Arkivë 2005/Mirditë, Përkujtohet tragjedia e maturantëve tropojanë e vitit 1975

shënimi im, A. Ndoja 28 maj 2018)

Dje teksa kaloja rrugës së vjetër për nga “Maja e Malthit”, një rrugë që prej vitesh nuk ka lëvizje automjetesh pasi disa dhjetra metra më poshtë e paralelizon autostrada, nuk kisha se si të mos ndaloja pranë një mali që mbart mbi vete një tragjedi. Eshtë tragjedia e maturës së Tropojës të vitit 1975, ku humbën jetën tre maturantë dhe shoferi i autobuzit por dhe u plagosën shumë nxënës të tjerë. Në atë faqe mali është një pllakatë përkujtimore ku duken qartazi fotografitë e tre maturantëve që humbën jetën, Drane Pjetërnika 18 vjeçe, Hasan Qelia 18 vjeç dhe Hatixhe Mulgeci 19 vjeçe. Kjo pllakatë është vendosur në kuadër të 30 vjetorit, pra  me 30 korrik 2005, ose 18 vite më parë. Pra këtë vit bëhen 48 vite nga ajo ngjarje e cila kujtohet mjaft qartë në Tropojë, por jo më pak në Mirditë.

Në Tropojë kujtohet për dhimbjen që shkaktoi në familjet dhe tek të afërmit e viktimave, por edhe në gjeneratat arsimore ku shumë mësues të saj kohë janë prezentë në jetën shoqërore e gjthashtu vetë nxënësit. Ndërsa në Mirditë kujtohet për një solidaritet të jashtëzakonshëm. Mbi 3000 banorë nga e gjthë Mirdita u gjendën në gatishmëri në vendin e ngjarjes, por edhe në rrethinat e spitalit të gatshëm për çdo sakrificë. Ndërsa vetë personeli i spitalit ishte vendosur në rradhe për të dhënë gjak, oksigjeni sigurohej nga Uzina e Bakrit në Rubik.

Kjo bëri që unë të nxjerrë nga arkiva ime mediatike një speciale të 18 viteve më parë, botuar në “Koha Jonë” dhe “Mirdita”, pikërisht të nesërmen e asaj dite kur një grup tropojanësh mësues e ish-nxënës të prirë nga kryetari i shoqatës “Pavdeksia” të Tropojës, Halit Katana dhe përfaqësues të tjerë, erdhën dhe vendosën këtë pllakat përkujtimore. Pikërisht më poshtë është shkrimi i asaj dite që përcjell një emocion jot ë paktë, ku protagonist si mjeku Kol Doda, dëshmitari okular Nuredin Muçaj, avokati Gani Dizdari, babai i Drane Pjetërnikajt etj. Ju ftoj ta ndjekim sipas versionit 2005.

Arkivë 2005/Mirditë, Përkujtohet tragjedia e maturantëve
Botuar në “Koha Jonë” 31 korrik 2005

SHPAL. Lot, lule, dhimbje dhe mall për njerëzit e humbur në një ndër aksidentet më tragjikë të para 30 viteve në vendin e quajtur Kthesat e Shpalit. Janë të afërmit e tri viktimave, ish-nxënës shkolle dhe të dhjetrave të gjymtuarve, disa prej të cilëve sot e asaj dite mbetën invalidë të përjetshëm, që janë grumbulluar në shenjë kujtimi pikërisht në vendin ku 30 vjet më parë, autobusi i tejngarkuar me 69 nxënës të shkollës së mesme bujqësore të Tropojës, pa pritur pa kujtuar, rrugës për në Tropojë, rrëshqet ndanë një shkëmbi për të rënë në humnerën qindra metërshe poshtë në Majë të Malthit.Më 31 korrik të këtij viti u organizua një ceremonial përkujtimor nën drejtimin e kryetarit të shoqatës “Pavdeksia” të Tropojës, Halit Katana dhe përfaqësues të tjerë, dukë vënë dhe një pllakat përkujtimor.

