Receta e ditës/ Patate e ëmbël e mbushur me mish dhe misër

Përbërësit:

4 kokrra patate
1 kokërr qepë
100 gr panxhar i zier
200 gr misra
trumzë
vaj ulliri
125 gr mocarela
300 gr mish i grirë viçi
kripë, piper i zi
1 lgj salcë speci pikant
100 ml lëng perimesh
4 lk gjalp

Përgatitja :

Fillimisht ngrohim furrën në temperaturën 200 gradë Celsius. Më pas vendosim patatet të lara me gjithë lëkurë në një tavë me letër pjekje në furrë për 25 minuta.

Ndërkohë panxharin e zier e presim në kubikë të vegjël, qepën e grijmë imët, mocarelën e presim në copëza të vogla, kullojmë më pas misrat e zier dhe grijmë imët dhe trumzën.
Vendosim tiganin në zjarr me një lugë vaj dhe skuqim mishin e grirë për 5-6 minuta derisa mishi të thërrmohet. Shtojmë më pas kripën, piperin e zi, qepën dhe salcën e specit. I kaurdisim të gjithë përbërësit për 1 minutë dhe më pas shtojmë 100 ml koncentrat perimesh. I trazojmë përbërësit duke i lenë në zjarr për 2 minuta në mënyrë që kima të jetë e butë, jo e thatë. Shtojmë tek kima më pas panxharin, misrin, trumzën, pak kripë dhe piper të zi.

Nxjerrim patatet nga furra, i presim në mënyrë gjatësore dhe lehtësisht me një lugë formojmë një boshllëk tek secila patate. Në çdo patate vendosim më pas pak gjalpë dhe vendosim mbushjen me kimën me mish, panxhar dhe misra. Në fund e spërkasim me djath mocarela dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 5-10 minuta derisa djathi mocarela të shkrijë dhe është gati për t`u servirur.