Firmoset memorandumi Shqipëri-Kosovë për policim të përbashkët rrugor gjatë sezonit veror 2025

Në prag të sezonit turistik dhe rritjes së ndjeshme të fluksit të qytetarëve nga Kosova drejt Shqipërisë, Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në territorin shqiptar.

Marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues madhor Ilir Proda, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, duke u konsideruar si një tjetër hap konkret në thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve të sigurisë.

Shërbimet e përbashkëta synojnë:

parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve rrugore;

menaxhimin efektiv të trafikut në akset kryesore që lidhin të dy vendet;

shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e policimit rrugor.

Drejtori Proda theksoi se prania e kolegëve nga Kosova përbën jo vetëm ndihmë praktike, por edhe një simbol krenarie për harmoninë mes dy policive. Nga ana tjetër, kolonel Hoxha deklaroi se efektivët e Policisë së Kosovës ndihen të nderuar për mundësinë për të shërbyer krah për krah me kolegët shqiptarë dhe do të angazhohen maksimalisht për arritjen e objektivave të përcaktuara.

Shërbimet e përbashkëta do të nisin zyrtarisht më 1 korrik 2025 dhe do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror.