Nga Viktor GJIKOLAJ
Kur kam udhëtuar jashtë Mirditës,më kanë pyetur shpesh: Përse krahinën tuaj emërmadhe e quajnë „Mirdita e kuqe‘‘? E kam përcjellur me heshtje në fillim pastaj kam pyetur veten : Përse kjo kureshtje e bashkëbiseduesve të mij, në Lezhë,Shkodër,Tiranë,Tepelenë, Vlorë,Gjakove … Më qe dukur disi provokuese, jo thjeshtë, një kureshtje . Pastaj e vërteta ishte se nuk qeshë marrë kurrë me semantikën e këtij togfalëshi. Pyeta edhe unë , njërëz të moshave të ndryshme, shfletova për ta gjetur të shkruar gjëkundi në çfarë do trajte që të ish. Bashkëfolësit e mij, më përmendën disa këngë, që këndoheshin nga mirditasit dhe jo vetëm.
Skuqën malet katër nuse
Prandaj i thonë, Mirdita e kuqe.
Lot, mos qit Mirdita e Kuqe
Ballin nalt për jet e mot
Ka me t’ba partia nuse
Si e desht Bardhoku jot.
Shkrepi dielli i mëngjesit
Shkëlqen vesa mbi burbuqe
Mirëmengjes, Mirdita jonë ,
Mirmëngjes, Mirditë e kuqe!
Është e viteve shtatëdhjetë, e kompozuar nga një kompozitor profesionist.
Në një kronikë të kohës së diktaturës lexoxa: Mirdita e kuqe e Partisë po i pret festat e nëntorit me rezultate të larta…
Ka dhe të tjera rasa, që për motive të kohës të jetë thirrur me këtë togfalësh nëpër koferenca, forma edukimi, gjyqe politike, etj.
Ndjeva se pyetjet, që më janë drejtuar, herë mbartnin ironi e jo rrallë nostalgji. Mirdita, shënjestra e terrorit të kuq, Mirdita e rezistencës epike anti-komuniste, që i dha kësaj epopeje shumë martirë dhe e pagoi me burgje dhe internime, në vitet e pluralizmit në Shqipëri ka mbështetur të majtën… (!!)
Natyrisht nostaligjikët duan ta evokojnë këtë kohë si epoka e kuqe e socializmit fitimtarë, si e mira që populli ynë kishte kërkuar në shekuj… Ata inspiruan që Mirdita në propagandën e kuqe të ishte vetëm e kuqe, nenkupto: e shtypur nga diktatura, që në kërthizë të saj i ngriti burgun më famëkeq të Shqipërisë komuniste, burgun e Spaçit. Edhe sot e gjithë ditën këto këngë i hedhin në rrjetet sociale .
***
U çue Dibra me saruqe
Poeti popullor nuk e ka improvizuar togfjalëshin, thjeshtë e vetëm për rimë. Ai e ka bart prej motesh e dëgjuar prej paraardhësve të tij. E thënë ndryshe , Mirdita e kuqe qe thirrur shumë heret.
Ka do vjet që shkruhet për Mirditën, por edhe mbarë e prapë si thotë një fjalë e popullit. Jo rrallë e ngrejnë në qiell, me një etnocentrizëm të pashembullt, hiberbola që veçsa ia ulin vlerat e vërteta identitare. Njerëz që i shpifen kësaj pune, që vetshpallen „historian“, poetë, gazetarë, rapsodë pafund , që e quajnë veten ,“kantautorë“, etj. Mirdita, është një unitet krahinor i krijuar jo shumë herët si i tillë, e që lidhet më së shumti me sagën e Derës Princërore të Gjomarkut.
Një unitet ,që u formësua nëpër kohna , deri kur rreh vitit 1850 , ajo si union numëronte dymbëdhjetë njësi (bajrakë, struktura lokale të Perndorisë Osmane, 1735, kryesisht në zona që banoheshin nga katolikët).Sigurisht në truallin e vjetër ilirian të Pirustëve,prinërve arbëror Progon e Dhimitër ,të Dukagjinëve ,ku Mirdita shtrihet si etnitet e territor.
Dikush ngrihet e thotë se Mirdita është 3000 – vjeçare se „Asht zemra e kombit ,ku u rrita,,. Diku mburret se: Jam Mirdita si kam qenë, një tjetër thërret : Qohu Mirdita e Kastriotit! Po kush po na sulmon?! Kujt kundër do ngrihemi?!Mirdita – Vadikani i Ballkanit e Mirdita republikë,etj, etj. Këto këngë këndohen ne mjedise publike e as kush nuk reagon…
***
Le ta rimarrim argumentin e të përpiqemi të themi se përse krahina e mori epitetit „ e kuqe“.
Prej se, në ato male , brigje e kreshta, jetonte një fis luftarak? Se pirustët qenë metalurgët e parë, që i shkrinin ceherorët e bakrit e llava e kuqe ngrihej deri në qiell?
A prej nenit të kodit penal të drejtës zakonore Gjak për gjak, pra të institucionit të gjakmarrjes?
Dikush mund të thotë me të drejtë: këto janë thjeshtë pyetje hipotetike , pjesë e procesit holumtues. Krejt e drejtë.
Mirditasit janë të besimit katolik ( besnikë të papërkulur te fesë katolike ,por jo aq besimtarë). Të ketë marrë këtë mbiemër thelbësisht me ngjyresë religjioze( vena asht gjaku, e buka, korpi i Krishtit)?!
Pat ardh një kohë, kur Mirdita rrethohej e gjitha nga popullësi e besimit musliman.Përpos kësaj krahina gëzonte autonomi nga Perandoria Osmane dhe për sa përmendëm ,zonat për rreth t’a kenë pagëzuar me epitetin „e kuqe“, për t’a veçuar prej te tjerash?
Sa thamë nuk shkokëlojnë pse-në .
Në kostumet popullore të Mirditës dominojnë e kuqja dhe e zeza mbi sfond të bardhë. Duvaku i nuses gjithashtu , i kuq si flamuri ynë . Në letërsinë orale, simbolet,metaforat, krahasimet kanë të kuqen.
Atje tej nji gur i kuq
Po na vjen nusja me krushq.
Në këngët liriko- erotike:
Mollë e kuqe, Ç’ban andej,
Thua të jetë i moçëm sa kënga, togfajëshi, Mirdita e kuqe…?!