Nga Lutfi VATA
– Mirëdita, a mund të na tregoni pak për jeten tuaj këtu? Çfarë bëni, si e kaloni ditën? – i tha gazetarja.
– Po ja, – filloi çobani, – unë ngrihem në mëngjes, pi një kafe e një raki, nxjerr dhitë për të kullotur… Ulem në një hije e pi edhe një raki tjetër… Më vonë, marr të ha bukën, që më ka vënë gruaja me vete, dhe e shoqëroj me një teke…
– Xhaxha, – e ndërpreu gazetarja, – ky është emision kulturor, lëre atë rakinë… Thuaj, për shembull, ”lexoj një libër”…
– Në rregull, – u përgjigj çobani… – Ngrihem në mëngjes, pi një kafe dhe lexoj një libër… Pastaj nxjerr dhitë nga vatha dhe i lëshoj për të kullotur. Ulem në një hije e lexoj një libër tjetër… Më vonë, filloj të ha bukën që më ka vënë gruaja me vete dhe e shoqëroj me leximin e një libri të ri… Nga dreka, lexoj dy libra bashkë… Mbasdite, pas punës së lodhshme, shkoj në bibliotekën e fshatit, ku mblidhemi disa shokë, dhe lexojmë nga dy-tre libra secili… Në darkë, të gjithë burrat e fshatit mblidhemi tek njëri që ka një shtypshkronjë… dhe aty lexojmë gjer në të gdhirë….!