Ka 30 vite që  ne një kthesë harkore në afërsi të krepit të shkëputur të Majës së Malthit në kthesat e Shpalit, mbahet në kujtesën e njerëzve si vendi ku kishte ndodhur një gjëmë e madhe, dhe sa herë që kalohet aty, si nën zë pëshpëritej “këtu ra autobusi me aksionistët e Tropojës!”. Prej 30 vitesh, aty nuk është vënë ndonjë “lapidar” të rënësh si zakonisht, anipse tjetërkund këtyre kthesave ka dhjetëra të tillë, mund të jetë ndër vendet më të rrezikshme në rrugët e Shqipërisë si vendi këtu, por duket se si një lapidar natyral, ka qëndruar ky shkrep i zi i ndarë nga mali m’atanë, në mes të të cilëve gjarpëron rruga për Kukës e Kosovë.

Ka qenë data 30 korrik e vitit 1975, kur autobusi me nxënësit aksionistë u “fërkua” me shkrepin e veçuar në anën e humnerës dhe më pas përfundoj 2-300 metra poshtë në humnerë me të gjithë 69 nxënës e mësues që pati në të. Të mbijetuarit e asaj tragjedie të pazakontë, thonë se në ato momente djem e vajza tropojane, në moshën më të mirë të tyre, ishin duke kënduar e kërcyer në mes autobusit dhe vetëm ndonjëri mund të ishte në gjumë, ata ikën ashtu në greminë me buzëqeshjen e mbetur pezull dhe shakatë e tyre gazmore u kthyen në sekondë në klithma tmerri.

“Ktheheshim nga aksioni në Elbasan…”

Ish-komandanti i brigadës aksioniste, avokati Gani Dizdari, e kujton me shumë dhimbje atë ditë të trishtë në jetën e tij. Në atë kohë isha thuajse moshatarë me nxënësit që ishin në aksion, 3-4 vjet më i madh. Siç ishte tradita e aksioneve, brigada jonë e shkollës së mesme bujqësore të Tropojës, me mbi 60 maturantë dhe tre mësues, kishim qenë në aksionin e rinisë në ndërtimin e linjës hekurudhore brenda për brenda Kombinatit Metalurgjik në Elbasan.

Kishim kaluar një muaj aksion shumë të suksesshëm, rrëfen Dizdari, dhe pritnim të ktheheshim nga Elbasani për në Tropojë. Rrugën e parë e patëm bërë me dy autobusë të Tropojës, ndërsa atë ditë të nisjes në kthim erdhëm deri në Tiranë me në autobus të Elbasanit, por aty shoferi duke parë ngakresën prej 70 vetësh në të, nuk pranoj të vazhdonte më tej rrugën., ndaj në Tiranë na u dha vetëm një autobus nga ata që prodhoheshin në Uzinën e Shkodrës, nën drejtimin e shoferit 45 vjecar Mahmut Cufi, i cili rezultonte të ishte shofer i vjetër. Por, autobusi që në pamje të parë, dukej që ishte i amortizuar dhe jo shumë rezistent për rrugëtime të tilla malore.

Gjatë rrugës, ai dha disa here shenja jo të mira, me difekte në sistemin e drejtimit, por nuk u shqetësuam dhe aq. Pas pak minutash udhëtimi aty nga mesi i kthesave të përmendura të Shpalit, dëgjuam një tronditje të fuqishme, autobusi kishte devijuar dhe kishte goditur skiç në shkëmbin e zi ndanë rrugës, kështu disa metra deri sa përfundoj në greminë.

