emra, folje.

Shkurt, metrika e Buçpapajt është e shliruar nga numri i rrokjeve dhe rimave në përgjithësi. Poezia e tij është poezi figurative me një stil të lartë-gjuhësor,shprehje plot pasuri leksikore. Ajo është herë rrëfim, herë ndjenjë, herë meditim,herë reflektim esteto-filozofik.Poezia e tij është stoli gjuhësore ,mund të konkludojmë. Fryma e dashurisë për bukurinë e jetës,njerëzit,sado që me penën “shpatën” e tij godet, goditja ka efekt dhe ngjall reflektim pozitiv.Krahas fatit te njeriut, ai trajton edhe fatin e atdheut, dramat e tij,përsiatjeve, malldhembjeve nëpër stinë dhe kohëra të egra. Poezia e Buçpapajt është vlerësuar mjaft lart nga kritika dhe pëlqye nga lexuesi. Në kështjellën e letërsisë ka ndërtuar një bazament të fortë.Nuk erdhi rastësisht si rastësi,por dhuntia etij si poet tejkalon çdo dyshim dhe hamendje; vjen si dëshmi dhe pjekuri.

Shkurt, ai është poet i lindur.Ja se çfarë kanë thënë disa nga studiuesit dhe kritikët e letërsisë shqiptare për poezinë :

SULEJMAN MATO : Poezinë e Skënder Buçpapajt e kam pëlqyer që në fillimet e saj.Me figuracionin e freskët,të pasur dhe origjinal kjo poezi arrin gjithnjë të na befasojë.

HAMIT ALIAJ: Kjo frymëmarrje gati Uitmaniane, kjo kulturë e gjerë, erudicion dhe teknikë e sofistikuar e të shkruarit, e renditë poezinë e Buçpapajt në kulmet e poezisë bashkëkohore shqiptare dhe europiane.Hierarkia e fjalës së shkruar nga Buçpapaj përbën një shembull poetik të Demokracisë së fjalës në poezi,aspak i ndikuar prej modave të stisura letrareske, në disa poezi autori përdor struktura të poezisë formaliste.

SEJDI BERISHA : Vargu i Skënder Buçpapajt është refleksion dhe mendim i palëkundshëm filozofik i rrugëtimit tonë historik.Poezia e Buçpapajt dëshmon për qëndrueshmërinë e tij por edhe për tërë atë energjinë, të cilën rrallë mund ta ketë gjithkush për të bërë ndërlidhjen në mes të unit dhe jetës, e aq më tepër, kur kemi parasysh se asnjëherë nuk jetohet pa begatinë e filozofisë së jetës.

ELIDA BUÇPAPAJ : Skënder Buçpapaj e përfshin të gjithë leksikun e gjuhës shqipe, në mënyrën më elegante supreme, mjeshtër i metaforave dhe asociacioneve, mjeshtër i figurave të kuptimit e shqiptimit poetik, mjeshtër i kontrasteve, duket se i ka shterur të gjitha fjalët e kësaj jete…

VASIL TABAKU: Zëri i tij metaforik ndërton blloqe madhështore mendimi dhe filozofie, ku shpërfaqet natyrshëm bota e madhe njerëzore. Poezia e Skënder Buçpapajt është një poezi e angazhuar me Atdheun dhe kombin , me diellin dhe qiejt, me malet dhe yjet, me pemët dhe njerëzit.

Dr.XhAVIT ALIÇKAJ : Poezitë e Skënder Buçpapajt rrahin dy ambiente frymëzuese dhe krijuese: i pari është vendlindja, gjegjësisht Atdheu. Dhe, i dyti si mërgimtar jashtë tij , i përballur, si të gjithë mërgimtarët me jetën më të rëndë. Poezia e Buçpapajt është poezi e metaforës,por poeti përdor me sukses edhe metoniminë,ironinë, humorin e zi, kontraqstin poetik.

ILIRJAN SADIKAJ :Poeti nuk bie asnjëherë në folklorizëm. Poezia e S. Buçpapajt është tepër moderne, bashkëkohore, me sqimë të rrallë.

KLITON NESTURI : Fjala e tij është e rëndë dhe gjithnjë ajo ka një peshë të madhe, duke ruajtur bukurinë e saj në formën origjinale, në gegërishtën autoktone siç shprehej edhe Konstandin Kristoforidhi, ka një pasuri të madhe dhe të rrallë fjalësh dhe shprehjesh.

ÇERÇIZ LOLOÇI: Buçpapaj bën kujdes të mos përsëris askënd dhe të depërtojë atje ku nuk shkojnë kolegët e tij të kësaj zone apo edhe të krejt viseve shqiptare.

QAZIM D. SHEHU : Buçpapaj është poeti që nuk e harron rrënjën e malësorit shqiptar, veçse ia forcon më shumë filizat kësaj rrënje në truallin prej nga vjen duk i dhënë një frymë të përbotshme dhimbjeje.

NAZMI LUKAJ : Ai përdor vargje biblike, të gjata dhe të lira specifike për këtë poet, poezia e të cilit në këtë vëllim shkon në një lartësi të pakrahasueshme , duke ribërë rikonstruksionin e metaforës kombëtare të lirisë së vetëdijshme.

HYQMET HASKO : Mesazhet që burojnë nga poezia e tij, nga teksti,nënteksti, figurat dhe trajtat poetike, përcjelin botën e një malësori të cilit bota moderne dhe qytetërimi global nuk kanë arritur t’ia vrasin dot palcën e dashurisë, atë botë të tejndezur pasioni dhe ëndrrash.

ARBËR AHMETAJ : Flora e fauna, toka e planetet, fshatrat e qytetet ,shtetet e hapësirat e pamata të shkretinave, ndihen mirë e të përkëdhelura në poezinë e tij , po aq sa ndihet e vënë në zgripc të fjalës e të zemërimit të poetit, ajo që ai e quan fauna njerëzore, një denatyrim i kafshës , një dështim i njeriut.

PETRO MEJDI : E reja që solli ky vëllim ishte fjalori poetik i pathënë sa duhet nga të tjerët,fjalori poetik me kolorit të theksuar të vendit ku lindi kjo poezi dhe ushqimit të saj të përhershëm, Eposin! Skënder Buçpapaj është poet i lindur !