PARALELE HISTORIKE RRETH ÇËSHTJES SHQIPTARE NGA KONGRESI I BERLINIT (1878) E DERI TE PROCESI I BERLINIT (2014)

-Nga akademik Jusuf BAJRAKTARI, nënkryetar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës –

               Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ditëlindjen e 140-të të së cilës po e shënojmë me këtë Konferencë shkencore ndërkombëtare, është një nga ngjarjet më madhore në historinë moderne të popullit shqiptar. Sepse siç është e mirënjohur pikërisht në Prizren u kodifikua Besëlidhja Shqiptare, e cila lindi vizionin e shtetit kombëtar si një ndër hisenikët e ligjshëm në Evropën Juglindore, të cilën duhet konsideruar si një ndër faktorët qenësor ose siç u shpreh ambasadori Green “… pa llogaritur këtë faktorë nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë asnjë çështje në këtë Gadishull”.

               Në këtë vit kalendarik-2018-tën, sikur janë gërshetuar me qëllim disa përvjetorë shumë të rëndësishëm për historinë tonë kombëtare. Prinë 10-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës; pason Viti Mbarëkombëtar i 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut; 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; 100-vjetori i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe 110-vjetori i Kongresit të Manastirit. Të gjitha këto përvjetorë sikur sinjalizojnë se vitet me numrin “8” në fund sikur identifikohen edhe me lëvizjet e më vonshme të historisë sonë kombëtare. Sa për ilustrim po përmendim vitin e kthesave të mëdha 1968, me të cilin janë të lidhura të gjitha zhvillimet dhe kthesat më pozitive në jetën shoqërore e politike të shqiptarëve të Kosovës dhe të mbarë ish-Jugosllavisë.Fakti i përkujdesjes së dy Akademive të Shkencave të Prishtinës e të Tiranës, si institucionet më të larta të dijes që i kishin përfshi në Protokollin e bashkëpunimit midis tyre këto ngjarje, flet vetvetiu për rëndësinë e këtyre evenimenteve. Ky fakt tregon edhe për përgjegjësinë e madhe që e ndjejnë këto themelata për vlerat tona kulturo-historike të ngjarjeve të rëndësishme të përbashkësisë. Andaj, edhe çdo studiues e ndjen për nderë të veçantë që ka fatin të kontribuoj më këto organizime modeste, ku veç përkujtimit bëhen përpjekje serioze për të sjellë fakte të reja e të panjohura sa duhet para opinionit publik e shkencor brenda dhe jashtë vendit. Të gjitha këto ndihmojnë në afirmimin e të kaluarës tonë krenare.

               Kongresi i Berlinit është po ashtu një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e popujve të Evropës, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrjedhat e historisë dhe në fatet e këtyre popujve. Ai, si i tillë, është një vendburim ku historianë të vendeve të ndryshme të botës i kthehen herë pas here për të nxjerrë premisat e nevojshme në trajtesat e tyre historigrafike e gjeopolitike.

               Në kumtesën time të bazuar në literaturën relevante si dhe në burimet historike të kohës do të trajtohen me argumente faktet të cilat çështjen shqiptare e lanë të hapur si një çështje që u valëvit në kontekstin e rrjedhave politiko-diplomatike të së kaluarës, ndërsa Procesi i Berlinit, si një samit i rëndësishëm për të ardhmen e popujve të Evropës do duhej të merret edhe me shqiptarët si një faktor ku çështja e tyre vazhdon të kërkojë zgjidhjen adekuate në rrjedhat e zhvillimeve socioekonomike e politike aktuale. Në kumtesë do të shkoqis faktet e së kaluarës, të cilat kanë lënë shtigje të hapura për zgjidhje të natyrshme e të drejta të problemeve që nuk janë zgjidhur me kohë për shkak të oportunitetit të momentit politik, por që kanë mbetur në tavolinën e forumeve politike e diplomatike për kohë më të përshtatshme.

               Atëherë të shohim si u gërshetuan ngjarjet e atyre kohëve të stuhishme, të ndikuara si nga faktorët e brendshëm ashtu edhe nga faktorët e jashtëm. Këta faktorë do të përcjellin në kohë dhe hapësirë, ngjarje të cilat kërkonin shancën për tu shëndrruar në lëvizje të përmbushjes së një kauze të idealeve të protagonistëve që në historinë tonë janë të njohur si  r i l i n d a s  e përçues të kërkesave politike tek shtresat shoqërore të kombit në formim.