Fillimisht, kujton Dizdari, autobusi është ndalur në zhurishtën poshtë bordureve të rrugës, porn ë këtë moment janë ngritur në këmbë nxënësit nga fundi, çka ka sjellë dhe çastin fatal, pasi autobusi është mënjanuar dhe ka filluar botimet disa herëshe. Ky ka qenë një tmerr i madh. Bashkë me të tjerë kisha rënë dhe unë, por konstatova se nuk kisha ndonjë problem serioz, ndaj ngrihem në këmbë, kur ç’të shikoj, që nga buza e trotuarit sipër e deri në 200 metra thellësi, ishte mbushur me trupat e gjakosur e të gjymtuar të studentëve aksionistë. Asgjë nuk merrej vesh, të gjithë ishin të çarë, të gërvishtur, të gjakosur e të coptuar kush duar, kush këmbë, dikush ishte këputur në mes.

“Kirurgji” në mal

Nuk është aspak stisje, kur dëshmitarë të asaj kohe, rrëfejnë se ardhja krejt rastësore e një kirurgu nga Kukësi, ka qenë si një fat i rënë nga qielli. Me mjete rrethanore, që të kujton operacionet me prerje me sharrë të këmbëve në mal në kohën e luftës, të cilat i kemi lexuar si rrëfime nëpër libra, por që u provua realisht kur kirurgu i ardhur krejt rastësisht shpëtoj dhjetra jetë njerëzish, pohojnë të mbijetuarit. Po të mos kishte qenë Korab Shehu, sot bilanci i viktimave, nuk do të kishte qenë vetëm 3 nxënës e drejtuesi i autobusit, por do ta kishte kaluar numërin 20 a më tepër.

Por, më parë, pasi ka rënë autobusi, ka qenë një punonjë poilicie, që është ulur menjëherë poshtë, kur ne po kërkonim ndihmë edhe nga zogjtë e malit, thotë zoti Dizdari. Pak çaste më vonë u ndal një autobus, që bënte linjën e Kukësit. Aty si rrufeja kam parë që është shkëputur një person dhe ka rënë poshtë tek të plagosurit, ai na u prezantua menjëherë se “unë jam mjek”. Megjithëse ishte shtatshkurtër, na u duk si njeriu më i fuqishëm i kësaj bote. Më vonë mësuam se Korab Shehu, ishte i njohur në Kukës dhe në shkallë vendi si mjek me shumë përvojë dhe nga një familje e nderuar e Shehajve të Kukësit. Ai filloj të japë ndihmë operative të jashtëzakonshme, duke shpëtuar dhjetra jetë njerëzish. Sepse kishte rrjedhje gjaku të jashtëzakonshme. Griste këmisha kudo që gjente, më parë kishte grisur të veten, dhe u lidhte plagën duke ndaluar rrjedhën e fuqishme të gjakut. Më pastaj qenë dhe pasagjerë të tjerë që u avitën për të ndimuar. Mbaj mend që ngritëm me shumë vështirësi trupat e të plagosurve duke i shtrirë përgjatë rrugës këtu sipër, ndërsa gjaku shkonte rrëke në gjithë asfaltin, e thua se shkonte ndonjë përrua.

Më pastaj nëpër makina të rastit, makina bakri a piriti, na morën dhe na dërguan në spitalin e Rrëshenit, ku ishte ngritur në këmbë një qytet i tërë, 2 a 3 mijë vetë,pritnin rreth e rrotull spitalit, ku na është bërë një shërbim i jashtëzakonshëm që nuk ka të treguar, dhjetra vetë dhuruan nga gjaku i tyre për të shpëtuar jetën e nxënësve tanë.

Rrëfen mjeku i atyre viteve Kol Doda:

Kol Doda, njihet si mjeku i papërsëritshëm i sëmundjeve pulmonare në Mirditë dhe këtë punë ka bërë për mëse 47 vite, tepër i njohur në këtë krahinë për përkushtimin dhe humanitetin e tij ndaj të sëmurëve. Edhe tashmë që është në pension doktor Kola, kujdeset për të sëmurë që i shkojnë atje në Tiranë, ndërsa ka të shënuar në karrierën e tij, luftën e jashtëzakonshme që ka bërë për të shëruar të sëmurët tuberkularë.

Edhe pse mban vite mbi supe, ishte në vendin e ngjarjes sëbashku me njerëz pjesëmarrës të asaj dite tragjike, dhe për çudi mbahej mend nga të gjithë ata, tropojanë apo jo. Përveç fatit të dhimbshëm, ai thotë se ajo ditë, qe një shkollë e madhe për spitalin tone të vogël në Rrëshen, aty kuptuam se ç’jemi në gjendje të bëjmë në situate të tilla, kurrë më parë nuk kishte ndodhur, që në spital të kishe rreth 60 e ca të plagosur me trauma nga më të ndryshme, por ia dolëm, falë kujdesit të të gjithëve.

Si e kujtoni atë ditë?

Kam kaluar afro gjysëm shekulli në profesionin e mjekut, por ajo ditë nuk më shqitet kurrë nga mendja. Kemi qenë në një aktiv partie të rrethit, ku ishte i deleguar Rita Marko, kur na njoftuan se në kthesat e Shpalit ishte bërë kasaphana me një autobus, që kishte përfunduar në greminë. E dija mirë se ç’dot të thoshte të rrëzoheshe në kthesat e rrezikshme të Shpalit. Kemi dalë me Tonin Satën dhe kemi shkuar menjëherë në spital. Morëm disa gjëra urgjence dhe u nisa për në Shpal, rrugës kalonin makina të tëra me të sëmurë të hedhur sipër bakrit. Edhe kur vajta atje, pashë që disa po i hidhnin në makina si thasë, madje bëra debat me një funksionar që nuk e njihja. Më pastaj vumë rregull në vënien me kujdes në makina të të dëmtuarve dhe përcjelljen për në Rrëshen. Që atje u morëm me ata që kishin pësuar fraktura duke bërë lidhje provizore e mjekime të tjera.

Sa të sëmurë erdhën?

Kanë ardhur 66 vetë që i kemi numëruar me kartela të hapura. Nga këta 11 vetë ishin në gjendje shumë të rëndë, kritike për jetën, 6 ishin akoma më keq, që nuk ishim të bindur se mund t’u shpëtojë jeta, dhe pjesa tjetër me plagë më të lehta.

Kishte të shtruar më parë në spitalin e vogël të Rrëshenit, si u sistemuan të plagosurit rëndë?

Bëmë seleksionimet e të sëmurëve duke ngarkuar dhe personel përgjegjës për çdo dhomë. Në kohë rekord kishim bërë evokuimin e spitalit nga të sëmurët vendas, madje shumë prej tyre dolën vullnetarisht nga spitali, disa të sëmurë rëndë me operacione i sistemuam në një kënd koridori, ndërsa filluam të trajtojmë të ardhurit me trauma. Ndërkohë është për të shënuar, se disa dhoma qytetarësh u kthyen në dhoma spitali për të sëmurët vendas.

Siç është bërë e ditur, ka patur shumë njerëz të plagosur me rrjedhje gjaku të jashtëzakonshme, si u veprua për ta?

Duhet thënë se Korab Shehu, mjek obstetër gjinekolog, nga Kukësi, i cili e njihte mirë kirurgjinë, ka qenë fati i shumë prej tyre, pasi humbja e gjakut ishte e llahtarshme atje ku ata kanë rënë, ndërsa këtu u deshën qese të tëra gjaku, gjë që ne nuk kishim gjendje, puna nuk priste sa të vinin nga Tirana, ndaj i tërë personeli i spitalit u gjend i gatshëm për të dhuruar gjak, më pastaj kanë shfaqur dëshirën dhjetra e qindra qytetarë të Rrëshenit, në njëfarë mënyre, me këta tropojanë të mirë, u bëmë byrazerë në një kohë shumë të vështirë.

Po më pastaj si u veprua me të sëmurët rëndë?