               Periudhën e Rilindjes Kombëtare e karakterizojnë zhvillime të bujshme për emancipim kombëtar dhe për liri kombëtare të popullit shqiptar. Në këtë periudhë zhvillohen – mendimi politik, proceset e vetëdijesimit kombëtar, të shtresëzimit të vetëdijes gjuhësore, kulturore, historike, shtetërore, territoriale, ekonomike e shoqërore.

               Mendimi politik shqiptar i Rilindjes Kombëtare, që udhëhiqej nga intelektualët e atëhershëm, kishte formuluar platformën e veprimit në mbështetje të ideologjisë kombëtare. Kjo platformë mbështetej nga të gjitha strukturat shoqërore, megjithëse për përhapjen dhe shpjegimin e saj në masa të gjëra u desht kohë, mund e sakrificë nga të gjithë ata individë që vepruan në këtë drejtim. Idetë e kësaj platforme shërbyen si program për veprimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila, si organizatë politike e ushtarake, përfshiu të gjitha shtresat e popullit. Në fillim ajo doli me kërkesë për autonomi, ndërsa më vonë, pas shuarjes së Lidhjes, lëvizja shqiptare e vazhdoi luftën për pavarësi të vendit 1).

               Dëshira dhe përpjekja e shqiptarëve për ngjallje të ndjenjave kombëtare, veçmas për arsimim në gjuhën amtare, ndiqeshin me dhunë nga regjimi osman. Një politikë e tillë bëri që shumë patriotë shqiptarë, të detyruar të largoheshin nga atdheu, ta vazhdonin edhe më intensivisht aktivitetin e tyre kulturor, arsimor e politik në vendet ku ishin strehuar.

               Megjithatë politikën e dhunshme të Portës së Lartë ndaj intelektualëve e patriotëve shqiptarë, një numër i konsiderueshëm syresh ishte përqendruar pikërisht në Stamboll, në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, prej nga qoftë legalisht, qoftë ilegalisht, bënin përpjekje për ngritjen e nivelit kulturor dhe arsimor të popullit shqiptar. Ata ishin të bindur se pa ngritje kulturore-arsimore, nuk mund të flitej për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe për zhvillimin e luftës për çlirim të atdheut.

               Një ndër këta intelektualë e patriotë shqiptarë që vepronin në Stamboll ishte Sami Frashëri.

               Duke e parë këtë rrezik intelektualët-patriotët shqiptarë nxorën organet e tyre të shtypit, apo bashkëpunuan me gazeta e revista të ndryshme të botës. Në shkrimet e tyre u përpiqen të afirmonin vlerat kombëtare shqiptare, të informonin opinionin botëror se ky komb ekziston dhe ka kërkesat e veta. U përpoqën ti demaskonin intrigat e aspiratat gllabëruese të shteteve fqinje dhe të ndikonin te qeveritë e Fuqive të Mëdha të ndryshonin qëndrimin ndaj kombit shqiptar. Në anën tjetër, patriotët shqiptarë, me anë të këtyre shkrimeve dëshironin të ndikonin te masat shqiptare për zgjimin e vetëdijes kombëtare, ti përgatisin ata për tu dalë zot tokave shqiptare.

               Shumë patriotë të shquar të kombit ishin në Stamboll, në selinë e Perandorisë Osmane. Kështu, qysh herët, sidomos nga gjysma e dytë e shekullit XIX, rilindasit shqiptarë, ideologët dhe patriotët e dalluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që punonin dhe jetonin në Stamboll e vende të tjera, zhvillonin aktivitet të gjerë ideor-politik për të mirën e kombit.