Ndërkohë, sapo jepnim ndihmën e parë me forcat tona këtu në Rrëshen, me kirurgun e talentuar që tashmë nuk jeton më, pasi dhe ai vdiq në një aksident me helikopter në Llogara, Agim Qarri, me Paulin Shqalshin, drejtorin e spitalit Mustafa Selenica, erdhën forca spitalore edhe nga Tirana, me në krye ministrin e atehershëm të shëndetësisë Llambi Ziçishti, ortopedin Panajot Boga, Frederik Paparisto, Petraq Zoto, Agron Xhumara e të tjerë. Pasi bëmë reaminimin, 6 të sëmurë rëndë i dërguam në Tiranë me 3 helikopterë, ndërsa të tjerët me 11 autoambulanca të drejtuar me policë rrugorë. Kështu iu dha ndihmë 24 vetëve, nga këta 11 në gjendje shumë të rëndë. Pas dy ditësh, bëmë konsultën dhe disa i dërguam në spitalin e Tropoijës nën asistencën mjekësore të 3 infermierëve tona.

Kujtojnë se aty ishte mbledhur i tërë qyteti?

Është e vërtetë, kanë qenë afro 3 mijë vetë, por shumë i vetorganizuar, secili donte të jepte një ndihmë dhe askush nuk futej në spital. Ne kishim nevojë për oksigjen dhe metalurgët legjendarë të Rubikut, pa ua thënë këtë gjë, sollën një makinë me bombola oksigjeni, punëtorët vetë i ngarkonin në shpinë dhe pasi i sillnin tek dyert e dhomave të të sëmurëve dhe largoheshin që andej pa na krijuar as një konfuzion. Çdo gjë kaloj në perfeksion, deri sa arritëm të shpëtonim dhjetra jetë njerëzish.

Viktimat e aksidentit:

Drane Prend Pjetërnika (18 vjeç),

Hasan Syl Qelia (18 vjeç),

Hatixhe Ram Mulgeci (19 vjeç).

Shoferi Mehmet Cufi (45 vjeç) nga Tirana.

(Invalidët: Hatime Mërturi, Zyra Ahmeti, Lume Hoxha, mësuesja Nuri Kolgeci, etj.)

Flet një prej të mbijetuarve

Flet një dëshmitar okular. Nuredin Muçaj, është mjek kirurg stomatolog, nga Tropoja, sot punon në Tiranë. Asokohe ai ka qenë nxënës i shkollës mjekësore në Vlorë, por është gjendur në autobusin e aksidentit, pikërisht me bashkëpatriotët e tij kur po kthehej nga aksioni.

Si jeni gjendur në këtë autobus me bujqësoren e Tropojës?

Atë vit kemi qenë në aksion në Elbasan, ku po bëhej linja e brendshme e hekurudhës brenda për brenda Metalurgjikut të Elbasanit. Pasi mbaroj muaj i aksionit, u bëra me nxënësit e Tropojës për t’u nisur për në vendlindje. Hipëm në autobus mbi 70 veta deri në Tiranë. Aty, me sa duket, shoferi i Elbasanit duke parë këtë tejngarkesë nuk pranoj të ecte më tej.

Në shkuarje nga Tropoja për në Elbasan, sa autobusë kishin qenë?

Na thanë se dy autobusë për 66 nxënës dhe mësuesit e tyre, ndërsa në kthim u vu në dispozicion vetëm një autobus.

Po më pas?

Në Tiranë u ndërrua autobusi dhe na u dha një autobus nga ata të prodhimit të Shkodrës, delikat për rrugë të tilla dhe aq më tepër që ishim kaq shumë veta brenda, megjithatë patën besim se po e ngiste një shofer bukur si i vjetër në profesion, Mehmet Cuka. U nisëm pak me vonesë, pasi pritëm deri nga ora 12.30 deri sa u nisëm sërish për rrugë.

Pati defekte gjatë rrugës?

Me të thënë të drejtën disa herë dha shenja të tilla. Kam qenë nga karrikja 10 dhe po e ndiqja tërë rrugëtimin. Ndërkaq shumë të tjerë ishin të lodhur, disa ishin në gjumë, por kishte dhe të tjerë që bënin shaka, këndonin a luanin me njëri-tjetrin.

Ju keni qenë në gjumë kur rrëshqiti autobusi për në greminë?

Jo, nuk kam qenë në gjumë, por kam dëgjuar një zhurmë të madhe, si duket tek shkrepi i zi poshtë rrugës,autobusoi ka humbur drejtimin duke u fërkuar nëpër të, deri sa devijoi nga rruga, për një moment autobusi ka ndalur, por nga fundi i tij, janë ngritur të lemeritur nxënësit për të dalë jashtë, këtu tërë pesha ka shkuar nga fillimi i autobusit dhe ky ka qenë momenti fatal,pasi autobusi filloj të botohej, ndërkohë që në zhavorrin poshtë rrugës, u bë tym e pluhur i madh, që depërtoj brenda në autobus. Më pastaj kam kaluar pa ndjenja, vetëm kur e kam parë veten jashtë autobusit. Ashtu i tronditur jam ngritur dhe kam kuptuar se kisha shpëtuar, edhe pse kisha rrjedhje gjaku nga të çarat që kisha pësuar në disa pjesë të trupit.

Çfarë kishte ndodhur në këtë moment të rokullisjes, çfarë keni parë ju?

Ishte një tmerr i vërtetë. Gjithandej shpatit ishte mbushur me nxënës të aksidentuar që rënkonin, të plagosur e të gjymtuar. Shoferi vdiç në vend, po ashtu dhe njëra nga nxënëset aksioniste. Më kujtohet një skenë shumë tragjike, kur ishin shfryrë gomat e autobusit dhe kishin zënë njërën nga nxënëset poshtë tyre, ne e shihnim dhe nuk i jepnim dot ndihmë, ajo vdiç para syve tanë.

Kush ju erdhi në ndihmë?

Filimisht ka qenë një polic që ka zbritur aty, por ç’tu bënte gjithë këtyre njerëzve, dhjetra vetë rënkonin e kërkonin ndihmë. Pastaj fati i shumë nxënësve që sot janë gjallë, ka qenë ardhja e një mjeku kirurg, që zbriti nga autobusi i linjës së Kukësit, Korab Shehu, quhej. Mos u frikësoni, na u drejtua, jam mjek. Pastaj hoqi këmishën e vet e grisi dhe filloj të lidhte plagët e disave që u kullonin krua. Pastaj filloj të griste këmisha të të tjerëve, ndërsa më kujtohet një detaj i vogël, kur iu drejtuam një djali që kishte një këmishë të bukur nejloni për atë kohë, i thamë ta grisim, ai u përgjigj, ç’prisni?! Kështu dora e Korab Shehut, shpëtoj dhjetra jetë njerëzish deri sa erdhi ndihma e spitalit Rrëshen. Prej aty u morën të gjithë të plagosurit dhe na zhvendosen me makina të rastit për në spitalin e Rrëshenit. Mbaj mend se erdhi nga Spaçi një makinë me domate, ai i hodhi gjithë arkat dhe futi njerëzit në të për t’i transportuar për në spital. Në spitalin e Rrëshenit, por dhe gjithë qytetin atje, është një solidaritet i patreguar.

Gjatë gjithë kësaj periudhe keni ndonjëfarë vegimi negativ kur kaloni këndej dhe e kujtoni atë ditë?

Para një jave kalova me të dy fëmijët e mij, dhe kisha shumë emocione. Sa herë që kaloj kjo ngjet me mua. Por atë ditë djali më tha, ndaloje makinën, dhe pa poshtë duke u shprehur me habi: “Babi, si ka mundësi që në këtë vend ke shpëtuar gjallë?!…”. Mandej më tërhoqi vërejtjen dhe mua, si ka mundësi që nuk ka një pllakat përkujtimor më e pakta?!…I thashë se do ta vëmë shumë shpejt, ndaj kur u hodh ideja isha dakort për këtë për të kontribuar.

Gjergj Marku

Aleksandër Ndoja

Korrik 2005