               Rilindasit e dalluar shqiptarë që jetonin në Stamboll, si vëllezërit Frashëri, Vaso Pasha, Hoxha Tahsini, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto etj. i kishin parashtruar disa herë Portës së Lartë kërkesa lidhur me përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe, kërkesa këto që nuk u përfillën nga Stambolli. Këta megjithatë vepronin në ilegalitet, kishin ndikim dhe bënin presion të vazhdueshëm nëpërmjet kanaleve të ndryshme pranë Qeverisë Osmane, që të formohej një shoqëri kulturore shqiptare, e cila do të merrej me përhapjen e arsimit dhe botimit të librave në gjuhën shqipe, dhe të legalizohej veprimtaria e saj. Por, sdo mend se qëllimi i vërtetë i patriotëve shqiptarë ishte që përmes kësaj të zhvillojnë veprimtari ideopolitike.

               Dihet se Komiteti Organizativ i Stambollit dhe Shoqëria Kulturore kanë luajtur rol të rëndësishëm dhe kanë ushtruar ndikim të madh jo vetëm në aktivitetin politik, por edhe në atë kulturor-letrar, në të gjitha shoqëritë dhe kolonitë e tjera shqiptare, të cilat u formuan në Bukuresht, Kajro, Sofje etj.

               Siç mund të kuptohet nga një burim osman, Komiteti Politik i Stambollit aktivitetin e vet e kishte filluar qysh në mars të vitit 1877, në kushte shumë të vështira ilegale, kur u zgjodhën shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e parë Osman, si përfaqësues të vilajeteve shqiptare. 2).

               Sipas burimeve të tjera osmane mund të konkludojmë se me nismën e Abdyl dhe Sami Frashërit, qysh në fillim të muajit mars 1878, u themelua ky Komitet, i cili e mori karakterin e një organi zyrtar shqiptar në emigrim, me emrin Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare 3), i njohur shkurtimisht si Komiteti i Stambollit.

               Zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore aktuale sikur po japin indikacione të mjaftueshme të cilat të çojnë në një përfundim të qëndrueshëm shkencor se në qoftë se stërgjyshërit tanë në ato kohë delikate me një përfaqësim ekselent (rajonal, social, politik e fetar) arritën që pikërisht 3 ditë para Koncertit diplomatik më të madhit në Evropën e shekullit XIX (Kongresit të Berlinit) të dalin me kërkesa kuptimplota, atëherë do të shtrohet pyetja, a thua vallë pse sot pas 140-vjetësh kur vetëdija e popujve të shtypur në Azi, Afrikë e vende të tjera të botës në saje të mirëkuptimit kanë arritur t’i realizojnë kërkesat e tyre për liri, pavarësi e zhvillim normal. Atëherë, pra, a nuk do të ishte gabim fatal që strukturat shtetërore e intelektuale të popullit shqiptar sot mos të jenë në nivelin e duhur të momentit historik për të shtruar dhe për të propozuar zgjidhje të natyrshme (me rrugë qytetëruese) të problemit jetik të një populli të penguar për të jetuar ashtu siç jetojnë të gjithë popujt e Evropës e Ballkanit. Ata e duan lirinë për të jetuar me dinjitetin e duhur në vendin e tyre; duan të mos duken si varfanjakë e lypsarë të neveritshëm, të padenjë për jetë normale e të merituar për kohën.

               Të gjitha këto fakte të renditura do të jenë pjesë e analizës së mirëfilltë shkencore dhe mbi bazën e metodës krahasimtare të fakteve dhe të rrethanave konkrete të zhvilluara në kohë të ndryshme në Berlin do të përbëjnë kumtesën time në këtë eveniment shkencor.

              

               Fjalët çelës: Kongresi i Berlinit, Procesi i Berlinit, çështja shqiptare, historia, diplomacia, lufta…

__________

 *Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Lidhja Shqiptare e Prizrenit (140 vjet mbas)” organizuar nga Akademia e Shkencave e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Prishtinë, 8-9 qershor 2018.

1.- A. HADRI, Lidhja e Prizrenit (1878-1881), Konferenca shkencore e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit I, Prishtinë, 1981, 27-29.

2.- BashbakanlikArshivi, Meclis-i mebusân,Istanbul, 1293 (1878), Zabit Ceridesi, Devre, 2 cild, ictima, 1, 144-145, sipas I. REXHA, Komiteti i Stambollit dhe aktiviteti ideopolitik i vëllezërve Frashëri në periudhën e Lidhjes së Prizrenit, Vjetari i Arkivit të Kosovës, X-XI (1974-1975), Prishtinë, 1979, 109.

3.- I. REXHA, punim i cituar, 109.